Esat Shala, 34-vjeçari nga fshati Krajkovë i Komunës së Drenasit në Kosovë, ka koleksionuar në mënyrë vullnetare mbi 2.000 video-kaseta të minutazhit të gjatë të qindra masakrave dhe ngjarjeve që lidhen me luftën që nga fillimvitet e 90-ta deri në përfundimin e Luftës së Kosovës në vitin 1999.
Esati ishte vetëm 12-vjeçar kur në Kosovë shpërtheu lufta masive e vitit 1999. Forcat serbe sikurse gjithë fshatit edhe atij ia kishin djegur shtëpinë, ndërsa nga familja e ngushtë i ishte vrarë motra tij e madhe.
22 vjet më vonë, ai thotë se burgosjet politike të anëtarëve të familjes së tij, zhdukja e disa të tjerëve si dhe vrasja e motrës së tij, janë bërë arsye për të, që t’i hyjë punës së mbledhjes së këtyre video-kasetave. Gjithë kjo, si dëshmi e cila herët ose vonë do t’i hyjë në punë drejtësisë qoftë vendore apo asaj ndërkombëtare apo të shërbejë si kujtesë për gjeneratat e ardhshme.
Në një nga dhomat e shtëpisë së rindërtuar pas luftës, Esati, si i papunë, e kalon pjesën më të madhe të ditës, duke shikuar, analizuar, kopjuar e mirëmbajtur një pjesë të video-kasetave të tij, të cilat i ka mbledhur që nga paslufta nga njerëz e vende të ndryshme nëpër Kosovë. Një pjesë tjetër e tyre, ai bën të ditur se gjendet tek bashkëpunëtori i tij i vetëm, profesori Nysret Pllana në Prishtinë. Ata posedojnë video-incizime të të gjitha masakrave të Kosovës, përpos Masakrës së Poklekut.
“Duke marrë parasysh që pas përfundimit të luftës që shteti nuk ka bërë asgjë për këto krime, për këtë gjenocid që ka ndodhur në Kosovë, unë pata filluar pas përfundimit të luftës duke shikuar incizime të ndryshme të luftës në Youtube dhe kam kërkuar gjithmonë që të gjejë diçka më shumë përveç incizimeve të pakta që i kam parë. Kam filluar të grumbulloj incizime të ndryshme, një kasetë aty – një diku tjetër dhe filloi të më hyjë në gjak kjo punë”, tha Shala në një prononcim për Anadolu Agency (AA).
Ai thotë se ende nuk e konsideron të përfunduar punën grumbulluese të tij deri sa “të gjejë edhe incizimin e fundit” të luftës.
Esati thotë se gjatë procesi të grumbullimit të kasetave ka hasur në njerëz që kanë dyshuar mbi qëllimet e tij, ku një pjesë deri edhe e kanë ofenduar, për shkak se dera e tyre nga ky i ri është trokitur disa herë me kërkesën e njëjtë.
“Ata vetë është dashur t’i publikojnë këto incizime dhe të mos vijë puna deri që njerëzit më të mirë dhe më të fortë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të akuzohen për krime lufte. Sepse pas përfundimit të luftës, serbët kanë menduar se ne nuk kemi bërë incizime dhe nuk posedojmë asgjë, apo kemi bërë incizime por na janë djegur ato. Por, ne kemi pasur incizime të rëndësishme me të cilat është dashur të merrej shteti pas lufte, televizionet e Kosovës, të publikoheshin dhe t’i tregohej Serbisë që ne posedojmë incizime të rëndësishme, sekrete të ndryshme të gjenocidit që ata e kanë bërë në Kosovë, e jo sot të krahasohet viktima me kriminelin. Ata janë bërë viktimë ne kriminelë të luftës”, thekson ai.
Për të riun që së fundi ka gjetur edhe rreth 500 kaseta të reja, thotë se fillimisht kjo punë ka qenë e vështirë, për shkak pamjeve të rënda të masakrave në këto incizime por më pas është adaptuar.
“Vetëm dje kam grumbulluar diku mbi 500 kaseta, për një ditë. Posedojmë 2 mijë deri 3 mijë kaseta të formatit të ndryshëm të ngjarjeve të paraluftës dhe gjatë luftës, të pasluftës nuk kemi sepse s’ka qenë interes i yni”, thekson Shala, duke shtuar se pret që në Kosovë të hapet Instituti për Krime të Luftës “nëpërmjet të cilit do të mundësohej t’i tregohej botës ajo çfarë ndodhi në Kosovë”.
Një institut i ngjashëm në Kosovë, ishte themeluar në vitin 2011. Por, me vendim të Qeverisë ai është mbyllur në vitin 2018, ndërsa gjatë kësaj periudhe ka arritur të publikojë tetë libra për vrasjet, për personat e pagjetur, për gjenocidin serb si dhe për shkatërrimin e monumenteve dhe pronave të shqiptarëve.
Qeveria aktuale e Kosovës po synon të formojë një institut të ri, për krijimin e dosjes që do t’i shërbejë kujtesës kolektive.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ditë më parë priti në zyrën e saj Esat Shalën, theksoi se kanë folur bashkë pikërisht për “bashkëpunimin në iniciativën për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”.
“Në emër të Ministrisë, falënderova Esatin për punën e bërë deri më tani në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë si dhe u dakorduam për bashkëpunim në arritjen e synimeve për adresimin e këtyre krimeve”, shkroi ministrja Haxhiu.
Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë (1998 – 1999), janë vrarë mbi 13.500, rreth 76 për qind e të cilëve besohet se kanë qenë civilë.
Ndërsa mbetet ende i paqartë fati i mbi 1.600 personave të pagjetur që nga periudha e luftës.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.