Opoja.net

E dua pa kushte këtë vend..!

Islame
E dua pa kushte këtë vend..!

E dua këtë vend; tokën e tij, ajrin e tij, nxehtësinë e tij, zhurmën e tij, turmat përherë në rritje drejt tij, ezanin e tij, ikametin e tij, namazin në Haremin e tij, fytyrat e panjohura plot kureshtje në kërkim të paqes para duarve të Ma të Shenjtës e Ma të Nurshmes Xhami, lutjet pa ndërprerje, bamirësinë në gene, vëllazërinë në bebe të syve, durimin dhe heshtjen plot dinjitet, Dritën që veç këtu falet e shpërndahet..!

E dua këtë tokë, që mban në thellësitë e saj sekretet e përkushtimit dhe nënshtrimit ndaj Fjalës së Zotit të gjithësisë, përkthyer në sakrificë sublime nga e shtrenjta familje e Ibrahim Halilit..!
E dua këtë tokë me krejt bukuritë e saj; turmat e panumërta nga mbarë globi, që sa vijnë e rriten nga viti në vit, duke u konvertuar në mesazhe të gjalla shprese dhe optimizmi për botën mbarë..!

E dua këtë tokë me krejt gumëzhitjen e pandërprerë të vizitorëve të saj, që teksa mbushin horizontet me tekbire e përgjërime, përhapin gjithandej impulset e Rimëkëmbjes së pakthyeshme, në çdo cep të botës sonë..!

E dua këtë vend, Zoti i të cilit: „i ushqen nga uria dhe i siguron nga çdo frikë“, për të dëshmuar krejt bota në dilemë, se shpirti i Thirrjes sonë nuk është frika, as shkatërrimi, as urrejtja, as vrasja, as anarshia, as padija, as mungesa e vetëdijes, as mungesa e organizimit, as përhumbja e shitja e dinjitetit..!
E dua këtë vend, prej ku, Ma i Miri i gjithësisë, ndriçoi historinë e njerëzimit dhe të ardhmen e tij, deri në kiamet, me Dritën e Fjalës dhe Urtinë e Shembullit..!

E dua pa kushte këtë vend, që justifikon me çdo detaj të tij, të shtrenjtën dhe të pazëvendësueshmen Dashni..!

Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, 27 gusht 2017

Ta bësh shpirtin fole mëshire

Opoja.net

Dëshpërimi dhe humbja e shpresës në mëshirën e Allahut, është mëkat më i madh…

Opoja.net

Kjo është çështje feje, jo lojë dhe argëtim!

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net