“O të dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira! Vërtet, Unë e di mirë çfarë bëni ju!” (Mu’minun, 51)
Cilat gjëra janë fitim hallall dhe i pastër?
I Dërguari i Allahut, (a.s.), i cili është i obliguar për të shpjeguar shpalljen hyjnore, na e jep përgjigjen e kësaj pyetjeje duke u shprehur:
“Ushqimi më i pastër që ha njeriu është ai (ushqim) që e fiton vetë.” Enciklopedia e Hadithit, Kutubu’s-Sitte, 14-312.)
“Njeriu nuk ka ngrënë gjë më hallall se një ushqim që e fiton me mundin e tij.” (Buhari, Buju’, 15.)
Nisur nga kjo, risku i pastër për të cilin bëhet fjalë në ajet, është fitimi që besimtari e arrin duke punuar në përputhje me dispozitat që ka vendosur Allahu Teala. Sigurimi i riskut me anë të kësaj rruge është një farz / obligim për çdo besimtar.
I Dërguari i Allahut, (a.s.), e shpreh kështu këtë dispozitë në një hadith fisnik:
“Sigurimi i jetesës në hallall është farz për çdo mysliman.” (Taberani)
ÇFARË I JEP BESIMTARIT KRYERJA E KËTIJ FARZI / OBLIGIMI?
Të punosh për ta fituar riskun në hallall është ibadet.
Feja islame e konsideron ibadet të punuarit për ta fituar riskun në hallall. Të parët tanë kanë thënë:
“Ibadeti / adhurimi është dhjetë pjesë. Nëntë prej këtyre pjesëve përbëjnë kërkimin e riskut në hallall.” (Ihja, 2/236.)
Një njeri që i beson Allahut të Madhëruar, e kryen me ibadet detyrën e nënshtrimit që ka ndaj Tij, sepse ibadeti është borxh për çdo rob kundrejt Zotit (xh.xh.).
Përveç të tjerash, ka edhe një të vërtetë që duhet ta dimë. Ajo është: borxhi që duhet të paguhet në mënyrën më urgjente është borxhi kundrejt Allahut Teala.
Përderisa njeriu merr frymë, është borxhli ndaj Zotit (xh.sh.)… Gjithashtu, ne nuk e dimë se kur do të marrë fund ajo frymë.
Besimtarët duhet ta bëjnë mirë llogarinë e çdo fryme që marrin e japin dhe absolutisht duhet ta harxhojnë në një formë që të shndërrohet në sevap ky kapital i vlefshëm, në mënyrë që të mos shkojnë me borxhe në botën tjetër.
Përgatitja për fundin absolut, domethënë, vdekjen, e cila është caktuar në pafillimësi dhe e cila dihet në mënyrë absolute nga Zoti (xh.xh.), por që ne nuk mund ta dimë, apo me një shprehje tjetër, për të mos u kapur nga vdekja pa qenë të përgatitur, myslimani duhet ta përdorë çdo çast për të kryer detyrat që ka ndaj Allahut Teala.
Ja pra, fitimi hallall është një mundësi e përkryer për ta adhuruar Zotin dhe për të kryer detyrën që kemi kundrejt Tij…
Madje, puna është një adhurim më i virtytshëm se disa ibadete nafile / vullnetare.
Isai, alejhi’s-selam, pa një burrë dhe e pyeti:
“Si je? Çfarë bën?” Burri iu përgjigj:
“Preokupohem me ibadet. Vazhdimisht i bëj ibadet Zotit. Hazreti Isai e pyeti përsëri:
“Kush ta siguron jetesën?” Burri i tha:
“Ma siguron vëllai.” Hazreti Isai ia ktheu:
“Në fakt, vëllai yt qenka ai që bëka ibadet.” (Ihja, 2/164.)
Por ka edhe një pikë tjetër që duhet të shpjegohet. Në ditët e sotme kanë dalë disa njerëz dhe japin fetva të gabuara duke u shprehur:
“Ai që punon me qëllim për të siguruar jetesën e familjes, është në adhurim. Për këtë arsye, nuk ka rëndësi nëse nuk i kryen ibadetet e tjera.” Kjo fetva shihet qartë se po ua ngatërron mendimet myslimanëve.
Njeriu nuk mund të rrijë gjithmonë larg mëkateve. Fakti që ai bën gabim ndonjëherë është rezultati normal i të qenit njeri… Veçanërisht në ditët e sotme, nuk është e lehtë të rrihet larg mëkateve… Andaj i Dërguari i Allahut, (a.s.), thotë:
“Jeni përpëlitur prej mëkateve. Prandaj mund të pastroheni me pendim.” Domethënë, ne, si njerëz dhe si robër mëkatarë, kemi nevojë për falje, në mënyrë që të hyjmë në xhenet dhe të shohim Zotin (xh.xh.)…
Ja pra, përpjekja për të fituar në hallall ia mundëson robit këtë falje. I Dërguari i Allahut (a.s.), thotë:
“Kushdo që e kalon natën i lodhur prej punës së tij, do të thotë se e ka kaluar duke arritur faljen e Allahut.” (Enciklopedia e Hadithit, Kutubu’s-Sitte, 14/312.)
Qoftë babai, i cili lodhet ditën për ta fituar në rrugë të lejuara riskun e familjes së tij apo qoftë nëna, e cila punon pa reshtur në shtëpi dhe kuzhinë për rehatinë e familjes së saj dhe të veten, përfshihet nga e njëjta falje hyjnore. Allahu i Lartësuar i shpërblen ata përgjatë gjithë natës duke ua falur mëkatet…
Sa mirësi e madhe! Edhe fitojmë para, edhe bëjmë ibadet në të njëjtën kohë…
Ata që zgjedhin rrugën e fitimit të lejuar janë ndërmjet banorëve të xhenetit. I Dërguari i Allahut, (a.s.), thotë:
“Banorët e xhenetit ndahen në tri grupe. Ato janë:
- Kryetari i shtetit që është i drejtë dhe i suksesshëm,
- Njeriu zemërbutë kundrejt të afërmve dhe myslimanëve dhe;
- Njeriu që largohet nga fitimi haram dhe që nuk kërkon asgjë prej askujt, edhe pse familja e tij është kallaballëk.” (Muslim, Xhenet, 63.)
Të punojmë për ta fituar riskun në përputhje me pëlqimin e Allahut Teala… Të fitojmë me djersën e ballit në vend që t’ua zgjasim dorën të tjerëve… Në këtë mënyrë, do ta mbrojmë personalitetin tonë dhe do të hyjmë në xhenet…
Fitimi në hallall ia ngre pozitën njeriut te Allahu i Madhëruar.
Fitimi në hallall ia ngre pozitën njeriut edhe në ahiret, siç i jep atij edhe nder në këtë botë. Besimtarit, i cili do të arrijë shpërblime të ndryshme me çdo lloj vepre që bën në këtë botë, në botën tjetër i jep një jetë të lumtur dhe të përhershme në vendin ku gjenden të sinqertët…
Ja, a nuk është ky shpërblimi më i madh?
Sehli, (r.a.), i cili ishte prej sahabëve më të mëdhenj, thotë:
“Ai që dëshiron të lartësohet në shkallën e të sinqertëve, le të fitojë nga hallalli dhe të veprojë sipas Sunetit.”
Në lidhje me këtë çështje, besimtari duhet të marrë shembull nga kjo këshillë që Lukmani i Urtë i dha birit të tij:
“Biri im! Mbrohu nga varfëria me fitim hallall! Atë që bie në varfëri e presin tri lloj fatkeqësish:
- Dobësia në fe, sepse varfëria e zvarrit njeriun drejt së keqes.
- Dobësia në mendje, sepse të menduarit e vazhdueshëm rreth nevojës e çorodit njeriun.
- Humbja e burrërisë dhe e njerëzillëkut. Ndërsa fatkeqësia më e madhe edhe se këto, e cila e pret njeriun, është se ai bie në një pozitë në të cilën tallet nga të gjithë njerëzit.
PO FITIMI NË HARAM!
Përsëri i Dërguari i Allahut (a.s.), na njofton se ka rreziqe të mëdha për ata që zgjedhin rrugën e haramit në fitimin e tyre.
Ja rreziqet e të ushqyerit me ushqim të fituar në haram:
Namazi është një ibadet të cilin besimtari nuk mund ta neglizhojë në jetën e tij. Ata që e nënvlerësojnë atë i pret një dëm i madh në këtë botë dhe në botën tjetër. Namazi është një ibadet i tillë që edhe në udhëtim, edhe në luftë me armikun nuk është e lejuar që të lihet.
- Namazi nuk mund të lihet për shkak të preokupimeve në këtë botë, domethënë, për shkak të tregtisë. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “O ju që keni besuar! Kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!” (Xhumua, 9)
- Namazi nuk mund të lihet për shkak të ndonjë frike.
- Namazi nuk mund të lihet, edhe pse mund të ketë rrezik nga armiku përgjatë udhëtimit. “Kur të udhëtoni, nuk është gjynah që ta shkurtoni namazin, nëse druheni që jobesimtarët do t’ju bëjnë ndonjë dëm. Me të vërtetë, jobesimtarët janë armiqtë tuaj të hapur.” (Nisa, 101)
- Madje, edhe në luftë me armikun nuk është lejuar që të lihet namazi. “Kur të jesh ti (o Muhamed) në mes të besimtarëve dhe të prish faljen e namazit (në luftë), atëherë njëri grup prej tyre le të falet me ty dhe le t’i mbajnë pranë edhe armët e veta! Pastaj këta, le të rrinë pas jush dhe le të vijë grupi tjetër, i cili nuk është falur dhe, le të falet me ty! Le të jenë syçelë dhe t’i mbajnë armët e veta! Jobesimtarët dëshirojnë që të jeni të pakujdesshëm ndaj armëve dhe pajimeve tuaja, që t’ju sulmojnë me tërë fuqinë. Nuk ka gjynah për ju nëse hasni në ndonjë shqetësim prej shiut ose sëmundjes e i lini armët, por edhe atëherë, bëhuni syçelë. Allahu, me të vërtetë, ka përgatitur dënim poshtërues për jobesimtarët.” (Nisa, 102)
Në këto ajete fisnike është njoftuar qartë se si mund të falet namazi në këto lloj gjendjesh.
Pranimi i namazit, i cili është një obligim i tillë në jetën e myslimanit, hyn në rrezik me fitimin në haram. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), shprehet:
“Namazi nuk pranohet përderisa të gjendet një copë prej një rrobe mbi njeriun që e ka marrë atë me dhjetë grosh, ndërkohë që në paratë e tij një grosh është haram.” (Ihja, 2/236.)
Andaj, nuk mund të mendohet ndonjë dëm më i madh dhe një humbje më e madhe se kjo për një besimtar që i beson Allahut dhe ahiretit, sepse, siç na ka njoftuar edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), pyetja e parë që do të bëhet Ditën e Gjykimit do të jetë për namazin. Nëse llogaria e namazit është në rregull, do të kalohet te veprat e tjera. Nëse nuk është në rregull, veprat e tjera as që do të shikohen…
Allahu i Lartësuar na bëftë të gjithëve prej robërve të Tij që fitojnë në rrugë të lejuara dhe që bëjnë vepra të mira! Amin!
Çdo moment përpiqu të fitosh në hallall,
Sado pak qoftë, hallalli është i mjaftueshëm.
Rri larg, mos iu afro haramit!
Harami nuk e ngop njeriun.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.