Dy orë ushtrime në javë reduktojnë dhimbjet kronike dhe vizitat te mjeku

Opoja.net Opoja.net Shëndeti

Një studim i ri në Britani ka treguar se personat që vuajnë nga dhimbjet në nyja, ije ose shpinë dhe ushtrojnë dy orë në javë ndiejnë më pak dhimbje, vizitojnë më rrallë mjekun dhe mungojnë më pak në punë.

Studimi përfshiu mbi 40 mijë persona dhe analizoi efektet e dy orëve ushtrime javore për 12 javë. Rezultatet treguan përmirësim të dukshëm në cilësinë e jetës dhe nxiti thirrje që Shërbimi Shëndetësor Britanik (NHS) të përfshijë aktivitetin fizik si pjesë të trajtimit standard për sëmundjet muskulore dhe skeletore.

Sipas studiuesve, nëse 3.7 milionë britanikë me dhimbje në nyja do të ushtronin dy orë në javë, përfitimet për familjet, ekonominë dhe sistemin shëndetësor do të arrinin rreth 39 miliardë euro.

Programi falas u zhvillua nga Nuffield Health, Frontier Economics dhe Universiteti Metropolitan i Manchesterit në 110 palestra, ku pjesëmarrësit bënin dy orë ushtrime javore të drejtuara nga specialistë.

Rezultatet treguan:

Dhimbjet u ulën mesatarisht me 35%.

Vizitat te mjeku ranë me 29%.

Ditët e mungesës në punë pothuajse u përgjysmuan.

Nevoja për ndihmë nga familjarët u ul me 21%.

Drejtoresha e Nuffield Health, Dr. Davina Deniszczyc, tha: “Ushtrimet e përshtatura sipas nevojës janë një nga trajtimet më efektive për sëmundjet kronike. Integrimi i tyre në sistemin shëndetësor do të ndryshonte jetën e miliona njerëzve në mënyrë që asnjë ilaç nuk mund ta bëjë.”

Analiza në rajonin Greater Manchester tregoi se përfitimet për 184 mijë pacientë do të kapnin rreth 2 miliardë euro, ndërsa në nivel kombëtar, përfitimet mund të arrijnë 39 miliardë euro, përfshirë:

Rreth 20 miliardë nga përmirësimi i shëndetit

Rreth 14 miliardë për familjarët

Rreth 1 miliard për ekonominë

264 milionë kursime të drejtpërdrejta për NHS

Nick Woolley nga Frontier Economics theksoi se pjesëmarrësit që në fillim nuk mund të punonin, pas 12 javësh pothuajse një në dhjetë ishte rikthyer në punë. Profesori Tim Cable shtoi se ky program mund të shërbejë si model për një program kombëtar të ushtrimeve nën kujdesin e NHS.

Megjithatë, Deborah Alsina nga Versus Arthritis theksoi se ushtrimet ndihmojnë, por nuk janë zgjidhje e plotë: “Shumë njerëz hasin vështirësi për t’i përshtatur ato me jetën e përditshme dhe përballen me vonesa në diagnostikim, mungesë trajtimesh dhe mbështetje të kufizuar nga NHS.”

Programi gjashtëjavor Escape Pain, që kombinon edukim, ushtrime dhe vetëmenaxhim, është përdorur nga 15 mijë pacientë dhe ka treguar rezultate pozitive për pacientët dhe kursimet për NHS.

Një zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë dhe Kujdesit Social shtoi: “Synimi ynë është të transformojmë NHS-në nga një sistem që trajton sëmundjen, në një sistem që e parandalon atë, duke përdorur edhe teknologjinë për të ndihmuar njerëzit të qëndrojnë aktivë, sidomos në zonat më të varfra.”

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-