Vëllezër të nderuar në Islam!
Sot, më 10 gusht 2018, hutben e kemi titulluar: “Dhe shpallju njerëzve haxhin.”
Këtë temë e kemi zgjedhur në kohën e përgatitjeve intensive për shkuarjen e haxhinjve të sivjetmë në Haxh, sharti i 5 i Islamit, me të cilin çdo besimtar, i cili është i detyruar për të bërë, e kompleton ndërtesën e tij të Islamit, plotësisht pastrohet nga mëkatet dhe i afrohet Krijuesit të tij.
Haxhin është i detyruar të kryejë çdo musliman dhe muslimane një herë në jetën e tij, nëse për të plotësohen kushtet: moshërritja, shëndeti mendor dhe fizik, liria, burimet materiale dhe liria e trafikut (rruga). Kush e mohon haxhin, ose e ndan nga shartet tjera, pushon të jetë musliman.
Allahu i Plotfuqishëm, për Qabenë me rrethinën e saj dhe për detyrimin e haxhit, flet në Kuran, në suren Alu Imran:
إِنَّ أَوَّلَ بَيْتٍ وُضِعَ لِلنَّاسِ لَلَّذِي بِبَكَّةَ مُبَارَكاً وَهُدًى لِّلْعَالَمِينَ . فِيهِ آيَاتٌ بَيِّـنَاتٌ مَّقَامُ إِبْرَاهِيمَ وَمَن دَخَلَهُ كَانَ آمِناً وَلِلّهِ عَلَى النَّاسِ حِجُّ الْبَيْتِ مَنِ اسْتَطَاعَ إِلَيْهِ سَبِيلاً وَمَن كَفَرَ فَإِنَّ الله غَنِيٌّ عَنِ الْعَالَمِينَ .
“Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëz, është ajo në Bekke (Mekke), e uruar dhe udhërrëfyese e popujve. Në të ka shenja (simbole të dukshme, siç është) vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim). Kush hyn në të është i sigurt. Allahu i ka obliguar njerëzit, ata që kanë mundësi t’i përballojnë rrugës, ta vizitojnë (haxhxhillëk) këtë Faltore. E kush i mohon urdhrat e Allahut (e dëmton veten). Se, me të vërtetë, Allahu nuk ka nevojë për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit.” (Alu Imran, 96-97)
Vëllezër të dashur!
Qabeja është xhamia e parë në tokë, kurse rrethina e saj është e bekuar. Qabeja është udhëzues për besimtarët, është Kibla e tyre, orientues dhe magnet që i tërheq. Kah ajo besimtarët kthehen në namazin e tyre dhe dëshirojnë ta vizitojnë, ta prekin dhe të falen para saj duke e dëshmuar madhështinë e Allahut të Madhërishëm dhe pafuqinë e tyre.
Allahu i Madhërishëm thotë:
– وَأَتِمُّواْ الْحَجَّ وَالْعُمْرَةَ لِلّهِ …- “E kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut…” (El-Bekare, 196)
Një nga begatitë e Allahut të Madhërishëm për njerëzit është edhe ajo që Ai ka përcaktuar në periudha të caktuara kohore detyrime dhe adhurime të veçanta, kurse njëra prej këtyre detyrave është edhe haxhi i cili kryhet në 10 ditët e para të muajit dhul-hixhxhe. Këto janë ditë për të cilat Pejgamberi (savs) ka pohuar se janë ditë të zgjedhura dhe i ka inkurajuar shokët e tij për ibadet sa më intensiv në ato ditë. Allahu i Madhërishëm, në Kuran betohet për këto ditë duke thënë:
– وَالْفَجْرِ . وَلَيَالٍ عَشْرٍ . – “Pasha agimin! Pasha dhjetë netët!” (El-Fexhr, 1-2)
Vëllezër të nderuar!
Ditët e haxhit janë ditët në të cilat ndërtohet dhe forcohet sharti i pestë i Islamit, si dhe forcohet imani i besimtarit. Këto janë ditët ku haxhiu i harron problemet dhe shqetësimet e kësaj bote dhe ditët në të cilat plotësisht i dorëzohet ibadetit.
Allahu i Madhërishëm, duke folur për haxhin thotë:
الْحَجُّ أَشْهُرٌ مَّعْلُومَاتٌ فَمَن فَرَضَ فِيهِنَّ الْحَجَّ فَلاَ رَفَثَ وَلاَ فُسُوقَ وَلاَ جِدَالَ فِي الْحَجِّ وَمَا تَفْعَلُواْ مِنْ خَيْرٍ يَعْلَمْهُ اللّهُ وَتَزَوَّدُواْ فَإِنَّ خَيْرَ الزَّادِ التَّقْوَى وَاتَّقُونِ يَا أُوْلِي الأَلْبَابِ .
“Koha e haxhit është në muaj të caktuar; ai që e obligon veten të kryejë haxhin, nuk duhet t’i afrohet gruas dhe as nuk duhet të bëjë grindje e sharje. Ndërkaq çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Dhe furnizohuni me gjërat që u nevojiten për rrugë, e furnizimi më i mirë është devotshmëria. Prandaj druani prej Meje or mendar!” (El-Bekare, 197)
Haxhi, siç thekson ajeti i cituar, është në kohë të caktuar, në të cilën, derisa haxhiu është me ihram nuk e ka të lejuar: të takohet me bashkëshorten, të flasë fjalë të shëmtuara, të grindet me haxhilerët tjerë.
Haxhi është ibadet që kërkon angazhime fizike, andaj për këtë rrugë nevojitet furnizim, por furnizimi më i mirë është devotshmëria (takvallëku). Ata që kanë qenë në haxh e dinë se kjo është me të vërtetë furnizimi më i rëndësishëm i haxhiut në rrugën për haxh dhe garanton se haxhi i tij do të pranohet.
Ata që e kryejnë haxhin dhe nuk flasin fjalë të shëmtuara dhe nuk bëjnë mëkate, u fshihen mëkatet e kaluara, siç thuhet në hadithin e regjistruar nga Buhariu: Transmetohet nga Ebu Hurejre (r.a.): “E kam dëgjuar Pejgamberin (savs) duke thënë:
“Kush e kryen haxhin për Allahun, pastaj nuk flet fjalë të shëmtuara, as nuk bën mëkate, do të kthehet (i pastër nga mëkatet), ashtu siç ka qenë në ditën kur e ka lindur nëna e tij!” (Buhariu)
Gjithashtu transmeton Ebu Hurejre (r.a.) se Muhamedi (savs) është pyetur: “Cila vepër është më e mira?” Ai është përgjigjur: “Besimi në Allahun dhe të Dërguarin e Tij!” I është thënë: “Çka pastaj?” Ka thënë: “Lufta për hir të Allahut!” Pastaj i është thënë: “Çka pastaj?” Ai ka thënë: “Haxhi i kryer pa mëkate (gabime)!”…
Kurse në një transmetim tjetër thuhet: Transmeton Aishja (r.a.) se e ka pyetur Pejgamberin (savs): “O i Dërguari i Allahut! A të luftojmë (edhe ne gratë) bashkë me ju?” Pejgamberi (savs) është përgjigjur: “Lufta (xhihadi) më e mirë dhe më e bukur (për gratë) është haxhi i kryer pa gabime (mëkate)!” Thotë Aishja (r.a.): “Pasi që i kam dëgjuar këto fjalë të Pejgamberit (savs) asnjëherë nuk e kam lënë haxhin.” (Buhariu)
Shumica e ulemave mendojnë se kjo vlen vetëm për gratë dhe për ata që nuk mund të marrin pjesë në xhihad, ndërsa një pjesë tjetër e ulemave mendojnë se kjo vlen për të gjithë muslimanët.
Kryerja e haxhit është obligim vetëm një herë në jetë, siç konfirmohet nga ky hadith:
Transmeton Ebu Hurejre r.a. tregon: “Na është drejtuar Pejgamberi a.s. duke na thënë: “O njerëz Allahu ua ka urdhëruar haxhin, andaj kryejeni haxhin!” Një njeri i thotë: “A është për çdo vit, o i Dërguari i Allahut?” Pejgamberi a.s heshti, derisa të njëjtën pyetje ia shtruan tri herë, pastaj tha:
“Sikur të isha përgjigjur me ‘po’, kjo do tu bëhej detyrim, dhe ju nuk do të jeni në gjendje për të.” Pastaj ai tha: “Mos më pyesni për atë që nuk ju kam sqaruar, sepse popujt para jush janë shkatërruar për shkak të shumë pyetjeve dhe mosmarrëveshjeve me pejgamberët e tyre! Kur të ju urdhëroj diçka, atë kryejeni sa të mundeni, dhe kur të ju ndaloj diçka, largohuni nga ajo!” (Muslimi)
Vëllezër të respektuar!
Të gjithë ata që kanë qenë në haxh në mënyra të ndryshme e kanë përjetuar haxhin dhe të gjithë kanë dëshirë të madhe për takim të ri me vendet e shenjta. Lum ata që Allahu i Madhërishëm ua ka bërë të mundur të shkojnë disa herë, por mbani në mend se farz është vetëm një herë në jetë, përveç atyre që shkojnë në organizim të haxhit apo si bedel. Për ata që kanë kushte materiale dhe e kryejnë haxhin disa herë, mund të shtrohet pyetje, nëse ato para në këtë kohë të vështirë të recesionit dhe varfërisë në mesin tonë, a është më mirë të jepen për ndonjë hajr, dhe ka shumë mundësi të tilla!?
Vëllezër të dashur! Të nxitojmë në kryerjen e haxhit, sapo të na plotësohen kushtet! Dhe të gjithë haxhinjve tonë sivjet – Inshallah – haxhi i pranuar!
O Zot, ndihmoju vëllezërve tonë të cilët janë të ekspozuar ndaj sulmeve të armiqve Tu dhe tonit! Na forco neve në rrugën e Islamit!
Na bëj neve prej atyre që e kryejnë haxhin dhe umren, dhe të cilëve u falen mëkatet e kaluara!
Na mëshiro në Ditën e gjykimit dhe na ndero neve në xhenet me pejgamberë, me njerëz të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin!
Hatib: Nezim Haliloviq Muderris;
Përshtati: Miftar Ajdini
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.