Dëshpërimi dhe humbja e shpresës në mëshirën e Allahut, është mëkat më i madh…

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Dëshpërimi dhe humbja e shpresës në mëshirën e Allahut, është mëkat më i madh sesa kurvëria dhe pirja e alkoolit

Dëshpërimi nënkupton ndjenjën e pashpresës dhe ankthit të plotë, që e përshkon dhe përfshin shpirtin dhe arsyen e njeriut. Në një gjendje të tillë njeriu mposhtet nga pesimizmi dhe humbja e shpresës, madje edhe atëherë kur ka mundësi reale për ta përmirësuar gjendjen e tij. Allahu i Plotfuqishëm, në Kuran ka shpallur:

“Kur Na i japim njeriut mirësinë Tonë, e pastaj ia zhveshim atë prej tij, ai atëherë bëhet shpresëhumbur dhe mohues.”(Hud, 9)

Dëshpërimi simbolizon prangat e rënda, të cilat njeriun e pengojnë për të menduar, vepruar dhe jetuar lirshëm dhe me maturi. Ato e gozhdojnë fort për tokë dhe e bëjnë të paaftë për çfarëdo veprimtari, përpjekje dhe aksion pozitiv. Dhe kjo, vetëm për një arsye të vetme, për të cilën dëshpërimi e ka mposhtur plotësisht, dhe sepse ai me syrin e pesimizmit e shikon çdo gjë që e pret në të ardhmen.

Shejtani përpiqet të fusë dëshpërim në zemrën e besimtarit

Kur bëhet fjalë për dëshpërimin dhe humbjen e shpresës në mëshirën dhe faljen e Allahut, ne nuk mund të qëndrojmë pa e përmendur shejtanin me joshjen dhe pëshpëritjen e tij, sepse shejtani synon ta lëkund besimin e muslimanit dhe muslimanes, gjithashtu synon t’i minojë parimet themelore dhe vlerat mbi të cilat ata e ndërtojnë jetën e tyre, si dhe t’ua prishë dhe shkatërrojë jetën e tyre në të dy botët.

Pikërisht njëra nga metodat e përdorura nga Iblisi, është përpjekja për ta mbjellë farën e dëshpërimit dhe pashpresës në zemrat e besimtarëve në lidhje me mëshirën dhe faljen e Allahut. Qëllimi i tij është që ta hedhë njeriun në dëshpërim, ta mposht shpirtërisht, ta hedhë në depresion, ashtu që për shkak të këtij depresioni dhe dëshpërimi, ai ta humb vullnetin për të jetuar dhe ta humbë shpresën në mëshirën e Allahut.

Dëshpërimi është një sëmundje shpirtërore e rrezikshme e cila njeriun e çon në mosbesim, sepse, i dëshpëruari nuk beson në Allahun dhe e humb shpresën në shpëtim. Për këtë shkak, ata që humbin shpresën në mëshirën e Tij,Allahu i Plotfuqishëm, i quan jobesimtarë dhe të mashtruar:“Vetëm jobesimtarët e humbin shpresën në mëshirën e Allahut.” (Jusuf, 87)

Prandaj, sipas konsensusit të dijetarëve islamë, dëshpërimi dhe humbja e shpresës në mëshirën e Allahut është e ndaluar (haram) dhe është një nga mëkatet më të mëdha. Dëshpërimi dhe humbja e shpresës në mëshirën e Allahut është mëkat më i madh se sa kurvëria, pirja e alkoolit, etj.

Imam Kurtubi, në listën e mëkateve të mëdha, dëshpërimin dhe humbjen e shpresës në mëshirën e Allahut e ka vendosur menjëherë pas shirkut, thotë se dëshpërimi dhe humbja e shpresës nënkuptojnë mohimin e Kuranit, sepse Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Mëshira ime përfshin gjithçka.”(el-Araf, 156), kurse i dëshpëruari thotë: “Allahu nuk do të më falë.” Pra, nëse është i bindur se Allahu nuk do ta falë atë, ai e mohon dhe e përgënjeshtron Kuranin.

Besimtari dhe besimtarja nuk lejojnë që në zemrat e tyre të vendoset ndjenja e dëshpërimit dhe e pashpresës. Thjesht, dëshpërimi dhe pashpresa nuk mund ta gjejnë rrugën e tyre drejt zemrës së besimtarit, pavarësisht nga rëndesa e gjendjes në të cilën ndodhen, dhe pavarësisht intrigave dhe pëshpëritjeve të shejtanit.

Në vend të pemës së dëshpërimit dhe pashpresës, në zemrat e besimtarëve, mbi bazë të njohurisë së vërtet, besimit dhe bindjes së sinqertë, ka mbirë pema e shpresës, rrënjët e së cilës janë thellë në zemër, kurse degët janë lart drejt qiellit. Le ta imagjinojmë situatën kur balena e gëlltiti Junusin (a.s.).Peshku i cili peshon 150 tonë dhe ti gjendesh brenda në barkun e tij, në tri errësira: errësira e natës, errësira e detit dhe errësira e peshkut. Sa përqind ka shanse që një person të dalë nga situata e tillë? Do të thoshim, zero përqind. Megjithatë,Junusi (a.s.) as në një situatë të tillë, nuk e humbi shpresën në shpëtim, por me lutje dhe istigfar, iu drejtua Allahut të Madhëruar, duke thënë:“Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejtë vetes!”(el-Enbija, 87)

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Secili, që është në telashe, nëse e lexon këtë lutje, Allahu do ta nxjerrë nga telashet dhe do t’ia largojë pikëllimin dhe brengën.”

Allahu i Plotfuqishëm, duke e përmendur Ibrahimin (a.s.), dhe musafirët e tij të dashur, përkatësisht, melekët të cilët kishin ardhur t’i merrnin myzhde dhe ta përgëzonin për lindjen e djalit të tij, në Kuran thotë:“Ata thanë: ‘Ne të morëm myzhde me atë që është e sigurtë e ti mos u bë i pashpresë!’ Tha: ‘Askush nuk e humb shpresën në mëshirën e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur.’ ” (el-Hixhr, 55-56)

Duke komentuar këtë ajet, imam Taberiu thotë: “Musafirët (melekët) i thanë Ibrahimit (a.s.): ‘Ne po vijmë te ti me një lajm të gëzueshëm, i cili me siguri do të bëhet realitet, që Allahu do të japë ty një djalë të ditur dhe mos u bëj nga ata që e humbin shpresën dhe dëshpërohen, por pranoje këtë lajm si të vërtetë. Kurse Ibrahimi, pastaj, ju tha atyre:’Kush mund ta humbë shpresën dhe të dëshpërohet, përveç atyre që e kanë humbur Rrugën e drejtë, të cilët e kanë humbur rrugën, pastaj kur e kanë humbur dhe e kanë lënë shpresën.”’

Kjo është dëshmi se Ibrahimi (a.s.), në asnjë moment nuk e humbi shpresën as nuk u dëshpërua, por ai vetëm u çudit kur e informuan për këtë, kështu që melekët menduan se ai e kishte humbur shpresën për të pasur fëmijë. Mirëpo, ai vetë i demantoi dhe u tha atyre se shpresën në mëshirën e Allahut e humbin vetëm nga ata që janë larguar nga Rruga e drejtë.

Unë pikëllimin tim po ia shprehi Allahut

Ka shumë tregime kuranore për besimin dhe shpresën në mëshirën dhe shpëtimin e Allahut, dhe njëri prej tyre është ai për Jakubin (a.s.). Ai është mësim për të gjithë neve për largimin e dëshpërimit edhe në momentet më të vështira, mësim për mendimin e mirë për Allahun, për durimin në sprova dhe për shpresën se shpëtimi dhe lehtësimi është afër.

Kur Jakubi (a.s.),e mori lajmin se djali i tij Jusufi ishte zhdukur, përkatësisht, se e kishte ngrënë ujku, që ishte sprova më e madhe për prindin, ai tha:“Jo, (nuk e ka ngrënë ujku), por epshet tuaja ua hijeshuan punën. Halli im është: durim i mirë. Prej Allahut kërkoj ndihmë për atë që po e paraqitni ju.”(Jusuf, 18)

Kur ai e humbi edhe djalin tjetër, ai nuk u dëshpërua, por tha:“Jo, por shpirti juaj e ka kurdisur krejt këtë. Durimi im është, durim i bukur. Shpresoj se Allahu do të mi kthejë të gjithë, sepse Ai, me të vërtetë, është i Plotëdijshëm dhe i Urtë.” (Jusuf, 83)

Ndërsa kur ata e kundërshtuan atë pse vazhdimisht po e përmend djalin e tij Jusufin, pas kaq shumë vitesh, dhe pasi që ata i kishin humbur të gjitha shpresat se mund të kthehej, ai u tha atyre në gjuhën e besimtarit të bindur:“Unë, pikëllimin dhe zemërimin tim ia paraqes vetëm Allahut, e nga Allahu e di atë që nuk e dini ju.” (Jusuf, 86).

Pastaj, kur i dërguari (i Jusufit) erdhi me këmishën e Jusufit, Jakubi (a.s.), u tha atyre:“A nuk ju kam thënë, se unë di nga Allahu atë që nuk e dini ju.” (Jusuf, 96)

Shkaqet e dëshpërimit

Shkaku më i madh i dëshpërimit dhe humbjes së shpresës në mëshirën e Allahut është injoranca ndaj Allahut, e cila e nënkupton injorancën për gjithëfuqinë e Allahut dhe pafuqinë tonë, si dhe nevojën e vazhdueshme për ndihmën e Allahut.

Pastaj, frika e tepërt që gjithashtu është rezultat i paditurisë dhe njohjes së vërtetë.

Ibnul-Kajjim el-Xhevzij thotë: “Frika nga ndëshkimi i Allahut, e cila çon në dëshpërim është e qortuar.”

Ibn Tejmije ka thënë se kufijtë e frikës ndaj Allahut janë aty ku frika ju pengon nga bërja e mëkatit, kurse nëse frika e kalon atë kufi, atëherë ajo çon në dëshpërim, dhe kjo është frikë e ndaluar.

Pastaj, lidhja dhe mbështetja vetëm në shkaqe materiale.

Jobesimtari, i cili merr dhe realizon ndonjë begati të kësaj bote, mendon se ajo ka ardhur ekskluzivisht përmes shkaqeve natyrore, dhe kur ajo zhduket, atëherë ai mendon se nuk do të kthehet më. Mirëpo, besimtari nuk shikon në atë mënyrë. Ai e di se të gjitha begatitë janë nga Allahu, i Cili është Krijuesi i shkakut dhe të shkaktuarës, dhe nëse e humb një begati të caktuar, ai shpreson që Allahu do ta rivendosë atë ose do ta zëvendësojë me një më të mirë.

Pastaj, kapja pas dynjasë dhe kënaqësive dhe përfitimeve të saj të përkohshme.

Ai i cili ndërton në dynja sikur do të jetojë në të përgjithmonë, sigurisht që do të dëshpërohet kur ta humbasë ndonjë begati të dynjasë.

Dera e pendimit është e hapur deri në Ditën e Gjykimit

Besimtari shikon me dritën e Allahut dhe kurrë nuk e humb shpresën, sepse e di se Allahu është i Gjithëfuqishëm dhe i Gjithëmëshirshëm dhe kurrë nuk do ta lë robin e Tij.

Njeriu ka vetëm një jetë në këtë botë, nëse e shkatërron atë, ai ka shkatërruar dhe ka humbur gjithçka, edhe dynjanë edhe ahiretin. Dyert e tevbes janë të hapura deri në Ditën e Gjykimit. Allahu i Plotfuqishëm thotë:“Thuaj: “O robërit e mi, që i keni bërë keq vetvetes, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i falë të gjitha mëkatet. Ai, me të vërtetë, është falës dhe i mëshirshëm.” (ez-Zumer, 53)

Transmeton Ebu Hurejre (r.a.),se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Allahu ka 100 mëshira, Ai i mbajti për Vete99 pjesë të mëshirës, kurse vetëm një pjesë të mëshirës e ka zbritur në mesin e të gjitha krijesave. Nëse jobesimtari do ta dinte sesa është mëshira e Allahut, nuk do ta humbte shpresën në xhenet, dhe nëse besimtari do ta dinte se çfarë është ndëshkimi i Allahut, nuk do të ishte i sigurt nga zjarri.” (Buhari)

Pra, nëse jobesimtari do ta dinte se sa është mëshira e Allahut, do t’i harronte mëkatet dhe veprat e liga që ka bërë dhe dënimin i cili e pret për to, atëherë tek ai do të mbizotëronte shpresa në mëshirën e Allahut.

Është pyetur një njeri i devotshëm nga gjeneratat e para: “Cila është gjendja e fesë tënde?” Ai është përgjigjur: “Sa i përket fesë sime, mëkatet po ma vjetrojnë dhe shkatërrojnë, kurse unë po e rregulloj dhe riparoj me istigfar dhe pendim”.

Transmetohet se një burrë nga Benu Israilët kishte kaluar 40 vjet në ibadet dhe bindje ndaj Allahut, pastaj ishte larguar nga ibadeti dhe kishte kryer mëkate për 40 vjet. Një ditë e kishte shikuar veten në pasqyrë dhe kishte vërejtur kime të thinjura në mjekër, për çka ishte shqetësuar dhe kishte thënë: “O Zoti im, unë të bëra Ty ibadet për 40 vjet, dhe pastaj të kam bërë 40 vjet mëkate dhe mosbindje, andaj, a do të më falësh mua dhe a do të mi pranosh veprat e mia?” Pas kësaj iu tha atij:“Ti ishe i bindur dhe unë ta pranova ibadetin tënd, pastaj ti u bëre i pabindur, por Unë ta kam shtyrë dënimin, dhe nëse përsëri kthehesh dhe pendohesh, Unë do ta pranoj pendimin tënd.”

Prandaj, mos e humbni shpresën dhe dijeni se Ai që nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe të vdekurin nga i gjalli, është i fuqishëm që shpresat dhe ëndrrat tuaja t’i kthejë në realitet. Dhe kushdo që mbështetët në Allahun, Ai është i mjaftueshëm.

Abdusamed Nasuf Bušatlić;

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-