Po konsiderohet e nevojshme që të rinjtë e Kosovës të kenë një edukim ushtarak, mirëpo aplikimi i shërbimit ushtarak të obligueshëm po del të jetë i papërballueshëm për buxhetin e Kosovës, thonë njohësit e çështjeve të sigurisë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, tha se jetësimi i shërbimit ushtarak të obligueshëm do të kushtonte rreth 300 milionë euro vetëm për një vit.
“Është e mirë që të rinjtë e Kosovës të kenë një edukim ushtarak, shembull tre mujor, mirëpo për momentin ku ndodhet ekonomia, unë mendoj që është e parealizueshme, për arsyeje që është shumë e kushtueshme për ta bërë shërbimin ushtarak të detyrueshëm, nevojitet përgatitje jashtëzakonisht e madhe”, u shpreh ai.
Ai shtoi se fillimisht Ushtria e Kosovës nuk ka infrastrukturë të mjaftueshme as për akomodim e as për trajnim.
“Ajo duhet me u ndërtua, do t’i duhet çdo komune në Kosovë ta hapë zyrën për evidentimin e të rinjve që shkojnë në shërbim ushtarak, dhe aty duhet të ndahen me gjininë se për çka është trajnuar”, u shpreh ai.
“Sipas përllogaritjeve të mija që i kam bërë, rreth 30 mijë të rinj çdo vit i mbushin 18 vjet, dhe nëse ata i thërrasim në shërbim ushtarak, për një person 10 mijë euro kushton për tre muaj, del 300 milionë, kjo për ekonominë është e parealizueshme dhe paimagjinueshme që Kosova të ndajë 300 milionë për shërbim ushtarak të detyrueshëm. Ne kemi një ushtri që ka fillua që dy vite me mision ushtarak dhe plani i veprimit që është paraparë do të duhej të zgjaste 10 vjet dhe për ato 10 vjet çdo herë duhet të rritet buxheti për blerjen e pajisjeve, armatimeve, e çdo gjë që është e nevojshme, dhe unë po e shoh që Qeveritë e kaluara, dy qeveritë e kaluara nuk kanë pasur vullnet me rritë buxhetin”, tha ai.
Po ashtu edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se kostoja buxhetore është shumë e madhe për aplikimin shërbimit ushtarak të obligueshëm.
“Kostoja buxhetore është e madhe, fillimisht duhet të harmonizohet me politikat apo strategjitë siç është strategjia e mbrojtjes, mandej me ligjet për FSK-në, edhe ligji për Ministrinë e Mbrojtjes e mandej të fillohet në aspektin të trajtimit në aspektin e implikimeve financiare, besoj që të rinjtë tanë kanë vullnet e dëshirë të përfshihen në këto trajnime por edhe pse jo në shërbim të FSK-së”, tha ai.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.