Komisioni Evropian i transferoi sot buxhetit të Kosovës edhe 5.25 milionë euro të tjera për ta ndihmuar në zbutjen e ndikimit të pandemisë COVID-19 dhe rritjen e shpejtë të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.
Në një komunikatë për media thuhet se transferi i sotëm sjell mbështetjen e drejtpërdrejtë të BE-së për buxhetin e Kosovës në kuadër të kontratës së qëndrueshmërisë të nënshkruar në vitin 2020, në një total prej gati 26 milionë euro.
“Përderisa më e keqja e krizës pandemike është pas nesh, Kosova dhe BE-ja janë prekur nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë. Përmes kësaj pagese të mbështetjes buxhetore ne ndihmojmë likuiditetin financiar të Kosovës për veprimet e ndërmarra për të mbështetur bizneset e vogla, bujqësinë dhe grupet e cenueshme, të përballen me vështirësitë financiare në gjendjen aktuale”, thuhet në komunikatë.
Mbështetja buxhetore është një formë e mbështetjes, ku BE-ja shpërblen qeveritë për progresin që bëjnë në zbatimin e strategjive të tyre dhe në arritjen e objektivave që i kanë vendosur vetes. Pagesa e mëparshme e BE-së në lidhje me kontratën e qëndrueshmërisë ishte 20.5 milionë euro, e disbursuar në dhjetor 2020.
BE inkurajon Qeverinë e Kosovës që të adresojë dobësitë në sistemin e asistencës sociale për të targetuar më mirë familjet e varfra, disa prej të cilave aktualisht nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga ky sistem. Meqenëse të ardhurat e disponueshme zvogëlohen veçanërisht për grupet e cenueshme, alokimet buxhetore për sistemin e asistencës sociale duhet të jenë të orientuara mirë dhe në mënyrë transparente.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.