Opoja.net

Disa dispozita rreth kurbanit

Falënderimi i qoftë Allahut ashtu siç meriton vetëm Ai. Dëshmojmë dhe vërtetojmë për Njësinë e tij të pashoqe. Ai nuk është i nevojshëm për ibadetin e njerëzve dhe Atë aspak nuk e dëmtojnë mëkatet e tyre.

Po ashtu dëshmojmë për pejgamberinë e Muhamedit (savs), i cili na ka mësuar si duhet ta bëjmë ibadetin vetëm për Zotin dhe na ka udhëzuar për takvallëk e devotshmëri. Andaj, i dërgojmë përshëndetje dhe salavate të panumërta atij, familjes, shokëve të tij dhe çdonjërit që i përmbahet thirrjes së tij.

Vëllezër besimtarë!

Sot është dita e gjashtë e muajit dhul-hixhe, që do të thotë se jemi në prag të Bajramit të Kurbanit, i cili sivjet është të martën, më 20 korrik 2021. Prandaj, kjo është kohë ideale për t’i përfunduar përgatitjet për kurbanat tonë, në mënyrë që t’i sigurojmë ata,dhe këtë detyrë fetare ta kryejmë si është më së miri.

Me këtë rast, sot, me lejen dhe ndihmën e Allahut, do t’i kujtojmë disa dispozita dhe rregulla të rëndësishme në lidhje me therjen e kurbanave.

Therja e kurbanit është një dispozitë e cila daton që nga koha e Ibrahimit (a.s.), dhe është përcaktuar me qëllim që njerëzit ta përmendin emrin e bukur të Allahut të Gjithëmëshirshëm. Prandaj, para se të bëhet therja e kurbanit, shqiptohen fjalët: ‘Bismil-lahi Allahu ekber!’Dhe vetëm me këto fjalë, kurbani është i vlefshëm dhe mishi i kurbanit është hallall për t’u përdorur. Nga ana tjetër, ana sociale e këtij ibadeti, e cila pasqyrohet në ndarjen e mishit të kurbanit, del në plan të dytë dhe mund të themi se është e rastësishme. Për këtë Allahu i dashur thotë:

“Te Allahu nuk arrin as mishi i tyre as gjaku i tyre, por te Ai arrin vepra e mirë – e bërë nga ju, kështu Ai – ua ka nënshtruar juve ato, për ta madhëruar ju Allahun, që ju ka udhëzuar (në rrugën e drejtë). Dhe, bamirësve merrju myzhde!” (el-Haxh, 37)

Sipas medhhebit hanefij, therja e kurbanit është vaxhib, për çdo person që nuk është udhëtar (musafi)r dhe posedon një nisab. Pra, kush nuk ka nisab, nuk është i detyruar, por nëse ka mundësi për kurban, ai mund ta therë dhe do të ketë shpërblim për të. Një kurban mjafton për një familje. Pra, nuk duhet edhe burri edhe gruaja edhe fëmijët të therin të gjithë kurban veç e veç, por mjafton një kurban për të gjithë ata në një familje.

Kurbani theret pas faljes së namazit të Bajramit, deri në ikindi të ditës së tretë të Bajramit të Kurbanit. Çdo kafshë që theret para ose pas kësaj kohe të theksuar, nuk konsiderohet kurban, por vetëm si sadakë e zakonshme.

Është më mirë për një njeri që vetë personalisht ta therë kurbanin duke e shtrirë në anën e majtë dhe duke e drejtuar nga kibla. Pastaj ta bëjë therjen me një thikë të mprehur më parë. Nëse dikush nuk mund të therë kurban vetë personalisht, atëherë ai mund të autorizojë dikë tjetër që ta bëjë këtë për të, por do të ishte mirë që së paku të ishte i pranishëm me rastin e therjes. Edhe nëse ai nuk mund të jetë i pranishëm, kurbani përsëri do të jetë i vlefshëm për të. Ajo që është më e lehtë për ne, është që kurbanin ta paguajmë përmes Bashkësisë Islame për nevojat e medreseve tona, pagesa e të cilit edhe sivjet e ka vlerën 120 €. Kjo do të na sigurojë që kurbanët të jenë të rregullt, dhe ne gjithashtu, do ta ndihmojmë punën e medreseve tona, të cilat duhet të përgatisin disa qindra ushqime çdo ditë për fëmijët dhe vëllezërit tanë dhe motrat tona, që shkollohen aty.

Ndërkaq, ata që mund ta organizojnë therjen e kurbanit në shtëpitë e tyre, duhet ta kenë parasysh gjithashtu, se në therjen e një lope si kurban, mund të bashkohen më së shumti shtatë persona me të njëjtin nijet. Por, nëse vetëm njëri prej tyre, nga ata shtatë persona, nuk e ka nijet të therë kurbanin e detyrueshëm, asnjëri nga ata persona nuk do ta ketë kurbanin e vlefshëm. Lopa, e cila është caktuar për kurban, duhet të jetë së paku dy vjeçare, ndërsa delja duhet të jetë një vjeçare.

Dy të tretat ( 2/3 ) e mishit të kurbanit duhet t’u shpërndahen fqinjëve, të afërmve dhe të varfërve, ndërsa një e treta ( 1/3 ) mund të lihet nga shtëpiaku për vete dhe familjen e tij. Gjithashtu, me ato që mbetën nga zorrët dhe eshtrat duhet të ushqehen macet dhe qentë, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të varrosen në tokë, sepse mishi i kurbanit nuk është i shenjtë, kurse për ushqimin e kafshëve fitohet shpërblim nga Allahu i Plotfuqishëm.

Lëkura e kurbanit ose mund të përdoret ose të dhurohet, por në asnjë mënyrë nuk guxon të shitet. Pejgamberi (savs), ka tërhequr vërejtjen se:“Kush e shet lëkurën e kurbanit të tij, ai nuk ka kurban.”

Dhe siç është rregull për të gjitha detyrat fetare, që kur të përmbushen, të pasojë shpërblimi, gjithashtu, është edhe kur bëhet fjalë për kurbanin:“Për çdo qime leshi (të kurbanit), ju do të keni sevap.” –ka thënë Muhamedi (savs). Ai gjithashtu ka thënë:“Kush e ther kurbanin me kënaqësi, duke llogaritur në shpërblimin e Allahut, kurbani i tij,për të do të jetë perde nga zjarri.”

Vëllezër të dashur!

Ju në mesin tonë që jeni në gjendje të therni kurban, si dhe ata që janë të obliguar që ta therin, merrni parasysh fjalët e kësaj hutbeje, kështu që përgatitni me kohë kurbanat tuaj.

I lutemi Allahut të dashur, që të na udhëzojë në Rrugën e Drejtë! Që të na e bëjë më të lehtë përgatitjen e kurbaneve tonë, dhe të gjithë ata që therin kurban t’i shpërblejë me një shpërblim të madh.

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm, që të na ndihmojë ta ruajmë fenë islame,
– që t’i ndihmojë vëllezërit tanë në rrezik kudo qofshin,
– që të na japë bereqet në të gjitha gjërat,
– që të na mbrojë nga sprovat që nuk mund t’i përballojmë,
– që t’i mëshirojë prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur,
– që fëmijët dhe pasardhësit tanë t’i bëjë dritë të syve dhe zemrave tona dhe udhëheqës të umetit,
– që të na mëshirojë neve në ditën e Gjykimit, dhe

– që të na nderojë në xhenet me shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

Dita e Arafatit – Dita më e veçantë e vitit

Opoja.net

Vlera e ditës së Arafatit: Pse agjërimi në këtë ditë i fshinë mëkatet e dy viteve?

Opoja.net

”Ditën kur çdo njeri e gjen pranë vete atë që veproi mirë ose keq…

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net