ShSKUK njoftoi se sot në parkingun e administratës së QKUK-së është dëmtuar vetura private e U.D. të drejtorit të QKUK’së, Osman Hajdari, që ka qenë e parkuar aty.
Në njoftim thuhet se dëmtimi ka ndodhur në rrethana të panjohura në kohën kur po bëheshin përgatitjet për të filluar mbledhja e bordit.
ShSKUK thotë se për incidentin janë njoftuar organet kompetente dhe se kanë nisur hetimet.
Njoftimi i plotë i SHSKUK-së:
Sot, në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndodhur një incident që përfshin dëmtimin e veturës private të ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, e parkuar në parkingun e administratës.
Dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura, në kohën kur po bëheshin përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), e cila ishte paraparë të mbahej në hapësirat e administratës qendrore të ShSKUK-së.
Për incidentin janë njoftuar menjëherë organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila tashmë ka filluar procedurat e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.
ShSKUK shpreh shqetësim dhe keqardhje lidhur me rastin, duke ofruar bashkëpunimin e plotë me autoritetet përkatëse.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.