Besimtarët përparimtarë

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve. Atë e lavdërojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me meritë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

Xhemat i nderuar!

Allahu i Lartësuar thotë në Librin e Tij Fisnik:

“… Për atë nga mesi juaj që dëshiron të përparojë (në të mira) apo të ngecë.”
(El-Muddethir, 37)

Ky ajet i shkurtër kur’anor na sjell një mesazh të qartë: njeriu nuk është kurrë i palëvizshëm në rrugën e fesë: Ose do të ecë përpara në besim, bindje dhe vepra të mira – ose do të mbetet prapa, duke rënë në neglizhencë, harresë dhe mëkate.

Nuk ka “status quo” ose vendnumëro në rrugën drejt Allahut.

Ndaj, vëlla dhe motër muslimane, le ta shikojmë veten në pasqyrën e këtij ajeti: A jemi prej atyre që ecin përpara, që përparojnë në adhurim, që përmirësojnë namazin, moralin, sjelljen, kërkojnë dituri dhe bëjnë vepra të mira?

Apo jemi kthyer disa hapa pas, kemi lënë namazin, kemi neglizhuar familjen, jemi larguar nga xhamia, dhe mëkatin e shohim me indiferencë?

Dije se qëndrimi në vendnumëro nuk ekziston: ose ka përparim ose ka kthim prapa. Stagnim në besim nuk ekziston.

Për ata që përparojnë, Allahu ka përgëzim:

“Është e vërtetë se ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e drejta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.” (El-Isra, 9).

Ky është udhëzimi i Zotit tonë. Udhëzim që i çon njerëzit të përparojnë drejt lumturisë në këtë botë dhe të shpëtimit në botën tjetër.

Por, çfarë ndodh me ata që ia kthejnë shpinën këtij udhëzimi?

Allahu paralajmëron në mënyrë të prerë:

“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër.” (Ta-Ha, 124).

Pra, ai që nuk përparon në fe, që nuk ecën drejt Allahut – ai në të vërtetë po rrëshqet drejt një jete të vështirë dhe një përfundimi të errët.

Andaj, para se të vijë koha kur pendimi nuk bën dobi, le të pendohemi dhe të kthehemi sinqerisht tek Allahu. Le të jemi prej atyre që ecin përpara – drejt Xhenetit, jo atyre që ngelin pas në rrugën e gabuar.

Allahu na bëftë prej atyre që çdo ditë përparojnë në besim dhe vepra të mira! Amin.

(Hutbe e mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St.Gallen, më 16.05.2025, e premte)

Hfz. Mehas Alija

(Islampress)

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-
Merr lajmet me njoftim OK Jo faleminderit