Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur në pasditën e sotme në Prizren, ku një konflikt verbal mes një babai dhe djalit të tij ka degraduar në rrahje.
Sipas informacioneve të para, përplasja ka ndodhur brenda shtëpisë familjare, ku palët kanë shkëmbyer grushte.
Siç merr vesh Sinjali, në përpjekje për të ndalur përleshjen, ka ndërhyrë edhe vajza e familjes, e cila gjithashtu ka përfunduar e përfshirë në incident.
Policia ka ndërhyrë menjëherë, duke shoqëruar të tre anëtarët e familjes në stacion për intervistim dhe për të sqaruar rrethanat.
Lidhur me këtë, me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” dhe hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar masat e mëtejshme ligjore ndaj të përfshirëve.
Burimet për Sinjalin bëjnë të ditur se situata është nën kontroll dhe nuk raportohet për lëndime serioze.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.