Opoja.net

Çfarë jemi në mediat sociale?

Çfarë jemi në mediat sociale?

Në fakt, marrëdhënia e njeriut me mediat sociale ka të bëjë me atë se “çfarë është ai” në atë fushë. Njësoj si rëndësia që ka fakti se “çfarë jemi” në fusha të ndryshme të jetës. Për shembull, çfarë jeni si “baba”, si “nënë”, si “fëmijë”, si “biznesmen”, si “kryetar shteti”, si “shkrimtar”, si “shofer” etj. Ndërkohë që jetoni në këto role, është e mundur të luani edhe rolin e një përbindëshi ose të shejtanit, edhe rolin e një njeriu që kënaq Zotin e tij. Brendësinë e roleve e mbush njeriu dhe ai bëhet ose i mirë, ose i keq. Ose duke iu përshtatur kritereve të Islamit, ose duke dalë jashtë fushave të Islamit… Për këtë arsye, gjatë analizimit të temës së rrjeteve sociale, pyetja që duhet të bëhet, është: “Cilin rol kemi ne mediat sociale?”.

Para se të trajtojmë përgjigjen e kësaj pyetjeje, kemi nevojë për një shikim të përgjithshëm:

Media është një temë që përbën gjithmonë aktualitetin e debateve, “çfarë është ajo”, në kuptimin, e mirë apo e keqe. Kjo, sepse media e ka bartur informacionin në dimensionin e masave dhe është bërë instrumenti me të cilin edhe e mira, edhe e keqja bëhen shumë lehtë të famshme. Sa e zhvilluar të jetë shpejtësia dhe përhapja e instrumenteve të medias, po aq shtohet edhe ndikimi i së mirës ose së keqes dhe po aq është bërë edhe temë e debateve.

Fakti që ajo ka hyrë me cilësi negative në aktualitetin njerëzor, ka lidhje me daljen në pah të pasojave negative që rrjedhin nga mediat, të cilat e shqetësojnë njerëzimin. Kjo, sepse, nëse njerëzimi nuk i ka humbur të gjitha ndjenjat që i ka falur Allahu, është i prirë të përjetojë një lloj gjendjeje alarmi kur sheh të këqijat në mënyrë kaq të hapur.

Si rezultat i zhvillimit dhe përhapjes së medias sociale dhe teknologjisë së komunikimit, të gjithë, që prej më të voglit, e deri tek më i rrituri, janë bërë prodhues dhe konsumues të medias. Padyshim se zhvillimi i teknologjisë së komunikimit, nuk është një fenomen që mund të lindë i vetëm probleme për njerëzimin. Përkundrazi, komunikimi është diçka që ka ekzistuar bashkë me njeriun dhe është i pashmangshëm për shoqëritë. Për rrjedhojë, çdo zhvillim që do ta lehtësonte atë, do të ishte i mirëpritur.

Profetët janë njerëz “që sjellin lajme” dhe, për t’ua komunikuar njerëzve lajmet që kanë sjellë prej Krijuesit, kanë përdorur mjete komunikimi. Për këtë arsye, mund të thuhet se media ekziston së bashku me njeriun. Prandaj, nuk mund të bëhet fjalë as për një qëndrim njerëzor kundër medias në mënyrë kategorike. Gjithashtu, edhe refuzimi kategorik i një myslimani ndaj medias është i papranueshëm.

Mirëpo, për shkak të dimensionit ndikues që kanë ndaj shoqërisë, veprimtaritë e mediave të cilat janë “shpërndarja e lajmeve-informacionit”, gjithmonë bartin me vete disa probleme. Për shembull:

– Gjuha fyese;

– Informacioni i rremë;

– Shpifja;

– Hetimi dhe publikimi i privatësisë së dikujt;

– Spiunimi;

– Bartja e fjalëve;

– Shpërndarja e ideve që prishin mendimin e njerëzve.

Të gjitha këto, janë disa prej fushave në të cilat Islami ka vendosur rregulla.

Surja Kalem, fillon me shprehjen: “Nun. Betohem në lapsin dhe ato që shkruan ai…” Në këtë betim, bëhet paralajmërimi se lapsi dhe ato që shkruan ai, një ditë do të dëshmojnë për njeriun. Njësoj si në ditën kur gjuhët do të heshtin dhe duart, këmbët, lëkurët dhe organet e tjera do të dëshmojnë.

Një mysliman mund ta përdorë median si mjet për t’i bartur mesazhet e Islamit në horizonte universale dhe në zemrat që ndodhen në cepat më të largët të botës. Kjo i ngjan mesazhit “Prano Islamin dhe shpëto!” që i Dërguari i Allahu (a.s.), ua dërgoi mbretërve të Bizantit, të Egjiptit, Iranit, etj. Në të njëjtën mënyrë mund të veprohet fjala vjen edhe për të dërguar një mesazh me postë elektronike presidentit të Amerikës, të Rusisë, etj. Ky pra është përdorim i mediave sociale.

Gjithashtu, duke përfituar prej zhvillimit të mjeteve të komunikimit, mësimet e universitetit mund t’i ndiqni prej shtëpisë, ose mund të jepni mësim në një universitet që ndodhet qindra kilometra larg. Ndarja e informacionit pozitiv, qoftë si marrës, qoftë dhënës, është një mundësi që mediat e sotme ia ofrojnë njeriut.

Në përgjigjen e pyetjes se në cilin nivel duhet të jetë marrëdhënia e myslimanit me median, shkurtimisht mund të thuhet se ai është përgjegjës nëse nuk e përdor këtë mundësi për të përçuar mesazhin hyjnor në pjesën tjetër të botës. Me këtë desha të them se, nëse kemi mundësi, duhet ta përçojmë deri në zemrat e eskimezëve në Polin e Veriut edhe ezanin, të cilin Bilal Habeshiu e këndonte prej tarracës së Mesxhidit Nebeui dhe që mund të dëgjohej jo më shumë se 300-500 m larg.

Mirë, po ku është gropa e gjynahut në këtë çështje? Cili është shkaku që kur themi media sociale, pothuajse në të gjitha shoqëritë ajo shfaqet në rend të ditës si një problem?

Një lajm: Bashkimi Evropian, po përgatitet të ndalojë brenda disa kritereve përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeçare.

Pse?

Një gjë është e vërtetë! Zhvillimet në teknologjinë e komunikacionit, u kanë ofruar të gjithë njerëzve një kamera, një mikrofon dhe një mjet dëgjimi dhe shikimi. Nëse kemi një smartfon, do të thotë se kemi arritur mundësinë të bëhemi edhe kameraman, edhe fotograf, e madje edhe pronar mediash. Këtë mund ta bëjnë të gjithë, nga më i vogli deri tek më i madhi.

Këtej e tutje, çdo gjë është në dorë të botës së vlerave të njeriut që i përdor këto mjete. Njeriu brenda të cilit shëtit shejtani, i përdor këto mundësi për synime djallëzore. Ndërsa njeriu brenda të cilit gjenden ndjenja të larta hyjnore, i përdor këto për synime sublime.

Ç’të themi?

Në përdorimin e këtyre mundësive duhet të mos ia shesim zemrën tonë shejtanit dhe duhet ta kemi gjithmonë të gjallë në mendjen tonë paralajmërimin e Allahut, i Cili thotë: “Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf, 17-18)

Shprehjen “çdo fjalë”, që përdoret në këtë ajet, është e mundur ta zgjerojmë më tepër dhe ta fillojmë duke thënë “për çdo pamje që sheh, për çdo pamje që dërgon, për çdo fjali që shkruan e poston…” dhe ta vazhdojmë duke thënë, “ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)”.

Fakti që ne mund ta kamuflojmë veten tonë në hapësirën e mediave sociale duke përdorur emra dhe pseudonime të ndryshme, i përgatit shejtanin një terren të gjerë për të vepruar. Ky terren, është vendi të cilin shejtani e zbukuron më së shumti dhe në të cilin ka sukses në tërheqjen e njerëzve.

Si i bëhet?

Për shembull, ndonjëherë, bashkë me identitetin real, e ndonjëherë me identitet që pandehet i panjohur, bëhet publike privatësia personale. Bëhet publike privatësia e të tjerëve pa lejen e tyre. Për shembull, shpërndarja e një fotografie ku ndodhen edhe persona të tjerë, pa marrë lejen e tyre, bëhet shkak i shkeljes së të drejtës së tyre. E nëse kjo pamje ka diçka që dikush tjetër nuk ka dëshirë që të publikohet, gjynahu i këtij veprimi është edhe më i madh.

Shpërndarja në mediat sociale i ndonjë mesazhi që shkel të drejtat e cilitdo person, do të thotë të bëhesh bashkëpunëtor i të njëjtit gjynah. Ndonjëherë, kjo cenon të drejtat e një mase të madhe njerëzish, gjynahu i të cilit shumëfishohet edhe më tepër.

Përdorimi i mediave sociale për të krijuar lidhje të ndaluara në aspektin fetar me gjininë tjetër, është një shkelje tjetër e kufijve, prej të cilave mund të lindin edhe drama të mëdha familjare. Në të njëjtën mënyrë, përdorimi i hapësirës së mediave sociale për arritjen e përmbajtjeve seksuale të ndaluara, është një kurth i vërtet i shejtanit.

Është shumë e rëndësishme që shpërndarjet që bëhen me anë të mediave sociale, të jenë brenda normave të lejuara nga Islami. Çdo shpërndarje e palejuar në hapësirat e mediave sociale, është një kurth i shejtanit njësoj si në jetën reale, gjynahu i së cilës mund edhe të shumëfishohet në hapësirat e mediave sociale. Këtu përfshihen edhe gënjeshtrat, përgojimi, bartja e fjalëve, e të ngjashme me këto.

Njeriu ka bërë disa rregullime ligjore në lidhje me fushën e përgjithshme të medias dhe për shkeljet ligjore ka vendosur disa sanksione. Madje, për shkak të përhapjes së tyre, krimet e kryera në këtë fushë dënohen me ndëshkime të shumëfishta.

Mundësia për të fshehur veten dhe për të mbetur i padënuar në fushën e mediave sociale, i hap rrugën shejtanit të bëhet më aktiv. Për këtë arsye, njerëzimi ka filluar të zbatojë kufizime dhe dënime në lidhje me temën në fjalë. Dhe kjo është e pashmangshme. Mirëpo, para së gjithash është e domosdoshme që në ndërgjegjen e njeriut të zgjohet vetëdija, “Allahu është në çdo moment me ty”, “për Allahun nuk ka asnjë vepër të fshehtë”, “edhe pse njeriu nuk e sheh Zotin e tij, Ai e sheh njeriun” dhe se, “kur Krijuesi të thotë «fol», çdo gjë do të zbulojë veprimtarinë për të cilën ajo është përdorur”.

Shkurtimisht, në jetë nuk ka asnjë fushë pa Islam. Madje edhe në shenjat që bëhen me sy e me vetulla. Lum ai që nuk bëhet pre e kurtheve të shejtanit, duke rënë në humnerën e gjynaheve!

PRITJA E MUAJIT TË RAMAZANIT

Merlinda Guraj

PËRGËZIMI ME ARDHJEN E MUAJIT RAMAZAN

Merlinda Guraj

Naim Tërnava tregon se a e prish agjërimin vaksina anti-Covid

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net