Bukuria estetike dhe origjinale e poezisë së mirëfilltë, vështrim mbi krijimtarinë poetike të poetit Avni Azizi

Opoja.net Opoja.net Uncategorized

Ne vijmë në këtë botë në mënyrë që të përsosim pavdekshmërinë e shpirtit tonë. Për fat të keq, jo të gjithë kanë sukses në këtë, madje disa as që mendojnë fare për të – e mjerisht ata që nuk mendojnë, jetojnë si në një ëndërr dhe vdesin pa u zgjuar. Por, ka njerëz të tjerë – që duan ta kultivojnë veten dhe duan ti ndajnë thesaret e shpirtit të tyre me të tjerët. Ndër ta është edhe krijuesi dhe poeti Avni Azizi.

Nëse e shohim procesin e krijimtarisë, natyrisht, edhe poetët ndahen në “poet me thelb” dhe “poet me formë” këta të fundit mund të thuhet se edhe ashtu janë të bollshëm… Është e kuptueshme, se nuk është thelbi poetik i cili mund t’i vishet një forme poetike, por esenca poetike është shumë më e komplikuar sesa vetë forma poetike, është fjalimi i organizuar ritmikisht, është vetë poezia e vërtetë… Sot askush nuk ka nevojë të shpjegoj se çfarë është një formë poetike… Por, thelbi poetik i bazuar në përmasat e vargut, ritmit, muzikalitetit, kuptimit të thellë, krijojnë atmosferën e një libri ku rrënjët poetike janë si ndjenja e rrjedhës së gjakut shpirtëror nga njohuritë shqisore…

Avni Azizi është një poet i lindur, këtë mund ta kuptoj çdokush që në momentet e para të leximit të poezisë së tij. Intuita poetike dhe instinkti artistik janë kufijtë që nuk shtrihen jashtë brigjeve të fjalës së tij. Metaforat, imazhet dhe krahasimet janë komplekse shumëdimensionale, të theksuara shprehimisht. Ato janë gjithmonë sikur një lutje, magji, meditim dhe ekstazë – janë fjalët kryesore dridhja e poezisë së poetit. Jeta dhe zemra e hapur, janë në kufirin e forcave shpirtërore – ky është besimi i botës së tij.

Për ta përmirësuar shpirtin njerëzor, gjithçka ka rëndësi, ashtu siç ka rëndësi; njerëzit që takon, aftësia për të perceptuar bukurinë e botës përreth, librat që lexon, muzikën që dëgjon, fotografitë, filmat…Kështu tempulli i shpirtit ndërtohet gradualisht dhe nga tullat e kristalta të njohurve dhe përvojës, asaj që është parë, asaj që është përjetuar dhe lexuar, shkëlqen personaliteti i një njeriu i cili mendon, ndjen, reflekton dhe ai zgjerohet vazhdimisht si universi… Avni Azizi është një poet mendor, kërkimtar i cili nuk e krijon poezinë sipas trendëve të modës, por ajo është një amëz e përvojës së tij dhe e lidhur me të kuptuarit filozofik të botës, dhe zbulimit në pasqyrimin e saj, e cila në kohën tonë është shumë e rëndësishme dhe kërkesë e domosdoshme. Natyra e tij është e zjarrtë, por, jo e ajrosur apo e holluar me ujë edhe pse uji është vet shenja e saj…

Nga ajo që mund të lexojmë nga krijimtaria e Avni Azizit në psikologjinë e perceptimeve të tija poetike, ai shpreh mendime të veçanta dhe të frytshme. Psikologjia e problemeve si një alkimi e kërkimit të zgjidhjes shkon nga metoda e reflektimit dhe e të menduarit individual në përplasje të jetës së ndërmjetësuar, është një reflektim i alkimisë së ndërgjegjes njerëzore. Poetika e Azizit sikur jep kondensimin e integritetit të fragmentimit njerëzor të kuptimit të thelbit të shpirtit nëpërmjet fjalës, duke ngritur dhe vendosur rëndësinë e gjuhës, artit të mirëfilltë dhe prurje të reja gjuhësore në Olimpin e unitet kulturor.

Poezitë e tij janë për njerëzit me mendime të lira, për gjithë ata që mendojnë dhe çmojnë lirinë e shpirtit, është kuptimi dhe përshkrimi i përvojës së autorit dhe lirinë krijuese të njeriut plotë dashuri për lartësitë njerëzore. Është besimi në të padukshmen që rrezaton nga thellësitë e së dukshmes… Krijimet dhe poezia e tij janë prova e rrugës shpirtërore të një shkrimtari mes konkluzioneve dhe referencave ndaj teksteve dhe dëshmisë së fakteve dhe përvojës në zemër të ngjarjeve dhe ndjenjave, asaj që zbulohet në thellësitë e zemrës si zbulesë… Krijimtaria dhe sidomos poezia e tij nuk do ta lënë askënd indiferent. Autori rrëfen për njeriun, fati i të cilit është ndërthurur me fatin e atdheut. Njerëzit që krijuan dhe duhet të krijojnë gjërat më të bukura të tij, për ata që e mbrojtën atdheun e tyre dhe mbollën përjetësinë duke u bërë shija e lirisë së tij…

Poeti Avni Azizi i krijon idetë si shprehje të mendimeve nëpër imazhe. Vargu i tij është i freskët, i kuptueshëm dhe i saktë si një ekuacion matematike. Ai shkruan për ndjenjën shpirtërore, trishtimin dhe gëzimin, takimet e papritura dhe ndarjet, dramat, ëndrrat, vdekjen, mallin e dhembjen dhe të gjitha këto tingëllojnë nëpër vargje si një spërkatje, një frymë shpëtuese që sikur mbytet në hapësirat ajrore të shpirtit të tij… Në universin e tij artistik sikur kemi një zhvendosje dhe një ndryshim dinamik të fotografive dhe gjendjeve… Sikur kemi muzikën, pikturën dhe vallet e kombinuara me traditat tona të pasura kulturore, përvojën e poezisë së mirëfilltë shqipe të cilat i bashkon aq bukur në imazhin e fjalës poetike. Dhe sigurisht të gjitha këto i shënjon tek një fushë e gjerë…e pakufishme, e pafundme në thellësinë e leximit në librin poetik të titulluar si “Fusha e heshtjes”

Në standardet e poezisë së sotme shqipe, fjala e poetit Azizi flet me një zë të mprehtë e të sinqertë, flet me një humanizëm e dritësim i cili sikur shmanget nga klishetë e krijuara. Poezia e tij nuk falë neglizhencën, pasivitetin. Ato janë shkruar me çiltërsinë më të madhe dhe me lot në sy, me një pikëllim të pashmangshëm për gjitha gjërat jo të shëndosha të shoqërisë, njeriut në përgjithësi… Ai shkruan sikur të ishte ulur mes një beteje dhe drita e mëngjesit ia zbulon brendësinë e mrekullueshme. Poezia është zhanri më misterioz në letërsi. Dhe ka poezi të vështira që kërkojnë punë, mendje e shpirt. Ato kanë një filozofi dhe prozë të jetës dhe këto janë vargjet e krijuara nga poeti Avni Azizi. Ai është një poet i thelluar në letërsinë shqipe. Jeta e tij sikur përhapë një rrugë të re, kjo rrugë është njohuria e pafundme, është risia, prova e vetës, lufta, fitorja dhe diçka tjetër e cila e cila ndoshta ende nuk ka dalë me një emër…

Në poezinë e tij, ëmbëlsia dhe dashuria janë të dukshme. Jetëshkrimi i tij mund të gjurmohet përmes hartës së atdheut dhe kur një jetëshkrim bashkohet me gjeografinë, krijohet një bashkim i mrekullueshëm i fatit njerëzor. Veprimtaria krijuese bashkë me vargjet poetike të poetit tingëllojnë në jetën e një poezie të madhe. Ai kombinon motivet e besimit dhe butësisë me metafora të bukura, alegori, diçka si shëmbëlltyra të cilët e tërheqin lexuesin dhe e mbajnë pezull deri në fund. Poezia e Avni Azizit është goditur nga bukuria estetike dhe origjinale ashtu siç është edhe thellësia e fjalës dhe gjuhës së tij… Çdo njeri lind në kohën e duhur dhe emërohet si i tillë në këtë botë. Është tjetër gjë se a jemi të gjithë të vetëdijshëm për shkak të strukturës shoqërore. Por, lindjet e tilla formohen nga njerëz që i kushtohen shoqërisë, njerëz pa të cilët secila shoqëri do të ishte e zhytur në rutinë, por krijuesit e veçantë janë ata që transformojnë urrejtjen dhe ndarjet në dashuri dhe tjetërsimin në unitet të shpirtrave njerëzor.

Megjithatë, fillimisht arti mund të ekzistoj vetëm për artin dhe pastaj do kemi një art të vërtet që do na shërbej të gjithëve… Rruga e artit, sidomos rruga e poezisë, është një rrugë e mprehtë… Nuk është e lehtë ta bartësh flamurin e thirrjes dhe qëllimit që bartë poezia dhe krijimtaria në përgjithësi… Është e vështirë të thuhet në disa rreshta për poezinë e poetit Avni Azizi. Logjika e marrëdhënieve njerëzore, marrëdhënieve krijuese, ndjenjat, lidhja me tokën dhe natyrën, pamja origjinale dhe e butë, nganjëherë filozofike deri në kufijtë e mbrojtur, kjo mund të thuhet se shoqëron jashtëzakonisht gjithë punën e shkrimtarit të dëshmuar dhe të sigurt. Në fund asgjë të pazakonshme nuk do thosha po që se them se poeti Avni Azizi është një zë i befasisë së këndshme në poezinë e sotme shqipe, një poet i talentuar i një rruge të pastër e të ndritshme drejtë lartësive të krijimit të poezisë dhe letërsisë sonë në përgjithësi./Alb’swiss TV/Arian Duriqi

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-