Hasani thotë se emërimi i Rashiqit është shkelje kushtetuese

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Emërimi i Nenad Rashiqit ministër për Komunitete dhe Kthim është shkelje kushtetuese, sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Në një deklaratë për KOHËN, Hasani ka thënë se për emërim të ministrave dhe zëvendësministrave që s’janë anëtarë të Parlamentit kërkohet votim i shumicës së deputetëve që përfaqësojnë atë komunitet.

“Ky emërim në aspektin kushtetues ka defekte jashtëzakonisht serioze. Sepse për emërimin e ministrave dhe zëvendësministrave që nuk janë anëtarë të Parlamentit kërkohet miratimi formal i shumicës së komuniteteve që janë deklaruar se e përfaqësojnë atë komunitet që është pakicë në Kosovë. Kjo nuk ka ndodhur gjë që është gabim. Do të thotë duhet 50+1 e deputetëve serbë që supozohet se e përfaqësojnë këtë komunitet. Përtej kësaj, çdo herë kërkohet konsultimi dhe nuk mund të bëhet pa konsultim me forcat politike të atyre komuniteteve pakicë që thonë se i përfaqësojnë ata ministra ose zëvendësministra”, ka thënë ai.

Lista Serbe veçse ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese. E sipas Hasanit, rasti mund të fitohet për shkak se Kushtetuta nuk lejon që shumica t’i caktojë ministrat nga komunitetet pakicë.

“Unë jam i bindur që po të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese e fitojnë sepse është e qartë që natyra e demokracisë në Kosovë është konsesuale për shkak se po të ishte kështu që shumica me ia caktu funksionarët dhe përfaqësuesit pakicës, atëherë një pjesë e madhe e dispozitave nuk kish pas nevojë me qenë aty. E keni rastin e njëjtë me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, po ashtu të posteve tjera të larta që janë të rezervuara për ta dhe nuk guxon të shkojë ndryshe”, ka shtuar ai.

Rashiqi u emërua të enjten ministër duke zëvendësuar Goran Rakiqin e Listës Serbe, që ka dhënë dorëheqje javë më parë pas tensioneve për targat. Lista Serbe ka të gjitha ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. Rashiqi është kryetar i Partisë Demokratike Progresive, që s’është pjesë e Parlamentit.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-