Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, duke komentuar vendosjen e barrikadave në veri të vendit, i ka krahasuar atom me lojë shahu, në të cilën, sipas tij, aktualisht është duke lozur vetëm presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Musliu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë “lojën e shahut me barrikada aktualisht është duke e luajtur vetëm Vuçiqi me figura të ZEZA”.
“Lojtari tjetër (Qeveria e Kosovë) që do të duhej të luante me figurat e BARDHA, nuk e ka bërë lëvizjen ende”, ka shkruar Musliu, transmeton Telegrafi.
“Si njëfarë gjyqtari që është, Evropa, nuk po e lë Kosovën që ta tërheqë lëvizjen e radhës. Evropa, nuk po e sheh Putinin prapa Vuçiqit”, ka shkruar Musliu, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se barrikadat në veri të Kosovës do të largohen kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Fillimisht Asociacioni i komunave, pastaj ne do të largojmë barrikadat”, tha Vuçiq për gazetarët në Azerbajxhan.
Ndryshe, KFOR-i ka publikuar pamje nga stërvitjet që i ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit në veri të vendit, për të testuar aftësitë për vazhdimin e sigurimit të një mjedisi të sigurt.
Përmes një komunikate, KFOR tha se prezenca e shtuar kohët e fundit në Jarinjë doli të ishte një aktivitet jashtëzakonisht i suksesshëm, kryesisht për shkak të bashkëpunimit produktiv dhe vlerësues mes Qeverisë së Malit të Zi, Shefit të Mbrojtjes së Serbisë, institucioneve në Kosovë, EULEX-it dhe KFOR-it.
KFOR-i tha se ka shtuar praninë në pikën e kalimit kufitar në Jarinjë për arsye parandaluese, pasi që “kjo ishte e nevojshme, duke pasur parasysh praninë e mundshme të grupeve të organizuara kriminale që ishin përfshirë në demonstrata”.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia deklaroi se KFOR-i posedon aftësitë dhe mjetet e duhura për të penguar dhunën në rajon dhe për të siguruar që ekzistojnë kushte që inkurajojnë dialogun e mëtejshëm politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për të ecur përpara, nën lehtësimin e BE-së.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.