DHJETË DITËT E DHULHIXHES – DISPOZITA DHE DOBI

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Artikuj
  1. Allahu krijesat i dalloi ndërmjet tyre në vlerë dhe disa i ngriti në shkallë të larta karshi disa të tjerave. Nga ditët dhe muajt i favorizoi disa karshi të tjerëve: Dhjetë ditët e para të muajit Dhulhixhe janë ditët më të mira të dynjasë, dita e Kurban Bajramit është më e mira në mesin e tyre, dita e xhuma është dita më e mirë e javës, ndërsa nga netët: Dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë netët më të mira dhe nata e Kadrit është nata më e mirë në mesin e tyre.
  2. Gjatë ditëve të vitit përhapet aroma e mirësive dhe dhuntive të Allahut, të cilat ua dhuron robërve njësues të Tij. Në ato ditë bën pjesë dhjetëshi i parë i muajit Dhulhixhe, sezonë e madhe e adhurimit, të cilin besimtarët e presin me përmallim, që në shkallë të ngriten, mangësitë t’u plotësohen dhe ta kompensojnë atë që ju iku nga e mira dhe shpërblimi. Prandaj, le të përpiqemi të gjithë, që në këto ditë t’i shtojmë adhurimet dhe ta kërkojmë mëshirën e Allahut.
  3. Ditët më të mira të dynjasë, pa përjashtim, janë dhjetë ditët e Dhulhixhes. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Nuk ka ditë, ku vepra e mirë është më e dashur tek Allahu sesa një vepër e mirë, që bëhet gjatë dhjetë ditëve të Dhulhixhes.” Dikush e pyeti: “As pjesëmarrja në luftë në rrugë të Allahut?!” Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u përgjigj: “As pjesëmarrja në luftë në rrugë të Allahut, përveç një burri, i cili del me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën.”[1] Në një transmetim tjetër: “Nuk ka vepër më me vlerë që bëhet në ndonjë ditë sikurse këto dhjetë ditë.”[2] Po ashtu në një transmetim tjetër: “Nuk ka vepër më të vlerësuar dhe me sevap më të madh, sesa një vepër e mirë që bëhet gjatë dhjetë ditëve të Dhulhixhes.”[3]
  4. 4. Veprat e detyruara që kryhen në dhjetë ditët e Dhulhixhes kanë më shumë vlerë dhe shumëfishohen në shpërblim sesa veprat e detyruara që kryhen në ditët e tjera. Po ashtu veprat vullnetare që kryhen në dhjetë ditët e Dhulhixhes janë më të mira se veprat vullnetare që kryhen në ditë të tjera, dhe ato (veprat vullnetare) nuk janë më të mira se veprat e detyruara (farzet) që kryhen jashtë dhjetë ditëve të Dhulhixhes. [4]
  5. Namazi në këto ditë ka vlerë më të madhe se namazi që kryhet gjatë ditëve të tjera të vitit, njësoj edhe agjërimi, leximi i Kuranit, dhikri (të përmendurit e Allahut), duaja, përulja para Allahut, respektimi i prindërve, mbajtja e lidhjeve farefisnore, kryerja e nevojave të njerëzve, vizita e të sëmurëve, përcjellja e xhenazeve, bamirësia ndaj fqinjit, dhënia e ushqimit, veprat që dobia e tyre është me karakter kalimtar deri te të tjerët, dhe kështu me radhë.
  6. Vlera e dhjetë ditëve të Dhulhixhes dhe vepra në to e përfshijnë edhe ditën edhe natën e saj, por dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë më të mira se dhjetë netët e Dhulhixhes, sepse aty përfshihet nata e Kadrit, kurse dhjetë ditët e Dhulhixhes janë më të mira se dhjetë ditët e Ramazanit, sepse aty përfshihet dita e Kurban Bajramit, dita e Arafatit dhe dita e Tervijes (dita e Tetë e Dhulhixhes)[5].[6]
  7. Në dhjetë ditët e Dhulhixhes grumbullohen adhurime të mëdha që nuk grumbullohen në asnjë sezonë tjetër dhe ato janë: haxhi, therja e kurbanit, gjithashtu namazi, agjërimi dhe lëmosha.[7]
  8. Nga vlera e dhjetë ditëve: Allahu u betua në netët e saj të vlefshme. Allahu thotë: “Betohem për muzgun e agimit dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhulhixhe)!” (El-Fexhr: 1-2). Dhjetë netët e përmendura për qëllim janë dhjetë ditët e Dhulhixhes, sipas mendimit të shumicës së komentuesve të Kuranit, nga të parët tanë dhe të vonshmit.[8]
  9. Nga vlera e dhjetë ditëve: ato janë ditë të caktuara dhe të bereqetshme, ku në to Allahu ligjëroi të përmendet emri i Allahut mbi kafshët e tyre që theren për kurban, ashtu siç Allahu thotë: “… që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe ta përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai.” (El-Haxh: 28); ditët e caktuara që përmenden janë dhjetë ditët e para të Dhulhixhes, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve dhe komentuesve të Kuranit.[9]
  10. Dhjetë ditët janë “fundi i muajve të caktuar gjegjësisht muajve të haxhit për të cilat Allahu tha: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar.” (El-Bekare: 197) Muajt e haxhit janë: muaji Sheval, Dhulkade dhe dhjetë ditët e para të Dhulhixhes, siç përcillet nga shumica e sahabëve, si: Omeri dhe i biri i tij Abdullahu, Aliu, Ibën Mesudi, Ibën Abasi, Ibën Zubejri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, dhe të tjerë, dhe ky është edhe mendimi i shumicës së tabi’inëve.[10]
  11. Nga vlera e dhjetë ditëve: në to bie dita e Arafatit. Në këtë ditë Allahu e përsosi fenë dhe e plotësoi dhuntinë mbi myslimanët, siç Allahu thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (El-Maide: 3)
  12. Nga vlera e dhjetë ditëve: në to bie Dita e Kurban Bajramit, që njihet edhe si Dita e Haxhit të Madh. Kjo ditë është dita më e madhe tek Allahu, ashtu siç erdhi në hadith: “Dita më e mirë te Allahu është Dita e Kurban Bajramit, e më pas dita (e freskët)[11] , që vjen pas saj.”[12]
  13. Vepra e mirë në këto dhjetë ditë është më e mirë se në ditët tjera të vitit për shkak të vlerës së kohës, për ata që nuk janë në haxh, kurse për haxhilerët, për shkak të vlerës së kohës dhe vendit.
  14. Të parët tanë të mirë, Allahu i mëshiroftë, përkujdeseshin tepër që në dhjetë ditët të jepnin maksimumin e përpjekjes së tyre në adhurime të ndryshme dhe madhështimi i këtyre ditëve e arrinte kulmin te ta.

Seid ibën Xhubejr, Allahu e mëshiroftë, kur vinin dhjetët ditët e Dhulhixhes, aq shumë përpiqej në adhurime, saqë më nuk mund të shtonte diçka nga to. Ai nxiste për në namaz nate gjatë dhjetë netëve të para të Dhulhixhes dhe thoshte: “Mos i fikni llambat tuaja gjatë dhjetë netëve të Dhulhixhes.”[13]

Ebu Othman en-Nehdij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Të parët tanë i madhështonin tri dhjetëshe: dhjetëshin e fundit të Ramazanit, dhjetëshin e parë të Dhulhixhes dhe dhjetëshin e parë të Muharremit.”

  1. Myslimani duhet të përshpejtojë që ditët dhe netët e dhjetëshit të parë të Dhulhixhes t’i shfrytëzojë në adhurim e vepra të mira dhe ta plotësojë kohën me nënshtrime dhe vepra që e afrojnë tek Allahu.

Është për t’u çuditur me ne, nëse gjatë Ramazanit jemi aktivë dhe përpiqemi për adhurime dhe vepra të mira, e më pas në këto ditë të na kaplojë dembelia dhe plogështia, edhe pse ditët e saj janë më të mëdha në vlerë se të Ramazanit dhe vepra në to është më e dashur dhe më e mirë tek Allahu.

  1. Dy herë kujdes, që këto ditë kohën ta harxhosh në gjumë, thashetheme, në përcjelljen e kanaleve televizive të ndaluara dhe në rrjetet sociale, sepse kjo sezonë është thesar dhe mundësi që nuk paguhet.
  2. Vepra më e mirë e dhjetë ditëve të Dhulhixhes është haxhi i pranuar dhe “Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër pos Xhenetit”[14]; kjo, sidomos, nëse e kryen haxhin e detyruar, “dhe atë e kryen në mënyrën më të plotë nga llojet e mirësisë, duke i zbatuar urdhëresat dhe duke u larguar nga ndalesat, dhe duke ia shtuar kryerjes së haxhit bamirësinë ndaj njerëzve, si përshëndetjen me selam dhe dhënien e ushqimit, dhe duke e shtuar edhe të përmendurit e Allahut, me rritjen e zërit me tekbire, dhe therjen e kurbanit.”[15]
  3. Në këto ditë pëlqehet të shpeshtohet të përmendurit e Allahut, në çdo kohë dhe në të gjitha gjendjet: në këmbë, ulur apo i shtrirë, i hipur në mjet apo duke ecur.
  4. Pëlqehet të shpeshtohet me tehlil (la ilahe il-lallah), tekbir (Allahu ekber) dhe tehmid (elhamdulilah). Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Shpeshtojeni këto ditë tehlilin (la ilahe il-lallah), tekbirin (Allahu ekber), dhe tehmidin (elhamdulilah).”[16]

Allahu për haxhilerët që e vizitojnë Qabenë tha: “… që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai.” (El-Haxh: 28)

  1. Shqiptimi i tekbirit (Allahu ekber) së bashku me tesbihin (subhanallah), tehmidin (elhamdulilah) dhe tehlilin (la ilahe il-lallah) janë vepra të mira që mbeten përherë, shkak për mbjelljen e pemëve në Xhenet dhe fjalët më të dashura tek Allahu, dhe më të dashura te Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, se çdo gjë mbi të cilën lind dielli (dynjaja dhe çfarë ka në të). Këto ditë është mirë të ngritet zëri me të përmendurit e Allahut, në këmbë, ulur, të hipur në mjet apo duke ecur, në shtëpi dhe rrugë, nëpër xhami dhe rrugica, tregje dhe vende pune.
  2. Ata që njihen për shëmbëlltyrë të mirë në shoqëri dhe myslimanët në përgjithësi duhet ta ngritin zërin me tekbir nëpër xhami, qarqe dhe shtëpi, si dhe nuk ka pengesë, nëse ajo përçohet edhe me mjete të ndryshme që e përçojnë zërin deri në vende të ndryshme (si shembull: zmadhues zëri).
  3. Abdullah ibën Omeri dhe Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, në dhjetë ditët dilnin në treg bënin tekbir dhe njerëzit bënin tekbir me tekbiret e tyre.

Një nga tabi’inët, Mejmun ibën Mehran, Allahu e mëshiroftë, tha: “Në dhjetë ditët e Dhulhixhes pashë njerëz që aq shumë bënin tekbir, saqë tekbirin e tyre e shëmbëlleva me dallgët.”

  1. Me tekbir gjatë dhjetë ditëve sjellim përgëzimin e afrimit të ndihmës së Allahut. Me tekbir u çlirua Hajberi dhe do të çlirohen edhe të tjerat dhe do të mposhten armiqtë, me lejen e Allahut.
  2. Tekbiri është dy llojesh: tekbir i papërcaktuar dhe i përcaktuar.

Tekbiri i papërcaktuar është ai që bëhet gjatë dhjetë ditëve dhe përfundon me përfundimin e ditës së fundit të Teshrikut (dita e katërt e Kurban Bajramit). Shqiptohet në çdo kohë, gjendje dhe vend dhe në çdo situatë, ku lejohet të përmendurit e Allahut dhe myslimani e vepron haptazi dhe me zë ë lartë. Allahu thotë: “… që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe ta përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai.” (El-Haxh: 28)

  1. Tekbiri i përcaktuar bëhet pas namazeve farz dhe fillon nga mëngjesi i ditës së Arafatit, për atë që nuk është në haxh, kurse për haxhilerët fillon nga dreka e ditës së Kurban Bajramit dhe përfundon pas namazit të ikindisë në ditën e tretë të Teshrikut.
  2. Bazë në përcaktimin e kohës së tekbirit të papërcaktuar dhe të përcaktuar janë argumentet dhe gjurmët që kanë ardhur nga shokët e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe nga të parët tanë të mirë.

Prej formave më të njohura të tekbirit që përcillen prej të parëve tanë: “Allahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahil hamd.”

Ka edhe forma të tjera të tekbirit[17] dhe në këtë çështje ka hapësirë për të vepruar.

  1. Pëlqehet agjërimi i nëntë ditëve të Dhulhixhes apo sa të mundet nga këto ditë, ndërsa për vlerën e agjërimit të këtyre ditëve është transmetuar në disa hadithe dhe është vërtetuar prej disa të parëve tanë.

Agjërimi i shlyen mëkatet, është mburojë nga zjarri i Xhehenemit dhe mëkateve. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush agjëron një ditë për hir të Allahut, do t’ia largojë Allahu fytyrën e tij nga zjarri i Xhehenemit për shtatëdhjetë pranvera.”[18]

  1. Agjërimi i ditës së Arafatit për atë që nuk është në haxh është traditë profetike dhe thesar i madh. Agjërimi i saj i shlyen mëkatet e dy viteve: “Agjërimi i ditës së Arafatit, shpresoj dhe llogaris në Allahun t`i falë mëkatet e vitit që kaloi dhe atij që vjen pas tij.”[19]
  2. Më e mira dhe më e plota në agjërimin vullnetar të përcaktuar, siç është rasti me ditën e Arafatit, është që nijeti i agjërimit të bëhet natën në syfyr, që shpërblimi të jetë i plotë dhe jo i mangët.
  3. Është mirë të nxitet familja, fëmijët dhe ata që i kemi nën përgjegjësi, që ta agjërojnë ditën e Arafatit. Seid ibën Xhubejr, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Zgjoni shërbëtorët tuaj në syfyr për ta agjëruar ditën e Arafatit.”
  4. Përkujdesu për gjynahet e tua që të perëndojnë (falen dhe shlyen) ditën e Arafatit me perëndimin e diellit të asaj dite.
  5. Nga tregtia fitimprurëse në këto dhjetë ditë është përfundimi i leximit të Kuranit, me meditim dhe kuptim. Për çdo shkronjë të lexuar Allahu shpërblen me një të mirë dhe ajo shtohet deri në dhjetë, kurse gjatë këtyre ditëve shumëfishimi është i vërtetuar krahas ditëve të tjera.
  6. Namazi më i mirë pas atij të detyruar është namazi i natës[20], andaj myslimani përpjekjen e tij për namaz nate nuk duhet ta përkufizojë me netët e Ramazanit, por të mundohet që edhe gjatë këtyre ditëve të falë namaz nate.
  7. Përpiqu në këto ditë të kesh hise nga fjala e Allahut: “… që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit.” (Ali Imran: 17), dhe nga fjala e Allahut “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 17-18). Kjo kohë, pjesa e tretë e natës, është koha kur zbret Allahu dhe pranohet kërkimi i faljes dhe pranohet lutja dhe ai që kërkon diçka nga Allahu i jepet atij. O Zot mos na privo nga mirësitë dhe dhuntitë e tua.
  8. Lëmosha është një nga adhurimet e mëdha. Ajo është dëshmi dhe argument i imanit të sinqertë, si dhe ajo e fut nën hijen e saj ditën e Kiametit sadakadhënësin. Lëmosha ruan nga përfundimi keq, i shlyen mëkatet, e fik zemërimin e Allahut, është shkak për bereqet në pasuri dhe shtim në risk dhe Allahu ia kompenson pasurinë sadakadhënësit. Nëse jepet gjatë dhjetë ditëve të Dhulhixhes ka më shumë vlerë se kur jepet gjatë ditëve të tjera.
  9. Nga veprat më të dashura te Allahu është gëzimi që fut në zemrën e myslimanit, qoftë me vizitë apo lëmoshë apo me kryerjen e ndonjë nevoje të tij, e vallë sa më e dashur do të jetë te Allahu nëse ajo veprohet gjatë këtyre dhjetë ditëve?
  10. Nga mirësia është interesimi për familjarët e atyre që shkojnë në haxh, bamirësia ndaj tyre dhe përkujdesja për fëmijët e tyre. Andaj “Ai që përgatit dikë të shkojë në haxh apo përkujdeset për familjen e tij pasi të niset për në haxh, është njësoj në shpërblim si haxhiu pa iu pakësuar nga shpërblimi i haxhiut fare.”[21]
  11. Nga adhurimet e mëdha në këto dhjetë ditë është namazi i Kurban Bajramit dhe afrimi tek Allahu me therjen e kurbanit pasi të falet namazi. Të dy adhurimet janë nga traditat e udhëzimit. Allahu thotë: “Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban!” (El-Keuther: 2)
  12. Ai që dëshiron të therë kurban, duhet të mos i shkurtojë qimet e trupit dhe thonjtë gjatë këtyre dhjetë ditëve. Ky adhurim fillon me perëndimin e diellit të ditës së fundit të muajit Dhulkade. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kur ta shihni hënën e Dhulhixhes dhe ndonjëri nga ju dëshiron të therë kurban, le të abstenojë nga shkurtimi i qimeve të tij dhe thonjve të tij.” Në një transmetim tjetër shtoi: “Derisa ta therë kurbanin.”[22]
  13. Ai që mëson se çfarë kërkon, i vjen më lehtë atij të flijojë dhe shpenzojë. Me të vërtetë, malli i Allahu është i shtrenjtë, me të vërtetë, malli i Allahut është Xheneti. Andaj të nxitojmë për në vepra të mira, të pendohemi tek Allahu sinqerisht me braktisjen e mëkateve apo gjynaheve, të ndiejmë keqardhje për atë që e kemi bërë dhe të jemi të vendosur që mos t’i kthehemi më, e nëse mëkati ka të bëjë me hakun e njerëzve atëherë duhet që t’i kthehet haku atij që i është bërë padrejtësi. Pra, këto dhjetë ditë le të jenë një fillim i ri i besëlidhjes me Allahun: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj.” (Et-Tehrim: 8)
  14. Nga mençuria e myslimanit është që gjatë këtyre dhjetë ditëve të bashkojë në mes adhurimeve me karakter jotejkalues (që përfiton vetëm ai vetë) si dhikri, namazi, etj. dhe adhurimeve dhe veprave të mira me karakter tejkalues (që përfitojnë edhe të tjerët përveç vetes), që kështu dobia e tij të shtohet dhe shpërblimet t’i shumëfishohen.
  15. Vepra e mirë si dhe largimi nga mëkatet gjatë këtyre dhjetë ditëve, myslimanin e edukojnë në madhështimin e riteve të Allahut dhe ruajtjen e kufijve të Tij. Këto dhjetë ditë janë pjesë e muajit të shenjtë, ndërsa Allahu për muajt e shenjtë thotë: “Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj!” (Et-Teube: 36); dhe thotë: “Ndërsa kush i madhëron shenjat e fesë së Allahut, e tregon përkushtimin e zemrës së tij.” (El-Haxh: 32); dhe thotë: “Për atë që i nderon ritet e shenjta të Allahut, do të jetë më mirë te Zoti i tij.” (El-Haxh: 30)
  16. Vepra e mirë, pajisja me adhurime dhe mirësi, shfrytëzimi i kësaj sezone e cila nuk përsëritet dy herë brenda një viti, është edukata më e mirë për shpirtin në adhurimin e Allahut dhe shtimin e imanit, dhe njëkohësisht nxitje për të vepruar dhe për të mos u ndalur gjatë tërë vitit.
  17. Gratë tona dhe fëmijët tanë janë amaneti që e bartim mbi supet tona. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Të gjithë ju jeni barinj dhe përgjegjës për kopenë tuaj.”[23]

Andaj të përpiqemi t’i edukojmë fëmijët në madhështimin e këtyre dhjetë ditëve, t’i stimulojmë për adhurime në to dhe t’i stërvitim në adhurime, t’ua qartësojmë vlerën e dhjetë ditëve para se të vijë muaji Dhulhixhe dhe të kenë hapësirë të përgatiten, kurse ne të bëhemi shëmbëlltyrë praktike për ta në madhështimin e këtyre ditëve.

Thesar është të shfrytëzohen këto ditë dhe vepër është të veprohet para se të vijë exheli.

E lus Allahun të na japë suksese neve dhe myslimanëve kudo që janë, në shfrytëzimin e sezonave të mirësive, të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin e mirë të Tij.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Pjesë e librit Sezonet e adhurimit)

[1] Buhariu (969), Tirmidhiu (757).

[2] Buhariu (969) (sh.p)

[3] Sahih et-Tergib ue et-Terhib, shejh Albani (1148), hadithin e vlerësoi shejh Albani si të mirë (sh.p.)

[4] Fet’hul Barij, Ibën Rexheb (9/15).

[5] Dita e Tervijes është dita e Tetë e Dhulhixhes, kur haxhilerët preferohet të shkojnë për në Mina dhe të parapërgatiten për ditën e Arafatit dhe qëndrimin në të. (sh.p.)

[6] Mexhmua el Fetava (25/287), Bedaiul Fevaid, Ibën el Kajim (3/162), Zadul Mead, Ibën el Kajim (1/57), Tefsir Ibën Kethir (5/416).

[7] Fet’hul Barij, Ibën Haxher (2/460).

[8] Shih: Tefsir Ibën Kethir (8/390), Letaif el Mearif, Ibën Rexheb (fq. 268).

[9] Shih: Tefsir el Bagavij (5/379), Tefsir Ibën Kethir (5/415), Letaif el Mearif, Ibën Rexheb (fq. 263).

[10] Letaif el Mearif, Ibën Rexheb (fq. 269).

[11]. Ebu Davudi (1765), shejh Albani hadithin e vlerësoi si të saktësoi.

[12] Dita e freskët është dita që vjen pas ditës së Kurban Bajramit, e ka marrë këtë emër për shkak se njerëzit freskohen dhe pushojnë në Mina, pasi ta kenë kryer tavafin ifades dhe e kanë therur kurbanin. (sh.a.)

[13] Me qëllim që të rrinë zgjuar për adhurim. (sh.p.)

[14] Buhariu (1773), Muslimi (1349).

[15] Letaif el Mearif, Ibën Rexheb (fq. 264), Fet’hul Barij, Ibën Rexheb (14/9).

[16] Imam Ahmedi (5446), kontrolluesit e haditheve të Musnedit të imam Ahmedit hadithin vlerësuan si të saktë.

[17] Buhariu (2840), Muslimi (1153).

[18] ‘‘Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahi elhamd.’’ Prej formave të tjera që përcillen është edhe: ‘‘Allahu ekber kebiren, Allahu ekber kebiren, Allahu ekber ue exhel’l, Allahu ekber ue lilahi el hamd’’ Dhe disa në fund e shtuan edhe shtojcën: ‘’Allahu ekberu ala ma hadana’’ (sh.p)

[19] Muslimi (1162).

[20] Muslimi (1163).

[21] Ibën Huzejme në “Sahih Ibën Huzejme” (1930), shejh Albani e vlerësoi si të saktë.

[22] Muslimi (1977)

[23] Buhariu (2409), Muslimi (1829).

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-