Analistët: Plani franko-gjerman është më afër qëndrimeve të Kosovës

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Propozimi i përditësuar franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, nuk mund t’i nënshtrohet ndonjë analizë të mirëfilltë, pasi i njëjti nuk është bërë publik.

Kështu vlerësojnë njohës të rrethanave politike në vend, duke shtuar se nuk mund të quhet as i “ dëmshëm” për vendin meqë edhe qëndrimi i BE-së është më i përafruar me atë të Kosovës.

Proceset e ndjeshme ndërkombëtare të bisedimeve në përgjithësi zhvillohen nën vellon e sekretit. I këtij lloji është edhe plani franko-gjerman. Kështu thotë njohësi i rrethanave politike në vend, Demush Shasha, për Radio Kosovën. Megjithatë, bazuar në qëndrimet e palëve të përfshira në dialogun Kosovë-Serbi, Shasha detekton disa gjëra.

“E para po shihet që propozimi është më shumë në favorin e Kosovës e më pak në favorin e Serbisë. E them këtë, sepse zoti Kurti ka deklaruar se është një propozim i mirë pasi që flet për vlera,përparime universale”, thotë Shasha për Radio Kosovën.

“Pra, flet për gjëra siç është njohja e ndërsjellë ndërmjet palëve për sa i përket sovranitetit, integritetit territorial të dy palëve”.

Sipas tij, këto janë konceptet universale që shkojnë në thelb të heshtjeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Analisti Shasha e mbështet këtë mendim edhe me argumentin shtesë duke thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, e ka cilësuar planin franko-gjerman si problematik për Serbinë derisa është kundërpërgjigjur me një dokument jo-zyrtar serb ku kanë shpjeguar pikat kyçe të mos-dakordimit.

Më tej, ai thotë se edhe qëndrimi i Bashkimit Evropian është më i përafruar me atë të Kosovës.

“Ne pamë deklaratën e z. Lajçak kur ai nënvizon se renditja ose hierarkia e negociatave është që tani palët duhet të fokusohen në propozimin franko-gjerman”, thotë ai.

“ Dhe, kjo është në përputhje me atë çfarë thotë z. Kurti. Nuk është në përputhje me atë çfarë thotë z.Vuçiq. Z.Vuçiq nuk thotë se në rend dite është propozimi franko-gjerman”, shpjegon analisti Shasha.

“ Ai thotë se në rend dite janë zbatimi i marrëveshjeve që presin zbatim që 10 vite”.

Njohësi i rrethanave politike, Dorajet Ymeri, thotë se në propozimin e përditësuar franko-gjerman mund të jenë përfshirë komentet e palëve të përfshira në dialog.

“Me gjasë liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë pasur një komunikim me Bashkimin Evropian, përkatësisht me ata të cilët e kanë draftuar një projekt të tillë dhe me gjasë këto komente kanë mundur të inkorporohen”, deklaron Ymeri për Radio Kosovën.

Ai thotë se nuk është e mundur të bëhet ndonjë analizë e mirëfilltë për këtë propozim meqë detajet nuk janë bërë publike , madje as në versionin e parë të këtij dokumenti.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-