ASK: Mosha mesatare e të martuarve në vitin 2021 në Kosovë është 29 vjeç

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar këtë të premte raportin për “Gratë dhe Burrat në Kosovë”, për vitet 2020/2021.

Të dhënat statistikore që janë paraqitur në këtë publikim sipas ASK-së, janë afatgjate dhe me analiza të shkurtra, të cilat pasqyrojnë situatën gjinore në Kosovë, sipas sektorëve të jetës ekonomike dhe sociale.

“Për përgatitjen e këtij publikimi janë përdorur të gjitha burimet e të dhënave të disponueshme, që ofrojnë informacion të plotë statistikor për të ndihmuar në perceptimin e situatës gjinore”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, ASK-ja thotë se informacionet statistikore që janë paraqitur në publikimin “Gratë dhe Burrat në Kosovë 2020/2021”, paraqesin disa fakte të rëndësishme për disa indikatorë: Koeficienti i maskulinitetit ishte 107.9 për meshkuj dhe 100 për femra (më i lartë se raporti i përgjithshëm i raportit gjinor të popullsisë).

Mosha mesatare e të martuarve për vitin 2021 ishte 29 vjeç: 27 vjeç për gra dhe 30 vjeç për burra.

Po ashtu, bëhet e ditur se të dhënat e fertilitetit kanë rënë, krahasuar me vitet e mëparshme nga tre fëmijë për një grua në 2003, në dy fëmijë për një grua në vitin 2020.

Ndërsa, shkalla e punësimit te gratë ishte 14.1%, ndërsa te burrat 42.8%; dhe shkalla e papunësisë për vitin 2020 për gratë ishte 32.3% kundrejt 23.5% të burrave.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-