Çmimin vjetor ‘Saharov për Lirinë e Mendimit’, Parlamenti Evropian ia ndau popullit të Ukrainës për ta nderuar luftën e tyre kundër pushtimit rus.
Presidentja e këtij trupi legjislativ, Roberta Metsola, kur i shpalli fituesit tha: “Ata po ngrihen për atë që besojnë. Për të luftuar për vlerat tona. Për mbrojtjen e demokracisë, lirisë dhe sundimit të ligjit. Ata po rrezikojnë jetët e tyre për ne”.
“Nuk ka tjetër më të merituar për këtë çmim”, shoti ajo.
‘Saharov’ është një çmim nderi për individë ose grupe që i kanë kushtuar jetën e tyre mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirisë së mendimit, i emëruar sipas shkencëtarit dhe disidentit rus, Andrei Sakharov.
Që nga dhjetori i vitit 1988, kur nisi të ndahej ky çmim nga Parlamenti Evropian, me të u nderuan afro 50 laureatë – ku në mesin e tyre ndodhen edhe dy shqiptarë nga Kosova.
Adem Demaçi
I pari shqiptar që u nderua me këtë çmim ishte veprimtari i çështjes kombëtare Adem Demaçi, i njohur edhe si “Mandela i Ballkanit”.
Adem Demaçi – veprimtar i çështjes kombëtare
Në moshë të re ai nisi të avokojë për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë gjë që i kushtoi me 28 vjet burgim në total.
Burgimi i tij nisi në moshën 22 vjeçare, sapo kishte botuar romanin e tij të parë “Gjarpinjtë e gjakut”. Të parën herë ai u dënua me tre vjet burgim, të dytën me dhjetë dhe të tretën me pesëmbëdhjetë vjet burgim.
Ai u lirua përfundimisht më 21 prill të vitit 1990 dhe një vit më pas u nderua me çmimin ‘Saharov’ për “kundërshtimin e tij ndaj një regjimi autoritar dhe intolerant”.
Ibrahim Rugova
Shqiptari i dytë që u nderua me këtë çmim prestigjioz ishte presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, i njohur edhe si “Gandhi i Ballkanit”.
Ibrahim Rugova – president historik i Kosovës
Rugova ishte president i zgjedhur me votë nga një shumicë dërmuese e popullit të Kosovës nga që nga viti 1992. Ai drejtoi një rezistencë paqësore kundër sundimit jugosllav.
Gjatë udhëheqjes së tij, ai loboi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe të Evropës, posaçërisht gjatë luftës në Kosovë 1998-99.
Në vitin 1998, Parlamenti Evropian e nderoi Rugovën me çmimin ‘Saharov’ duke e cilësuar si një njeri të përkushtuar ndaj parimit të rezistencës paqësore ndaj dhunës.
“E konsideroj këtë çmim si nder për mua dhe për të gjithë popullin e Kosovës, njohjen e luftës sonë paqësore dhe sakrificave tona”, ishte shprehur ai.
Ibrahim Rugova ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006 [dy vjet para shpalljes së Kosovës si shtet të pavarur nga Serbia]. Ndërsa Adem Demaçi ka ndërruar jetë më 26 korrik të vitit 2018 [dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë].
Të dy ata u varrosëm me nderime të larta shtetërore dhe tani eshtrat e tyre pushojnë pak metra larg njëri tjetrit në lagjen “Velania” në Prishtinë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.