Sipas tekstit të konkluzioneve, është përshëndetur përparimi që ka bërë Kosova në procesin e reformave në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe në luftën kundër korrupsionit. Në konkluzione, po ashtu, është shprehur mbështetje për liberalizimin e vizave. Kosovës i është shprehur mirënjohje edhe për mbështetjen e qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sidomos në qëndrimet rreth agresionit të Rusisë në Ukrainë, për çka Serbia është kritikuar.
Në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në nivel të ministrave të Bashkimit Evropian, të martën, është diskutuar për procesin e zgjerimit dhe për përparimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në këtë proces, si dhe në procesin e stabilizim-asocimit, në të cilin formalisht përfshihet edhe Kosova.
Sipas tekstit të konkluzioneve që kanë miratuar ministrat, është përshëndetur përparimi që ka bërë Kosova në procesin e reformave në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe në luftën kundër korrupsionit.
Është kërkuar, po ashtu, që Kosova të vazhdojë përpjekjet në luftë kundër krimit të organizuar dhe në reformat në lidhje me agjendën evropiane.
Kosovës i është shprehur, po ashtu, mirënjohje për mbështetjen e qëndrimeve të përbashkëta të Bashkimit Evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sidomos në qëndrimet rreth agresionit të Rusisë në Ukrainë, përfshirë edhe sanksionet kundër Rusisë.
Në konkluzione është shprehur edhe mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën, për çka Këshilli është shprehur i vetëdijshëm se është në interes të madh të qytetarëve, si dhe është shprehur pritja që çështja të përmbyllet sa më shpejt edhe në dialog me Parlamentin Evropian.
Nga Kosova, por edhe nga Serbia, është kërkuar që t’i shtojnë përpjekjet në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, me, siç thuhet, besim të mirë dhe frymë të kompromisit.
Është kërkuar që t’i vazhdojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve.
Nga të dyja palët është kërkuar që pa vonesa t’i respektojnë në tërësi të gjitha obligimet që kanë dalë nga dialogu në të kaluarën dhe të përmbahen nga veprimet apo deklaratat që mund të nxisin tensione.
Bashkimi Evropian, në takimin e së martës, ka shprehur zhgënjimin me Serbinë për ecjen prapa që ka bërë ky shtet në përshtatjen e qëndrimeve të saj me ato të BE-së sa u përket sanksioneve ndaj Rusisë.
Serbia është i vetmi vend i rajonit që nuk i ka mbështetur këto sanksione.
Në takim, ministrat e BE-së kanë arritur pajtim për t’ia dhënë Bosnjë-Hercegovinës statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Këtë vendim pritet që ta konfirmojnë edhe shefat e shteteve në takimet e Këshillit Evropian, më 15 dhjetor në Bruksel.
Me këto konkluzione që janë miratuar, është duke u pritur edhe nisja e negociatave të anëtarësimit mes Bashkimin Evropian e Shqipërinë dhe Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.