Flasin ekspertët, si mund të përballojë fluksin e qytetarëve platforma e re e Trustit?

Opoja.net Opoja.net Kosova

Të premten nga ora 15:00 të gjithë qytetarët që kanë para të kursyera në Fondin Pensional të Kosovës (Trust) do të mund t`i tërheqin ato përmes platformës së re të “Trusti10.org”.

Por sa do t`i përballojë kjo platformë fluksin e qytetarëve që presin të tërheqin 10 përqindëshin e kursimeve të tyre. Ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se nëse platforma është testuar dhe krijuar mbi premisa të duhura nuk do të ketë problem në funksionimin e saj. Në të kundërtën fluksi i qytetarëve mund ta vendos këtë uebfaqe jashtë funksionit.

Për të pasur qasje më të lehtë qytetarët, Fondi Pensional i Kosovës (Trusti) ka krijuar një platformë të re për aplikim për tërheqjen e 10% të kontributeve. Me tu votuar Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike uebfaqja paraprake e Trustit u vu jashtë funksionit për shkak të fluksit të madh të qytetarëve për ta vizituar atë.

Rreziku ekziston se e njëjta gjë mund të ndodh edhe me uebfaqen e re “Trusti10.org”. Kjo për shkak të pritjes së gjatë të qytetarëve për t`i tërhequr ato mjete. 

Eksperti i sigurisë kibernetike, Hekuran Doli ka thënë për Express që është e rëndësishme që platforma e Trustit të jetë e gatshme për të përballuar fluksin e qytetarëve.

“Trendi i komunikimit në rrjetet sociale tregon se ka interesim të jashtëzakonshëm për qasje në platformën për tërheqjen e 10% nga Trusti, prandaj është me rendësi kritike që platforma e Trustit të jetë e gatshme të përballoj fluksin e qytetarëve. Cikli i implementimit të platformave softuerike, veçanërisht atyre që parashikohet të kenë shfrytëzueshmëri të lartë,  zhvillohet në atë mënyrë që secila fazë e zhvillimit (dizajni ideor, zhvillimi i kodit, implementimi i sistemit, dhe lansimi) testohet në mënyrë të detajuar”, ka thënë Doli.

Sipas tij në rast se platforma është testuar dhe janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, s`ka se si të dështoj e njëjta.

“Rezultatet e testimit  shërbejnë që të sigurohen resurset e nevojshme harduerike me qëllim që platforma të jetë e disponueshme për të gjithë shfrytëzuesit, numri i të cilëve mund të jetë lehtë i parashikueshëm. Zhvillimi i platformave softuerike është proces inxhinierik, dhe rezultati nuk mund të dal  ndryshe nëse është planifikuar dhe zhvilluar si duhet”, ka deklaruar ai.

Problemet në funksionimin e një uebfaqeje, sipas Dolit mund të vijnë si rezultat i pakujdesisë në planifikim, zhvillim apo testim të platformës.

“Unë kam besim se Trusti ka bërë investimin e duhur në zhvillimin dhe testimin e platformës për tërheqjen e 10% dhe nuk shoh ndonjë arsye që platforma të mos funksionoj. Dështimi potencial i platformës do të ishte tregues i mungesës së seriozitetit dhe do të ngriste dyshime të mëdha mbi mënyrën e përzgjedhjes se profesionisteve që e kanë implementuar këtë platformë. Për fat të keq, platforma të tilla në Kosovë kanë pasur probleme gjatë fazës së lansimit, dhe si rëndom problemet kanë ardhur si rezultat i pakujdesisë  në planifikimin, zhvillimin apo testimin e platformës”, ka thënë më tutje ai.

Edhe njohësi i teknologjisë informative, Ermal Sadiku ka thënë se fluksi i madh i qytetarëve paraqet problem për funksionimin normal të një ueb faqeje.

Sipas tij, edhe në rastin e ueb faqes së Trustit mund të ketë probleme për shkak se investimet në IT nga ky institucion janë të ulëta.

“Ka gjasa të ndodhin probleme sepse investimet e Trustit në IT duket që janë shumë të ulëta”, ka thënë ai.

Sadiku theksoi se për tu mënjanuar një problem i tillë duhet të ketë më shumë investime në këtë fushë.

“Duhet të ketë Investime shumë më të mëdha në infrastrukturën e IT-së, në punësimin e programorëve e gjëra të tilla”, ka thënë më tutje ai.

Në ndërkohë dje gjatë ditës në një konfeë rencë për media kryesuesi i Bordit të Trustit, Ruzhdi Morina ka thënë se deri më tani nga Trusti janë bërë të gjitha përgatitjet teknike për tërheqjen e mjeteve.

“Trusti ka bërë të gjitha përgatitjet teknike. Jemi duke punuar në mënyrë intensive që të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshëm dhe të gjithë qytetarët mund të aplikojnë për tërheqjen e mjeteve. Do të lansohet faqja e re në internet e që është Trusti10.org, pra do të jetë një faqe tjerë. Aplikimi është shumë i thjeshtë. Duhet të shkruani vetëm numrin personal dhe atë të llogarisë bankare. I lusim të gjithë që ti rikonfirmojnë këto dy të dhëna sepse e lehtësojnë shumë aplikimin. Duhet të jenë të sakta dhe në emër të aplikuesit që i tërheq mjetet”, ka thënë ai.

Për sigurinë e kësaj ueb faqeje është deklaruar dje edhe kryeministri Avdullah Hoti. Ai tha se me përgatitjet që janë bërë beson që nuk do të ketë problem në funksionin e ueb faqes.

“Besoj që sistemi në bazë të përgatitjeve është plotësisht i sigurt dhe është i pagatitur që t’i përballoj fluksin e qytetarëve për të tërhequr mjetet”, ka thënë më tutje ai.

Të premten është miratuar Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike. Përmes këtij projektligj mes të tjerash parashihet tërheqja e 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale në  Trust.

Kujtojmë që numri më i madh i kontributdhënësve në Trusti, pra 212 mijë e 798 qytetarë mund t’i marrin 100-1000 euro kontribute.

Në ndërkohë deri në 100 euro mund ti marrin 104 mijë e 137 qytetarë.

Në ndërsa 194 mijë e 857 qytetarë mund ti marrin 1000-5000 euro.

Mbi 5000 euro deri në 10.000 euro mund t`i tërheqin vetëm 74 mijë e 88 persona.

10.000-20.000 euro mund ti marrin 40 mijë e 440 qytetarë, teksa mbi 20.000  euro mund ti tërheqin vet 12 mijë e 944 kontributdhënës.

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka miratuar sot kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2021.

Me këtë rast, Drejtori i Fondit të Kursimeve Pensionale, Adrian Zalli, deklaroi para deputetëve se në vitin 2023 do të bëhet rimbursimi i mjeteve për gjithë qytetarët që tërheqin mjetet e tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Zyrtarët e Trustit që raportuan para këtij komisioni kanë thënë se është duke u diskutuar akoma rregullorja për rimbursimin e këtyre mjeteve.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-