Belica: Me Llapin ndeshje e fortë dhe e luftuar shumë për fitore

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Sport

Skuadra e Prishtinës ndeshjen e radhës në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll e zhvillon të shtunën (22 tetor) ndaj FC Llapit.

Sfida në fjalë i takon xhiros së 13 të elitës së futbollit kosovar dhe luhet të shtunën me fillim nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Prishtina në ndeshjen e parë të këtij kampionati e ka mundur Llapin në udhëtim me shifrat 2:1 në takimin e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Ekipi “bardhekaltër” i drejtuar nga Ismet Munishi në dy ndeshjet e fundit ka arritur fitore ndaj Ferizajt dhe Dritës teksa pikët e plota synohen edhe ndaj llapjanëve sipas mbrojtësit Egzon Belica, i cili para ndeshjes foli për faqen zyrtare të klubit.

Vlerësimi për ndeshje –  Ndeshjen kundër Llapit e vlerësojmë maksimalisht. Do të jetë një përballje e fortë dhe pritet mjaft e luftuar nga të dyja palët. Kjo do të jetë një mundësi e mirë për neve që t’i bashkangjitemi dy ekipeve të para në tabelë. Llapi e ka një skuadër shumë cilësore, por ne i dimë kualitetet tona dhe do të mundohemi që t’i arrijmë pikët maksimale.

Rritet besimi te skuadra – Prishtina edhe në ato ndeshje që nuk ka arritur fitore ka treguar lojë të cilësore, por që ka munguar efikasiteti. Me dy fitoret e fundit është rritur besimi. Siç ka ndodhur edhe në ndeshjet e tjera, edhe në këtë takim do të futemi për pikët maksimale pasi që edhe luajmë në terrenin vendas. Atmosfera në ekip është shumë e mirë sepse edhe fitoret na kanë çliruar së fundmi. Gjithsesi, duhet të jemi me këmbë në tokë sepse kampionati shumë i luftuar dhe duhet t’u qasemi ndeshjeve me shumë seriozitet.

Thirrja për Plisat – Shpresoj se do të jenë në numë sa më të madh sepse edhe tifozët e dinë se sa të rëndësishëm janë për neve. Tifozët janë një “arrë shumë e fortë” e jona, një motivim ekstra. Shpresoj se me lojë dhe me rezultat të mirë t’i shpërblejmë për përkrahjen që po na japin në çdo ndeshje.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-