Drejtori i Spitalit të Prizrenit: Trupi i viktimës në spital ka ardhur pa shenja jeta

Opoja.net Opoja.net Kronika

Viktima me iniciale B.Sh. ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin e Prizrenit, pas një shkëmbimi me armë zjarri me zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Drejtori i Spitalit Regjional të Prizrenit, Afrim Avdaj në një prononcim për Betimi për Drejtësi ka thënë se viktima ishte pranuar në spital pa shenja jete, pasi ishte plagosur me armë zjarri. Ai ka shtuar se trupi i viktimës është dërguar në morg.

“Unë nuk jam në punë, por u interesova, sapo kontaktova mjekun kujdestar. Në ora 19:14 minuta është pranuar një person i gjinisë mashkullore i lindur në vitin 1988 pa shenja jete me lëndim me armë zjarri. I vdekuri është vendosur në morg. Organet e rendit janë duke u marrë me rastin”, ka thënë drejtori i Spitalit të Prizrenit për “Betimi për Drejtësi”.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar lajmin se personi me iniciale B.Sh., sot në orët e mbrëmjes është vrarë në Prizren. Viktima ishte në kërkim dhe i njëjti kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët më pas i ishin kundërpërgjigjur.

“Policia e Kosovës, njësiti policor i Drejtorisë Rajonale në Prizren derisa ishte në realizim të detyrave policore, sot në orët e mbrëmjes në lagjen e trimave në Prizren ka hasur në personin e dyshuar (B.Sh. me pseudonimin “qorri”), i cili ishte në kërkim me urdhërarrest për vepër penale ‘Tentim Vrasje’. Personi i dyshuar në momentin kur ka vërejtur njësitin policor, ka filluar të shtijë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje janë detyruar t’i kundërpërgjigjen personit të dyshuar me armë zjarri, të cilët janë mbështetur edhe nga njësitet speciale të PK-së”, thuhet në komunikatë.

Sipas Policisë, nga shkëmbimi i armëve të zjarrit është plagosur personi i dyshuar, të cilit i është ofruar ndihma mjekësore dhe menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor në qendrën spitalore. /BetimipërDrejtësi

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-