“Dardanët” sot (e mërkurë) zhvillojnë seancën e fundit stërvitore para duelit të shumëpritur me Slloveninë, që do të luhet nesër mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Stërvitja përfundimtare e Kombëtares së Kosovës nis në orën 17:00 dhe pritet të shërbejë për përgatitjet taktike të fundit që trajneri Franco Foda do t’i vendosë në funksion të përballjes së nesërme.
Paraprakisht, nga ora 16:30, trajneri Foda do të dalë para gazetarëve në një konferencë për media, ku pritet të flasë për gjendjen e ekipit, pritshmëritë për ndeshjen dhe rëndësinë që ka kjo sfidë për ecurinë e Kosovës në këtë fushatë kualifikuese.
Ndërkohë, edhe Kombëtarja e Sllovenisë pritet të mbajë konferencën e saj për media në mbrëmje. Nga ora 20:00, përfaqësues të skuadrës sllovene do të flasin për media në ambientet e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Kujtojmë se ndeshja mes Kosovës dhe Sllovenisë zhvillohet të enjten, më 10 tetor 2025, duke filluar nga ora 20:45, në stadiumin kombëtar “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Atmosfera në kryeqytet po nxehet, dhe përkrahja e tifozëve “Dardanët” pritet të jetë vendimtare për të shtyrë Kosovën drejt një rezultati pozitiv në rrugëtimin për kualifikim në Botërorin e ardhshëm.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

