Konsumimi i përditshëm i kafesë mund të ulë rrezikun për sëmundje të mëlçisë ose kancer të mëlçisë, ka gjetur një studim i ri i madh – madje edhe nëse pini pesë ose më shumë filxhanë në ditë.
Gjetjet bazohen në më shumë se 354,000 pjesëmarrës, të cilët studiuesit i kanë ndjekur për më shumë se një dekadë, sipas studimit të publikuar të mërkurën në revistën “Clinical Gastroenterology and Hepatology”.
“Kjo është ndoshta të dhënat më gjithëpërfshirëse të ndjekjes afatgjatë për ndikimin e kafesë,” tha autori kryesor i studimit, Dr. Hyunseok Kim, hepatolog i transplantit në Cedars-Sinai Medical Center në Los Angeles. “Ne shohim se përfitimi për mëlçinë nga kafeja ndoshta nuk vjen nga kafeina, sepse shohim përfitime të ngjashme edhe te ata që pinë kafe pa kafeinë. Pra, duket se lidhet më shumë me efektin antioksidues të kafesë.”
Në studim, studiuesit matën sëmundjet e mëlçisë sipas numrit të rasteve të cirrozës — një dëmtim dhe shkatërrim i përhershëm i mëlçisë që mund të vijë nga sëmundje të ndryshme afatgjata, përfshirë sëmundjen e mëlçisë së yndyrshme, hepatitin viral, sëmundjet e lidhura me alkoolin dhe të tjera, veçanërisht kur nuk trajtohen. Cirroza prek më shumë se 58 milionë njerëz në botë dhe shkakton rreth 1.5 milion vdekje çdo vit, raporton CNN.
Karcinoma hepatocelulare, lloji i kancerit të mëlçisë i analizuar në studim, është kanceri më i zakonshëm i mëlçisë, me rreth 685,000 raste dhe mbi 597,000 vdekje çdo vit në botë.
Studiuesit gjetën se efekti mbrojtës i kafesë rritej me sasinë e konsumuar: 1–2 filxhanë në ditë u shoqëruan me 20% rrezik më të ulët për cirrozë, 24% rrezik më të ulët për kancer të mëlçisë dhe 31% më pak vdekje nga sëmundjet e mëlçisë. Tre deri në katër filxhanë në ditë u lidhën me 35% rrezik më të ulët për cirrozë dhe kancer të mëlçisë, si dhe 41% më pak vdekje nga sëmundjet e mëlçisë. Pesë ose më shumë filxhanë u shoqëruan me 32% rrezik më të ulët për cirrozë, 47% ulje të rrezikut për kancer të mëlçisë dhe 42% më pak vdekje nga sëmundjet e mëlçisë.
“Këto janë shifra domethënëse për diçka aq të zakonshme sa një filxhan i përditshëm kafeje,” tha dietologia Lauren Manaker, e cila nuk ishte e përfshirë në studim. Por ajo theksoi se “këto janë lidhje, jo provë e shkakut”.
Studiuesit gjithashtu zbuluan se përfitimet tek ata që shtonin sheqer ose ëmbëlsues ishin pak më të ulëta, por gjithsesi të ngjashme. Megjithatë, rekomandohet kujdes me sasinë e sheqerit, ëmbëlsuesve artificialë dhe kremrave të përpunuar.
Pjesëmarrësit që përdornin ëmbëlsues kishin gjithashtu shenja më të larta të inflamacionit në mëlçi, tha Kim.
Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon kufizimin e sheqerit të shtuar në jo më shumë se 6% të kalorive ditore, ndërsa FDA rekomandon kufizimin e kafeinës deri në 400 mg në ditë për të rriturit e shëndetshëm (rreth 2–3 filxhanë kafeje 12-onshe).
Për të mos ndikuar në gjumë, ekspertët sugjerojnë të mos konsumohet kafe të paktën 6 orë para gjumit.
Në studim u pa gjithashtu se pijet e kafesë lidhen me profile më të shëndetshme të proteinave të mëlçisë, më pak yndyrë dhe inflamacion.
Megjithatë, studimi ka disa kufizime: konsumi i kafesë është matur vetëm në fillim dhe pas 10 vitesh, gjë që mund të mos pasqyrojë saktë zakonet afatgjata. Po ashtu, mbi 90% e pjesëmarrësve ishin evropianë dhe relativisht të kujdesshëm për shëndetin, ndaj rezultatet mund të mos vlejnë njësoj për popullata të tjera.
Studiuesit theksuan se nevojiten kërkime të mëtejshme për të konfirmuar këto gjetje në grupe më të ndryshme njerëzish.
Megjithatë, antioksidantët në kafe, pavarësisht kafeinës, mund të ulin proceset inflamatore që çojnë në dëmtim të mëlçisë.
Përveç mëlçisë, studime të tjera kanë lidhur kafenë me rrezik më të ulët për diabet të tipit 2, sëmundje të zemrës, goditje në tru, demencë dhe sëmundje të tjera kronike.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

