Sipas raportit, ngrohja globale, thatësirat, përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe zjarret në pyje janë duke u bërë gjithnjë e më të shpeshta dhe më të dëmshme për Kosovën, duke rrezikuar seriozisht jo vetëm ekosistemet, por edhe ekonominë kombëtare, stabilitetin fiskal dhe komunitetet më të cenueshme.
Dëme të mëdha nga përmbytjet dhe zjarret në pyje
Raporti evidenton se përmbytjet e fundit kanë shkaktuar dëme të barasvlershme me 0.9% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), duke prekur rreth 10.000 qytetarë në vit dhe duke shkaktuar humbje ekonomike deri në 50 milionë dollarë amerikanë. Vetëm në vitin 2023, përmbytjet i kushtuan familjeve 3.75 milionë euro në dëme materiale.
Ndërkohë, zjarret në pyje paraqesin një tjetër kërcënim serioz. Banka Botërore vlerëson humbjet nga zjarret me një mesatare prej 1.368 euro për hektar, ndërsa 14.144 hektarë pyje janë prekur në periudhën 2008–2018.
Ndikime të mëdha në sektorin bujqësor dhe furnizimin me ujë
Ndryshimet klimatike pritet të ndikojnë ndjeshëm në resurset ujore, me ulje të reshjeve vjetore dhe mungesa të mundshme të ujit në disa pellgje lumenjsh, veçanërisht gjatë verës. Kjo do të ketë pasoja direkte në bujqësi dhe pylltari, duke kërcënuar të ardhurat e familjeve rurale dhe sigurinë ushqimore në vend..
Kosova me strategji për t’u përballur me sfidat klimatike
Për të adresuar këto rreziqe në rritje, Kosova ka hartuar Strategjinë Kombëtare për Uljen e Rrezikut nga Fatkeqësitë si dhe Draft Strategjinë e Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike, që synojnë forcimin e qëndrueshmërisë mjedisore dhe sociale.
Këto dokumente strategjike ofrojnë masa konkrete për zvogëlimin e rreziqeve natyrore, përshtatjen ndaj kushteve klimatike ekstreme dhe mbrojtjen e komuniteteve të rrezikuara, duke reflektuar angazhimin institucional për të përballuar sfidat e një të ardhmeje gjithnjë e më të paqëndrueshme klimatikisht.
Kujdesi për mjedisin – emergjencë kombëtare
Ky raport është një thirrje për veprim, jo vetëm për institucionet, por edhe për qytetarët, bizneset dhe shoqërinë civile. Rritja e ndërgjegjësimit, përmirësimi i menaxhimit të burimeve natyrore dhe investimet në infrastrukturë të qëndrueshme janë thelbësore për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe më të gjelbër për Kosovën.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

