Allahu i Lartësuar ka shpallur: “Ndalini ata, se do të pyeten!” (Es-Saffat, 24)
Ky është urdhri i Allahut të Lartësuar drejtuar melekëve në Ditën e Gjykimit, në atë moment të vështirë dhe në atë fatkeqësi të madhe, në ditën kur Allahu do t’i tubojë gjeneratat e para dhe të fundit në një vend. Zemrat e tyre do të jenë të shqetësuara dhe shikimet e tyre të ngulitura. Të gjithë do të presin të dëgjojnë se çfarë do t’u thuhet, për çfarë do të pyeten, çfarë do të përgjigjen dhe çfarë justifikimesh e arsyetimesh do të kenë, të cilat mund t’i shpëtojnë dhe t’i mbrojnë nga dënimi i dhimbshëm.
“Ndalini ata, se do të pyeten!” Për çfarë? Për amanetet e tyre, për fëmijët e tyre, për të afërmit e tyre dhe për shkëputjen e lidhjeve farefisnore, për pasuritë e tyre, për fenë e tyre, për mëkatet e tyre, për veprat e tyre të fshehta dhe të dukshme, për fjalët dhe veprat e tyre, për tregtinë e tyre me fenë, për hipokrizinë e tyre, për mendjemadhësinë dhe tiraninë e tyre, për dhunën dhe korrupsionin e tyre, për tradhtinë e tyre ndaj fesë, nndaj popullit dhe ndaj shtetit të tyre, për padrejtësinë e tyre ndaj punëtorëve dhe vartësve, për mbjelljen e trazirave, për degjenerimin e tyre në vendet e tyre, për amanetin e pushtetit të marrë dhe mospërmbushjen e këtij amaneti, i cili në Ditën e Gjykimit do të jetë poshtërim dhe pendim për ta.
Ndikimi i harresës së përgjegjësisë
Marrëdhënia e pakujdesshme ndaj asaj që e pret njeriun pas vdekjes dhe harresa e momentit të dhënies së llogarisë, si dhe fakti që njeriu do të qëndrojë para Allahut dhe do të pyetet, i pengon aftësitë e tij dhe e largon atë nga qëllimi i tij i vërtetë në jetë.
Njeriu i cili nuk është i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij, nuk e kupton se në Ditën e Gjykimit do të pyetet për çdo imtësi, për mëkatin e vogël dhe të madh, jeton pa udhëzime të sakta dhe pa qëllim të lartë, dhe ai energjinë e tij e shpenzon për gjëra të pakuptimta dhe për kënaqësi kalimtare të kësaj bote.
Udhëzimet e Pejgamberit Muhamed (paqja qoftë mbi të)
I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të), ka vendosur udhëzime të qarta në lidhje me përgjegjësinë personale, duke thënë: “Nuk do të lëvizë këmba e njeriut në Ditën e Gjykimit derisa të pyetet për katër gjëra: (1) për jetën e tij se si e shpenzoi, (2) për rininë e tij se si e kaloi, (3) për pasurinë e tij se si e fitoi dhe ku e shpenzoi, dhe (4) për diturinë e tij se çfarë bëri me të.” (Tirmidhiu)
Këto katër etapa dhe fusha jetësore simbolizojnë përgjegjësinë e çdo njeriu të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm, dhe i drejtojnë aftësitë e tij drejt veprave të mira dhe arritjeve të lavdërueshme.
Njeriu vërtet i përgjegjshëm është ai që kupton se çdo moment i jetës së tij, çdo monedhë e pasurisë së tij dhe çdo pjesë e dijes së tij, është amanet për të cilin do të pyetet.
Vetëdija për llogaridhënien
Prandaj, duhet ta kemi gjithmonë parasysh momentin e qëndrimit tonë para Allahut në Ditën e Llogarisë. Ky moment është marrë shumë seriozisht nga të parët tanë të mirë, qofshin ata dijetarë apo sundimtarë.
Tregohet se një hebre iu afrua halifit të lavdishëm abasid, Harun er-Reshidit, dhe i tha: “Frikësohu Allahut!” Kur Harun er-Reshidi e dëgjoi këtë, ra përmbys në tokë. Njerëzit nga suita e tij e pyetën: “O prijësi i besimtarëve, çfarë ke? Pse ke ra përmbys në tokë? Ai është vetëm një hebre!” Harun er-Reshidi u përgjigj: “Ai më tha: ‘Frikësohu Allahut!’, dhe kjo m’i kujtoi fjalët e Allahut të Lartësuar: “Kur atij i thuhet: “Kije frikë Allahun!”, ai mburret dhe bën më shumë të këqija. Atij i mjafton Xhehenemi. Eh, sa vendbanim i keq është ai vend!” (El-Bekare, 206)… kështu që u frikësova, nëse nuk do të bija në tokë dhe nuk do të bëja sexhde para Allahut, do të isha renditur ndër kokëfortët mendjemëdhenj që do të banojnë në Xhehennem.”
O Allahu i Mëshirshëm, forcoji zemrat tona në fenë Tënde, na lehtëso të bëjmë vepra të mira, të cilat do të pranohen dhe me të cilat do të të takojmë në Ditën e Gjykimit! Amin!
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

