Ç’thotë Kur’ani për njeriun?

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Termi insan (njeri) në Kur’anin fisnik përmendet 65 herë. Vërehet se në ajetet në të cilët përmendet ky term shfaqen një sërë karakteristikash të njeriut, të cilat paraqesin natyrën thelbësore dhe qenien e brendshme të tij.

Kur’ani Fisnik thekson rëndësinë e fesë dhe të ndjekjes së drejtimit të cilin e trasoi i Dërguari i fundit, Muhammedi, s.a.v.s., për faktin se kjo është rruga e drejtë që çon në vetëdijesimin e vërtetë të njeriut.

Njeriu është qenie e dobët

Vendi i parë në Kur’an, në të cilin përmendet termi insan, gjendet në suren En-Nisa’, ajeti 28., ku thuhet: “All-llahu dëshiron t’ju lehtësoj (dispozitat), e megjithatë njeriu është i paaftë (për t’u përballuar epsheve).”

Është interesante se në këtë përmendje të parë të njeriut në tekstin kur’anor shfaqet karakteristika thelbësore e njeriut: njeriu është qenie e pafuqishme dhe e dobët (ve hulika-l-insanu da’ifa). Nyja shquese në termin (el-)insan tregon se kjo ndërlidhet me secilin njeri. Pra, nuk është i dobët dhe i pafuqishëm vetëm se ai është i sëmurë apo i moshuar, porse kjo është cilësi e çdo njeriu. Përse, atëherë, është kështu?

Që të kemi një përgjigje të drejtë në pyetjen e parashtruar, është e udhës që, shkurtimisht, të vështrojmë në përbërjen konstitucionale të trupit njerëzor. Nga aspekti medicinal, trupi i njeriut përbëhet prej njëmbëdhjetë, gjegjësisht dymbëdhjetë sistemeve të ndryshme, nëse do ta numëronim edhe sistemin e imunitetit. Ato janë: sistemi nervor, eshtëror, muskulor, kardiovaskular, sistemi i lëkurës, limfocitet, endokrini (endokrinologjia – shkenca mbi gjëndrat), sistemi i urinës, sistemi digjestiv (i tretjes), reproduktiv dhe sistemi respiratorik. Që trupi i njeriut të funksionojë, është i nevojshëm çdo njëri nga këta sisteme, përpos atij reproduktiv.

Sistemi reproduktiv është i patjetërsueshëm për rruajtjen e llojit, por jo edhe për ekzistimin e individit. Megjithatë, trupi i njeriut nuk mund të ekzistojë pa sistemet e tjera. Pra, në qoftë se do të kishte ndonjë çrregullim në ndonjërin nga këta sisteme të ndërlikuara, atëherë do të shkaktohej dhimbja në organizmin e njeriut, kurse pushimi i plotë i ndonjërit nga sistemet, pashmangshëm çon në ndërprerjen e jetës njerëzore në këtë botë.

Allahu i Lartësuar, i cili ka krijuar njeriun, më së miri e njeh natyrën dhe qenien e tij. Kur’ani fisnik është udhëzim për njeriun, udhëzim që Krijuesi e shpalli për të. Në Kur’an thuhet: “All-llahu dëshiron t’ju lehtësoj…” Pra, qëllimi i shpalljes së Zotit është që njeriut t’ia lehtësojë rrugën e vështirë të dynjasë.

Dijetari i shquar islam, Ibn Kajjim El-Xhevziu, në njërën nga veprat e tij shënon transmetimin në të cilin thuhet se Allahu, xh.sh., për gjatë historisë, njerëzimit i ka dërguar njëqind e katër Libra Qiellor. Pastaj të gjitha këta i ka rezimuar në tre Libra (shpallje) të mëdha, siç janë: Teurati, Zeburi dhe Inxhili, në mënyrë që më pas këta t’i përmbledh në një, e ai është Kur’ani. Më tutje, theksohet në transmetim, se Kur’ani, respektivisht kuptimi i tij, është përmbledhur në një sure të vetme e cila quhet Fatiha, ndërsa kjo sure është përmbledhur në një ajet. Ky ajet është “Ij-jake na’budu ve ij-jake neste’in – Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ty kërkojmë ndihmë!”

Pra, mesazhi esencial i të gjitha njohurive Qiellore është përfshirë në këtë ajet, i cili, pa kurrfarë dyshimi, sugjeron që njeriu është një qenie e dobët, gjegjësisht krijesë së cilës i nevojitet ndihmë.

Edhe pse me kërkimin e ndihmës, për çka flet ky ajet kur’anor, sipas mendimeve të komentuesve të mëdhenj të Kur’anit, siç është Ibn Kethiri dhe të tjerë., në radhë të parë mendohet në të kërkuarit e ndihmës që të adhurohet vetëm Allahu i Madhërishëm, përsëri nga ajeti nënkuptohet që njeriu është një qenie e dobët së cilës i nevojitët ndihmë edhe në çdo pikëpamje tjetër. Allahu i Lartësuar shpalli Kur’anin dhe për të ka garantuar se nuk do të pësojë kurrfarë ndryshimi apo modifikimi. Dispozitat dhe urdhëresat Kur’anore kanë për qëllim që njeriun ta forcojnë dhe ta ngritin mbi atë që ai të mos bëhet rob i materies, epshit, idhullit apo i ndonjë gjëje tjetër, ose që jeta e tij të mos jetë e zhveshur nga kuptimet dhe dimensionet shpirtërore.

Është interesant fakti që në vendin e parë në Kur’an, aty ku përmendet njeriu, pikërisht aty është vënë në dukje karakteristika e tij se ai është një krijesë e dobët dhe pafuqishme. Kjo mund të ndërlidhet me përmendjen e fundit të njeriut në Kur’an, respektivisht në suren El-‘Asr (Pasha kohën), ku thuhet: “Pasha kohën! / Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt / Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” Pra, njeriu, kjo krijesë e dobët dhe e pafuqishme, nuk do të jetë në humbje përderisa i përmbahet Rrugës së Kur’anit, që nënkupton besimin e fuqishëm, kryerjen e veprave të mira dhe durueshmërinë, gjëra të rëndësishme këto për të qëndruar i paluhatur në këtë Rrugë.

Në ajetet ku përmendet njeriu vërehen edhe karakteristika të tjera të kësaj krijese të mrekullueshme, të cilat mund t’i shohim me sa vijon:

1. Njeriu në fatkeqësi kërkon ndihmën e Zotit, ndërsa në mirësi bëhet harrestar. Kjo theksohet në shumë tekste kur’anore:
“E kur njeriun e godet dëmi, ai na lutet qoftë shtrirë, ulur ose në këmbë, e kur Ne ia largojmë të keqen atij, ai vazhdon sikurse të mos na ishte lutur fare për dëmin që e pat goditur. Kështu kriminelëve u duket mirë ajo që veprojnë.” (Junus, 12.)

“Po nëse Ne ia japim njeriut ndonjë begati nga ana jonë, e pastaj e tërheqim atë prej tij, ai do të jetë i dëshpëruar dhe përbuzës.” (Hud, 9.)

“E kur e godit njeriun ndonjë e keqe (ndonjë dëm), ai e lut Zotin e vet duke kërkuar ndihmë vetëm prej Tij, e kur nga ana e Tij i jep ndonjë të mirë (ia largon të keqen), ai e harron atë që më parë i është lutur Atij, dhe i përshkruan shokë All-llahut për të larguar (njerëzit) nga rruga e Tij. Thuaj: “Kënaqu për pak kohë me mosbesimin tënd, se ti pa dyshim je nga banuesit e zjarrit!”(Ez-Zumer, 8.)

“E kur ju kap juve paniku (frika) në det, i humbni (nga kujtesa) ata që i lutni, u mbetet vetëm Ai (All-llahu), mirëpo pasi që Ai t’ju shpëtojë e të arrini në tokë, ia ktheni shpinën. Ashtu, njeriu është përbuzës.” (El-’, 67.)

2. Njeriu është jo falënderues, ndërsa kur sprovohet dëshpërohet. Ja disa ajete që flasin për këtë:

“E kur ju kap juve paniku (frika) në det, i humbni (nga kujtesa) ata që i lutni, u mbetet vetëm Ai (All-llahu), mirëpo pasi që Ai t’ju shpëtojë e të arrini në tokë, ia ktheni shpinën. Ashtu, njeriu është përbuzës.” (El-’, 67.)

“E kur e begatojmë (me të mira) njeriun, ai prapësohet dhe largohet i mashtruar, e kur e godet e keqja, ai humb shpresën.” (El-’, 83.)

“Ne kur e begatojmë njeriun, ai nuk falënderon dhe largohet, e kur e godet e keqja, ai përulet dhe lutet shumë.” (Fussilet, 51.)

“E njeriu, kur e sprovon Zoti i tij, e nderon dhe e begaton, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar! Por, kur për ta sprovuar ia pakëson furnizimin (e varfëron), ai thotë: “Zoti im më ka nënçmuar!” (El-Fexhr, 15-16.)

“Vërtet, njeriu është përbuzës ndaj Zotit të vet.” (El-Adijat, 6.)

3. Njeriu është i ngutshëm, koprrac, natyrë polemizuese, madje është i padrejtë edhe ndaj vetvetes.

Këto karakteristika të tij përmenden në këto ajete vijuese:

“Dhe Ai ju dha gjithatë që e kërkuat (që kërkoi nevoja juaj) dhe, edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës. (Ibrahim, 34.)

“Njeriu (e tepron) lutet për keq, ashtu sikurse lutet për mirë, (po Zoti nuk e pranon lutjen e tij për keq); njeriu (nga vetë natyra e tij) është i ngutshëm.” (El-Isra’, 11.)

“Thuaj: “Sikur t’i kishit depot e begative të Zotit tim, nga frika se po shpenzohen, do të bëheni koprracë; njeriu është dorështrënguar”. (El-Isra’, 100.)

“Në këtë Kur’an Ne shtruam çdo lloj shembulli për hir të njerëzve, po njeriu (jobesimtar) më shumë se çdo tjetër është kundërshtar.” (El-Kehf, 54.)

“Njeriu nga vetë natyra e tij është i ngutshëm, e Unë do t’ua tregoj juve masën Time ndëshkuese, pra mos kërkoni t’u vijë më shpejtë.” (El-Enbija’, 37.)

“Ne ua ofruam amanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete; dhe ai i bëri padrejt vetes, dhe ishte i padijshëm.” (El-Ahzab, 72.)

4.Njeriu bëhet përbuzës në moment kur ndjehet i pavarur.

Është interesante se kjo karakteristikë e tij theksohet në suren el-Alek, dhe atë menjëherë pas pesë ajeteve të para për të cilët ekziston konsensus nga dijetarët se këto ajete janë të parat që iu shpallën të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s. Allahu i Lartësuar, duke e përshkruar natyrën e njeriut, thotë:

“Jo, është e vërtetë se ai i kalon kufijtë, / Për shkak se e ndien veten të pavarur.” (El-‘Alek, 6-7)

Shprehja kur’anore taga, jetga, tugjan (in-ne-l-insane lejetga), e përdorur për të treguar këtë karakteristikë të njeriut, ka më shumë se një kuptim: kapërcim i kufijve, të jesh i dhunshëm, i padrejtë, mizor, i padëgjueshëm, mendjemadh, etj. Nga e njëjta rrënjë, gjithashtu, është formuar fjala tagija, që nënkupton njeriun e dhunshëm, tiranin, shtypësin, faqeziun, mendjemadhin,[/b\] etj.

Pra, njeriu i kapërcen kufijtë e të mirës dhe të lejuarës, gjegjësisht kalon në sferën e asaj që është e dëmshme dhe e ndaluar, dhe atë në moment kur veten e ndjen të pavarur dhe të mjaftueshëm. Duke e pasur parasysh këtë shprehje Kur’anore kuptojmë që çrregullimi i paraqitur në sipërfaqe të tokës filloi atëherë kur njeriu e harroi Zotin e Tij dhe kur mendoi se është i pavarur nga Ai.

Në bazë të kësaj që u përmend, mund të kuptojmë që fatkeqësitë njerëzore, sikur sëmundjet, fukarallëku dhe sprovat e tjera, janë në funksion të asaj që njeriun ta bëjnë të varur nga Allahu, pasi që ai në raste të këtilla e ndjen nevojën e ndihmës së Zotit. Nëse njeriut do t’i shkonte gjithçka lehtë dhe pa probleme në jetën e tij, dhe kur të mos përballej me fatkeqësi dhe sprova, atëherë, vërtetë do të ekzistonte frika se ai mund të ndjehej i pavarur dhe të bëhej i dalldisur, duke thyer kështu çdo kufi që ia ka caktuar Krijuesi dhe Zoti i tij.

5. Njeriu mëton ta arrij gjithë atë që e dëshiron, kurse atij i takon vetëm ajo për të cilën jep mund.

[i]“A mos do t’i takojë njeriut ajo që ai e dëshiron (Jo)?” (En-Nexhm, 24.)

“Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se ajo që ka punuar.” (En-Nexhm, 39)

“O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është bujar e i urtë? I cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. Të formësoi në formën që Ai dëshiroi! Jo, nuk është ashtu. Ju përgënjeshtroni ditën e përgjegjësisë. Kurse ndaj jush kanë përcjellësit! Janë shkrues të ndershëm te All-llahu. Ata e dinë se çka punoni.” (El-Infitar, 6-112).

6. Njeriu është i krijuar me një natyrë jo të qetë.

“Është e vërtetë se njeriu është i prirur të jetë i padurueshëm. Pse kur e godet ndonjë e keqe, ai ankohet së tepërmi. Ndërkaq, kur e gjen e mira, ai bëhet tepër koprrac.” (El-Me’arixh, 19-21)

Në këto ajete kur’anore bëhet fjalë për një cilësi shumë të rëndësishme të njeriut. Shprehja kur’anore helu’an (in-ne-l-insane hulika helu’an) tregon se njeriu është krijuar me një natyre të brendshme shqetësuese, e cila ndonjëherë ka mundësi që ta nxitë në të arritura të mëdha, sikur edhe në pakënaqësi dhe brengë kronike. Me fjalë të tjera, mënyra sesi njeriu e shfrytëzon këtë dhunti të Zotit, përcakton faktin se ç’karakter do të ketë ai, pozitiv apo negativ. Ajetet vijuese në këtë sure (20. dhe 21.) aludojnë në këto pasoja, ndërsa ajetet 22-25 tregojnë se vetëm vetëdija e vërtetë shpirtërore e morale mund ta formojë në forcë pozitive atë shqetësim të natyrshëm të njeriut dhe kështu ta sjell deri te stabiliteti i brendshëm dhe kënaqësisë së përhershme.

7. Njeriu ka dilema sa i përket Ringjalljes pas vdekjes. Këtë ndjesi të njeriut Kur’ani Fisnik e thekson në ajetet vijuese:

“E njeriu thotë: “A thua njëmend pasi të vdes do të nxirrem i gjallë (do të ringjallem)?” (Merjem, 66), mirëpo njëkohësisht Kur’ani jep edhe përgjigjen: “Ai ua dha jetën, u bën të vdisni, e pastaj ju ringjall. Vërtet, njeriu është përbuzës.” (El-Haxh, 66).

“A nuk mendon njeriu se Ne e krijuam atë prej një pikë uji (fare), kur qe, ai kundërshtar i rreptë. Ai na solli Neve shembull, e harroi krijimin e vet e tha: “Kush i ngjall eshtrat duke qenë ata të kalbur? “Thuaj: “I ngjall Ai që i krijoi për herë të parë, e Ai është shumë i dijshëm për çdo krijim. Ai që prej drurit të gjelbër ju bëri zjarrin, e ju prej tij ndezni”. A nuk është i fuqishëm Ai, që krijoi qiejt e tokën, të krijojë njerëz sikundër që i krijoi ata? Po, Ai është krijuesi, i dijshmi. Kur Ai dëshiron ndonjë send, urdhri i Tij është vetëm t’i thotë: “Bëhu!” Ai menjëherë bëhet. I lartë është Ai që në dorën e Tij është pushteti mbi çdo send dhe vetëm te Ai ktheheni.” (Ja-Sin, 77-83.)

“A mendon njeriu se nuk do t’i tubojmë eshtrat e tij? Po, do t’ia tubojmë! Duke qenë se Ne jemi të zotët t’ia rikrijojmë si kanë qenë edhe majat e gishtave të tij! Por, njeriu dëshiron të vazhdojë edhe më tej në mëkate. Andaj edhe pyet: “Kur është dita e kijametit?”(El-Kijame, 3-6).

Në këto ajete që flasin për njeriun përmenden edhe disa përcaktime në lidhje me jetën e njeriut në botën tjetër. Gjithashtu, në një sërë ajetesh flitet për shajtanin si armiku i hapur i njeriut, si edhe për urdhrin ndaj njeriut që veçanërisht të jetë i kujdesshëm ndaj prindërve të tij. Pra, në ajetet në të cilët përmendet njeriu, ngërthehen kuptime të shumta që zbulojnë natyrën e tij. Kur’ani fisnik e përshkruan njeriun si individ lakmues, të rrezikshëm dhe mosmirënjohës. Përjashtim bëjnë ata të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira.

Në suren e fundit në cilën përmendet njeriu, Allahu i Lartësuar betohet dhe thekson “Se njeriu është në një humbje të sigurt / Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” Pra, vetëm këta nuk do të jenë në humbje. Kjo në mënyrë të veçantë fletë për rëndësinë e madhe të fesë në jetën e njeriut.

______________
Burimi:
Novi Horizonti – revistë për afirmim shkencor, kulturor dhe shpirtëror, nr. 114., Shkurt, 2009,
BeH.

Përktheu:
Mehas Alija

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-