Azemine Domuzeti nga fshati Pllajnik i Dragashit është njëra nga pjesëmarrëset që ka përfunduar me sukses trajnimin në kuadër të projektit “Empowering Vulnerable Communities through How to Start an Agribusiness and Solar Energy Skills Development”.
Në kuadër të këtij programi, gjithsej 99 pjesëmarrës kanë përfunduar trajnimet profesionale, prej tyre 61 në fushën e agrobiznesit dhe 38 në instalimin e paneleve diellore. Programi synon që përmes zhvillimit të aftësive praktike, pjesëmarrësve t’u krijohen mundësi konkrete për punësim, sipërmarrje dhe vetëpunësim.


Pjesëmarrja e Azemine Domuzetit në këtë program përbën një hap të rëndësishëm drejt avancimit të njohurive dhe aftësive të saj në fushën e agrobiznesit, duke i dhënë mundësi të reja për zhvillimin e ideve dhe angazhimit të saj në këtë sektor.
Në kuadër të projektit, pesë pjesëmarrës kanë përfituar grante për zhvillimin e ideve të tyre në agrobiznes dhe për të ndërmarrë hapat e parë drejt vetëpunësimit.
Gjatë aktivitetit të rrjetëzimit, pjesëmarrësit patën mundësi të lidhen me punëdhënës potencialë dhe partnerë biznesi, me synimin që aftësitë e fituara gjatë trajnimit të shndërrohen në mundësi konkrete punësimi dhe zhvillimi ekonomik.
Për Azemine Domuzetin, ky trajnim është një tjetër dëshmi se investimi në dije, aftësi dhe punë hap rrugë drejt mundësive të reja, ndërsa për komunitetin e Pllajnikut dhe të Dragashit përfaqëson një shembull pozitiv të angazhimit dhe zhvillimit të kapaciteteve lokale.
Urime Azemine Domuzetit për këtë arritje dhe suksese në hapat e ardhshëm drejt zhvillimit të agrobiznesit dhe vetëpunësimit!
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

