Dragash, 25 shtator – Komuna e Dragashit s’ia del të sigurojë lokacion varrezash, ndonëse më 2009 qe marrë vendimi nga KK-ja për caktimin e lokacionit të tyre.
Ndaj banorët mbesin të zhgënjyer, kur as edhe me buxhetin e vitit të ardhshëm, nga pozicioni për investime kapitale, nuk është paraparë asnjë cent për varrezat.
Disa banorë theksojnë se kjo punë është zvarritur për së tepërmi, duke shprehur dyshimin se moszbatimi i vendimit të KK-së mund të jetë si pasojë e ankesës së vazhdueshme të një numri qytetarësh goranë, të cilët veten e konsiderojnë autoktonë. Kjo zvarritje, tre vjet më parë, i kishte detyruar banorët që të vetorganizoheshin dhe të merrnin nismën për grumbullimin e mjeteve për vendosjen e rrethojave dhe rregullimin e infrastrukturës përcjellëse në lokacionin e caktuar nga Komuna. Por, siç shprehet Sehat Nuhiu, një nga anëtarët e komisionit përkatës, pasi ishte grumbulluar një sasi e konsiderueshme mjetesh, nga disa drejtues të Komunës, ishte kërkuar që të pritej edhe një kohë.
Në debatet publike deri tashti, në vazhdimësi, është kërkuar zgjidhja e kësaj problematike dhe se ishte premtuar se çështja do të merret me prioritet, por, së paku deri tashti, asgjë konkrete. Për më tepër, vendimin për caktimin e lokacionit të varrezave, të cilin KK-ja e kishte marrë më 07.05.2009, e ka shfuqizuar në seancën e 18 dhjetorit të 2012, me arsyetim se lokacioni ekzistues nuk i plotëson kriteret.
Ndërkaq ka marrë vendimin për caktimin e një hapësire tjetër, e cila, siç ishte arsyetuar atëherë është më afër qytetit dhe se për këtë ka pajtueshmërinë e shumicës së qytetarëve. Por edhe pse me rastin e ndryshimit të vendimit ishte theksuar se e tëra kjo bëhet me qëllim që investimet të jenë më të përballueshme, mosaolokimi asnjë cent, nga rreth 2 milionë 300 mijë euro, sa planifikohet të investohen mot në infrastrukturën komunale, i ka zhgënjyer qytetarët.
“Do të presim edhe një kohë se çfarë do të ndërmarrë Komuna. Nëse kësaj çështjeje nuk i jepet prioritet në seancën e radhës të KK-së, e cila pritet të mbahet të hënën, ekziston mundësia që të gjejnë forma të tjera të presionit”, kanë thënë, Nazim Dauti, Myzafer Qusaj e Mahir Berisha, aktivistë. Kryetari i Komunës, Salim Jenuzi, ka nënvizuar se është fakt se qytetarët janë ankuar përkitazi me këtë problem, por që alokimi i mjeteve për investime kapitale nuk është në përgjegjësi të Ekzekutivit. Me përfundimin e disa projekteve me prioritet unë besoj se mund të gjenden mjete edhe për këtë qëllim, por kjo varet nga këshilltarët komunalë”, ka nënvizuar Jenuzi.
Dragashi i ka varrezat e vjetra, por për shkak të mungesës së hapësirës, me mjaft vështirësi kanë mundur të varroseshin banorët e ardhur nga lokalitete të tjera, qofshin ata shqiptarë apo boshnjako-goranë. Ka pasur shumë raste kur qytetarët e kësaj qendre komunale kanë qenë të detyruar që të afërmit t’i varrosnin nëpër fshatrat nga kishin ardhur.
© Opoja.Net
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.