Edukimi i vetes

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Që kur shejtani i mallkuar e ka nisur rrugën si “armiku i njeriut” dhe që kur e ka parë se mund ta përdorë kundër njeriut një potencial që gjendet brenda këtij të fundit, ai vazhdon të jetë i preokupuar me njeriun. Për këtë arsye, përpiqet ta pengojë njeriun që dëshiron të shkojë drejt e te Zoti (xh.sh.). Për ta arritur këtë qëllim, mundohet t’i zbrazë sjelljet apo veprat e njeriut nga sinqeriteti ndaj Zotit (xh.sh.) dhe t’i mbushë me shkatërrimin e tij. Shejtani është preokupuar me njeriun e parë. Ai ia bëri të mundur njeriut të parë kundërshtimin Zotin. Kështu që ia doli mbanë që ta zbriste atë nga Xheneti. Për këtë arsye, Shejtani dhe mundësia e tij për ta përdorur potencialin e brendshëm të njeriut, vazhdimisht do të jetë  tema kryesore e të gjitha kohërave.

Le t’i hedhim një sy Kuranit Fisnik:

Me të vërtetë, “fusha e veprimit” të shejtanit është shumë e gjerë dhe shkatërruese. Për shembull, atij i jepet mundësia për ta mashtruar atë që mundet dhe për ta devijuar në ligësi. (Shik. Isra, 64) Në të njëjtën mënyrë, atij i është dhënë potenciali për t’u bërë ortak në pasuritë dhe fëmijët e njerëzve. (I njëjti ajet)

Njeriu nuk mund ta shikojë shejtanin, por shejtani mund ta shikojë njeriun. Shejtani mund t’i afrohet njeriut nga ana e djathtë, nga ana e majtë, nga përpara dhe nga mbrapa. Në këtë mënyrë, përpiqet ta zvarrisë diku njeriun. Këtu bëhet fjalë për një qenie të padukshme dhe për vesveset e pazëshme që ndoshta njeriu pandeh se i vijnë nga bota e tij e brendshme…

Sipas informacionit që na jep Kurani Fisnik, shejtani i mallkuar e ka mundësinë t’i sulmojë njerëzit duke e mbledhur forcën me luftëtarët dhe kalorësit e tij. Domethënë, pasuesit e shejtanit mund të bëhen një fuqi e tmerrshme. Kjo është një fuqi që mund t’i bëjë ushtarë edhe fëmijët dhe pasuritë e njerëzve…

Shejtani ka pasuesit e tij. Shejtani ka thirrësit (median) e tij. Shejtani formon ushtri të posaçme për vete (xhunudu iblis). Shejtani ka vëllezër dhe miq. Ai është një qenie që nxit dhe që provokon. Shejtani u thotë miqve të tij që të luftojnë me ata që nuk devijojnë nga rruga e Allahut. (Shik. Surja En’am, 121.)

Shejtani i mallkuar i zbukuron gjërat e këqija dhe i bën të pranueshme, duke i shfaqur si të bukura. Domethënë, këto vepra të shëmtuara i shfaq në një mënyrë të përshtatshme me shpresat dhe këndvështrimet e njerëzve… Pra, u bën makijazh atyre… Nganjëherë i shtyn njerëzit që të bëjnë vepra të shëmtuara si vrasjen e fëmijëve në mitrën e nënës duke i frikësuar me varfëri. (Shik. Surja Bekare, 268.) Kjo do të thotë se shejtani e kupton psikologjinë e njeriut dhe se ka zhvilluar metoda mashtruese sipas çdo njeriu.

Shejtani nganjëherë futet te njeriu si shok… (Shik. Surja Zuhruf, 36.)

Shejtani nganjëherë i tërheq njerëzit drejt premtimeve boshe, u jep fjalën dhe i bën të shpresojnë të këto premtime. (Shik. Surja Nisa, 119-120.)

Shejtani e ka nisur rrugën me pohimin për t’i shtyrë njerëzit në gjëra që nuk i pranon mendja dhe thotë: “Unë do t’i urdhëroj dhe ata do ta ndryshojnë krijimin e Allahut.” (Shik. Surja A’raf, 119.)

Më sipër thamë se shejtani i përdor potencialet që ka brenda njeriu për ta zbatuar në jetë të gjithë projektin shkatërrues. Cilat janë këto potenciale? Pasioni seksual, pasioni për pasuri, dëshira për pushtet, dashuria e thellë kundrejt fëmijës, dëshira për të jetuar përgjithmonë… Këto janë edhe fushat jetike të njeriut, edhe potencialet që shejtani të hyjë brenda njeriut. Siç e thamë, këto janë potencialet tona që kanë ardhur në ekzistencë bashkë me njeriun.

Shejtani ia doli mbanë për t’i shtyrë Hz. Ademin dhe Hz. Havanë në mëkat dhe arriti t’i bënte ta hanin frtutin  e ndaluar. Jusufi, alejhi’s-selam, u gjend në një pozicion të vështirë nga aspekti i pasionit seksual, me të cilin njerëzit do të përballen gjithmonë. Ai u strehua te mirësia hyjnore, duke mundur veten e kaloi me sukses sprovën.

Karuni u bë simboli i tërbimit nga pasioni për pasuri. Faraoni u bë simboli i dëshirës së tepërt për pushtet, e cila mund ta zvarrisë njeriun deri aty ku ai mund të pohojë se është zot.

I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, na njofton se shejtani qarkullon nëpër damarët e njeriut, si një mikrob i ndonjë lloj sëmundjeje vdekjeprurëse. Këto lloj sëmundjesh potenciale, gjithmonë gjenden te njeriu dhe vetëm kur struktura e tij i humbet mundësitë për t’u mbrojtur, gjë e cila cilësohet si dobësim i sistemit imunitar, dalin në pah dhe e rrëzojnë njeriun përtokë. Kjo është e njëjtë për njerëzit e të gjitha kohërave. Edhe në kohën e të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam, gjendej shejtani i mallkuar dhe potenciali i brendshëm i njeriut që ia jepte atij këtë mundësi. Shejtani ia vuri zinxhirin në hundë Ebu Xhehlit dhe e mori me vete. Ai lozi edhe me zemrat e besimtarëve. Disa i rrëzoi përtokë, por prapë se prapë ata e mblodhën veten duke u penduar përsëri. Disa të tjerë i hodhi në fatkeqësinë e hipokrizisë.

Sahabët e nderuar u edukuan pikërisht nga vetë i Dërguari i Allahut (s.a.s.). U kapën me dorën e tij, e panë, e dëgjuan dhe zemrat e tyre rrihnin për zemrën e tij. Por prapë se prapë, dikujt i rrëshqiti këmba në luftë, dikush kundërshtoi në ndarjen e plaçkës së luftës, dikush rrëshqiti në sprovën e imoralitetit, këtu le të mendojmë për sahabin që i tha: Kam bërë zina, andaj më pastro!, dikush kështu e dikush ashtu… Sprova e njeriut nuk do të mbarojë përderisa ai të jetë mbi këtë tokë. Mirë, por kjo koha jonë, çfarë kohe është? Si do të jetë disiplina për ta mbrojtur botën tonë të brendshme nga shejtani në këtë kohë? A ka ndonjë ndryshim kjo kohë, për shembull në fushën e imoralitetit, nga koha kur ka jetuar Hazreti Jusufi? A thua vallë njeriu i kësaj kohe është më i dobët se në periudhën e Faraonit kundrejt dëshirës së zjarrtë për pushtet? Mos vallë njeriu i kohës së sotshme e ka më të zjarrtë dëshirën ndaj pasurisë, familjes dhe fëmijëve se njeriu para një mijë vjetësh?

Si përgjigje ndaj kësaj pyetjeje mund të themi: “Sistemi është i njëjti sistem, por kanë ndryshuar mjetet.” Si thotë Hz. Mevlana: “Brenda njeriut gjendet edhe Musai, edhe Faraoni.” Domethënë se cilitdo që t’ia hapim rrugën, ai do ta marrë pushtetin në trupin tonë. Mjedisi i imoralitetit që e servir shejtani në formën: “I kam përgatitur të gjitha. I kam mbyllur dyert… Eja pra, çfarë po pret!”, është “mjedisi më i fuqishëm” për t’i mashtruar njerëzit në të gjitha kohërat. Kështu ka qenë edhe para tri-pesë mijë vjetësh, kështu është edhe sot.

Mund të thuhet se “në këtë kohë” shejtani ka arritur një fuqi të madhe, e rrethon nga çdo anë njeriun, sikur po e mbyt. Ushtarët e tij që i ka formuar nga lloji i njerëzve, janë të preokupuar për t’i dhënë sa më shumë mundësi atij. Për shkak të kësaj, shejtani jo vetëm që qarkullon nëpër damarë, por edhe të gjithë atmosferës ku marrim frymë pothuajse i ka hedhur pluhurin e shkatërrimit të tij. Në këtë mënyrë, njeriu është i rrethuar prej shejtanit nga ana e djathtë, nga ana e majtë, nga përpara, nga mbrapa, nga lart dhe nga poshtë.

A nuk mund ta kuptojmë këtë hadith fisnik si një paralajmërim të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), për një “kohë të ndryshme”?

“Për ata që kapen pas Sunetit tim në një kohë kur umeti do të pësojë shkatërrim, do të ketë sevape sa njëqind dëshmorë.”(Taberani, “el-Evsat”; vëll. 2, fq. 31.)  Përsëri i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thotë:

“Do të vijë një kohë që për ta zbatuar Islamin do të jetë si të mbash prush në dorë.” I Dërguari i Allahut (s.a.s.), ato ditë i cilëson si ditët e durimit. “Kapja pas Sunetit” mund të kuptohet si të kapurit pas Islamit që e ka zbatuar/përjetuar i Dërguari i Allahut, pasim i të Dërguarit të Allahut, kapja për dore e tij, ecja në gjurmët e tij dhe të qenët bashkë me atë.

Në të vërtetë, siç mund të ketë mjedise prishjeje në periudha të ndryshme të kohës, mund të ketë edhe për formimin e vendeve për t’u mbrojtur. E fshehta e kësaj pune është që njeriu të mos e humbasë dhe të mos e harrojë pikën më të lartë të tij. Kjo pikë e lartë është lidhja që njeriu ka me Zotin. Pra, e gjithë çështja është nëse e harrojmë apo nuk e harrojmë këtë.

Ja çfarë thuhet në dy ajetet fisnike të mëposhtme:

“Ata i ka vënë poshtë djalli dhe i ka bërë që të harrojnë përmendjen e Allahut. Ata janë pala e djallit; në të vërtetë, pala e djallit janë humbësit.” (Muxhadele, 19)

“Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’ia caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” (Zuhruf, 36)

Ai që e harron Allahun, bëhet pjesëtar i pasuesve të shejtanit. Ai që e harron Allahun, bëhet palë e shejtanit. Më së fundi, bëhet mik i tij. Atëherë, çfarë duhet të bëjmë? Nuk duhet ta harrojmë Allahun dhe duhet të marrim edukatën: “Kudo që të jemi, Ai është me ne.” Nuk duhet ta nënvlerësojmë luftën që shejtani vazhdon ta bëjë kundrejt njeriut dhe duhet të përgatitemi kundër fushave të ndërhyrjes së tij siç përmenden në Kuranin Fisnik. A nuk mund ta kuptojmë ajetin e mëposhtëm brenda kornizës së luftës kundër shejtanit, të cilin Zoti (xh.sh.), e cilëson si “armiku i njeriut”.

“Përgatisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni, që të tmerroni armikun e Allahut dhe armikun tuaj, si dhe të tjerë, përveç tyre, të cilët ju nuk i njihni, por që Allahu i njeh. Çfarëdo që të shpenzoni në rrugën e Allahut, do t’ju shpërblehet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtësi.” (Enfal, 60)

Ne duhet të jemi të përgatitur kundër luftës. Atë ditë i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, ka thënë: “Fuqia është gjuajtja.” Atë kohë gjuajtja bëhej me shigjetë. Ndërsa sot gjuajtja ka me mijëra forma. Gjuajtja e fjalës, gjuajtja e pamjes, gjuajtja e mesazhit, gjuajtja e raketës, etj. Për këtë arsye, ne duhet ta kuptojmë ndotjen e ajrit që e thithim dhe duhet të prodhojmë filtra shpirtërore kundrejt kësaj ndotjeje. Gjithashtu, nuk duhet të gjendemi në mjedise ku sundon shejtani. Pra, duhet të zhvillojmë mjedisin tonë. “Kur të shohim ndonjë të keqe, të paktën duhet ta urrejmë me zemër dhe të rezistojmë kundër saj nëse janë konsumuar të gjitha mundësitë për ta ndaluar si ndërhyrja me dorë apo me gjuhë.”

Ne duhet ta dimë se lufta kundër bashkëpunimit të shejtanit me nefsin është një luftë shumë e vështirë dhe duhet të marrim ndihmë nga udhëzuesi i kësaj rruge. Vite më parë, patëm nënvizuar marrjen e këtyre masave:

-Njeriu, për t’u mbrojtur nga shejtani, duhet t’i kuptojë mirë ndjenjat që i vijnë nga brenda dhe t’i ndjejë “frymëzimet e djallit”.

-Shtëpitë kanë nevojë për një ndjeshmëri të veçantë, në mënyrë që të mbrohen nga shejtani. Çfarëdo që të jetë e nevojshme, duhet ta bëjmë, në mënyrë që të mos biem në fatkeqësinë për ta pranuar si mysafir shejtanin në shtëpinë tonë. Shtëpitë është kusht që të dezinfektohen, në mënyrë që të pastrohen nga gjurmët e shejtanit.

-Kurrë nuk duhet t’ia japim mundësinë shejtanit që të ketë një bazë të përbashkët as te vetja jonë dhe as te fëmijët.

-Kur shejtanët ta mbledhin të gjithë fuqinë e tyre dhe të na sulmojnë, ne duhet t’i kemi rrugët e hapura për t’u strehuar te Allahu Teala. Pra, nuk duhet t’i kemi humbur këto rrugë.

-Asnjëherë nuk duhet ta humbasim vullnetin për t’u bërë prej njerëzve që nuk dalin nga rruga e Zotit (xh.sh.), kundrejt armiqësisë së tmerrshme të shejtanit.

-Kurani Fisnik pasi i konsideron disa vepra si vepra të “injorancës”, ndër të cilat mund të përmendim alkoolin, bixhozin, adhurimin e idhujve dhe shigjetat e fallit, i  cilëson ato si “punë të shejtanit” dhe “punë të ndyra”. (Shik. Surja Maide, 90.) Atëherë, duart, sytë, veshët dhe zemrën nuk duhet t’i fusim në punët e shejtanit dhe nuk duhet t’i lejojmë të përlyhen me ato.

-Ne duhet të shfaqim një ndjeshmëri të jashtëzakonshme, në mënyrë që asnjë vepër apo sjellje e jonë të mos hyjë në statusin e “luftës në rrugë të shejtanit”. (Shik. Surja Nisa, 76.)

-Ai që na prin, duhet ta përvetësojë lidhjen me Allahun e Madhëruar. Asnjëherë nuk duhet të kemi një stil jete që mund të cilësohet si “pasim i hapave të shejtanit”. (Shik. Surja Bekare, 168, 208.)

-Mënyra devijuese më interesante e shejtanit është “paturpësia” dhe pastaj të gjitha ligësitë e tjera. (Shik. Surja Nur, 21.) Paturpësia dhe të gjitha ligësitë e tjera për ne duhet të jenë një zjarr përvëlues sikur kapja e shejtanit për dore.

-Ecuria e shejtanit në mënyrë djallëzore ka filluar me diskutimin dhe kundërshtimin e urdhrit të Allahut Teala. Nisur nga kjo, ndjeshmëria më primare e besimtarit duhet të jetë bindja dhe zbatimi i urdhrave të Allahut Teala me një nënshtrim shpirtëror.

-Dhe e fundit: Ne duhet t’i kërkojmë mbrojtje Allahut (xh.sh.), kundrejt çdo lloj hileje të shejtanit…

Atëherë, le të fillojmë:

Eudhu bil-lahi mine’sh-shejtani’rr-rraxhim!.. I kërkoj mbrojtje Allahut prej shejtanit të mallkuar!..

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-