[bp-story-admin]
Rrëfim nga Ylber Qusaj,16 vjeç, prej Pllajniku, Opojë:
“Fshati im është afër bjeshkës dhe shtrihet në Malin e Sharrit. Është një fshat i vogël me 50 shtëpi dhe me afër 400 banorë. Me 29 mars, aty kah mesdita mbi fshatin tonë erdhën shumë forca policore dhe ushtarake serbe. Nisën të gjuajnë në ajër me automatik, që ne të frigoheshim. Përveç policisë dhe ushtrisë kishte edhe civilë t’armatosur, njerëz të Gorës. Këto njerëz ishin të njohur në fshat, sepse në një vend që ne e quajmë Trakth, kohët e fundit kishte shumë njerëz të armatosur të komunitetit goran.
Në orën 15.30, një banorit të fshatit tonë, quhej Bajram, tek kulloste delet mbi fshat i thonë të lëshojmë fshatin deri në orën 16 dhe të niseshim drejt Shqipërisë, përndryshe do digjeshin shtëpitë dhe do na pushkatonin të gjithëve. Çobani e solli lajmin, por të rezistonim nuk kishim armë dhe ishim të paorganizuar. Vumë re se nga ana e sipërme e fshatit forcat policore dhe ushtarake po thyenin dyert e shtëpive dhe po i nxirrnin njerëzit me forcë. Kështu u detyruam të lëshojmë fshatin. A pata frikë? Shumë. Njerëzit u futën nëpër traktorë, disa nëpër makina. Babi im ishte në gurbet, n’Austri. U futëm në një traktor më shumë se 40 vetë, disa ulur, disa në këmbë. U friguam shumë: Ç’do të bëhej me ne?
Kishte thashetheme se do na çojnë në Maqedoni, flitej se edhe në Shqipëri, por edhe në Serbi. Panik i madh e s’di ta përshkruaj sepse nuk jam i lëmisë së letërsisë, por i mjekësisë. Në çastin kur policët dhe ushtarët serbë u futën në krejt fshatin ne pothuajse e lamë atë. Vazhduam rrugën për në Shqipëri. Ishim më shumë vetë, thuajse krejt katundi dhe në Zhur erdhëm për afër dy orë. Ndejtëm sipër Zhurit një natë. Gjatë ndejtjes aty shumë policë dhe ushtarë serbë vinin afër nesh me automjete luksoze; shumë njerëzve nga kolona jonë ua merrnin makinat. Mbas dy ditë udhëtimi arritëm në Kukës. Qe data 2 prill. Aty na pritën në mënyrë të organizuar, një natë qendruam në hyrje të Kukësit, mandej ditën e nesërmë hymë në një shkollë. Aty ndejtëm afër një javë dhe familja ime me disa familje të tjera shkuam në Kodër Lumë. Aty na priti Destan Sinani. Ai na lëshoi shtëpinë. Ishte vetëm 4 dhomëshe dhe aty po qendrojmë. Nderim i lartë për atë familje që na priti me shumë dashni!
Edhe organizata të ndryshme na ndihmuan me bukë e me veshje. Unë po mërzitem tepër se më parë ndiqja mësimin në vitin e parë të shkollës së mesme “Luciono Motroni” Dragash, drejtimi Mjekë-si e përgjithshme. Kur do ta fillojmë shkollën? Është pyetja që ia drejtoj vetes dhe mësuesve të mi që i takoj nëpër Kukës. Mbas një jave që erdhëm në Kukës filloja të ndihmoj në Kampin Italian Kodër Lumë si teknik medicinal me disa mjekë shqiptarë dhe italianë.
Mbas një muaji filluam mësimin në Gjimnazin e Kukësit dhe vazhdojmë aty, mirëpo nuk kemi ndonjë program special.
Në klasën time jemi 40 nxënës prej Kosove dhe kujdestar është Xhevdet Ibrahimi”.
( Nga Ditari i shkrimtarit Petrit Palishi, Kukës)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.