Këshilli për Çështje të Përgjithshme i BE-së ka miratuar dhënien e statusit të vendit kandidat për Bosnjë e Hercegovinën.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar se ministrat që janë përgjegjës për çështje evropiane, gjatë takimit, që ende po vazhdon, veçse kanë miratuar konkluzionet ku thuhet se Bosnjë e Hercegovinës do t’i jepet statusi i vendit kandidat me konfirmimin e Këshillit Evropian”.
Ky vendim i ministrave do të konfirmohet nga krerët e qeverive anëtare të BE-së gjatë samitit që do të mbahet të enjten, më 15 dhjetor.
“Në kontekstin aktual gjeopolitik, Këshilli i BE-së thekson urgjencën që shteti të ecë përpara në rrugën drejt BE-së, veçanërisht përmes përmbushjes të 14 prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit të BE-së, që janë identifikuar në opinionin e Komisionit Evropian për aplikimin e Bosnjë Hercegovinës për anëtarësim në BE, të miratuar në Këshill më 2019”, u tha në dokumentin e konkluzioneve, në të cilin ka pasur qasje më herët REL-i.
Në tetor, Komisioni Evropian rekomandojë dhënien e statusit kandidat dhe anëtarësimin e plotë të Bosnjës në BE, por tha se shteti duhet të përmbushë disa kritere.
Në mesin e kritereve të vendosura për Sarajevën ishin miratimi i ndryshimeve në ligjet për gjykatat dhe prokuroritë, miratimi i një ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, ndërmarrja e hapave konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe sigurimi i funksionimit të disa mekanizmave për përshtatjen e programeve kombëtare me ato të BE-së.
Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova ende nuk ka statusin e vendit kandidat. Prishtina ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të aplikojë për anëtarësim në BE.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.