Hoti e Zemaj takohen me përfaqësues të IKSHPK-së, paralajmërohet ashpërsim i masave

Opoja.net Opoja.net Kosova

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot ka mbajtur takim me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, me përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikate për media nga zyra e kryeministrit, shkruan lajmi.net.

Në këtë takim është vlerësuar situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, e cila ka shënuar rritje të rasteve në dy javët e fundit për 7.7 %, me trend të rritjes në tri ditët e fundit të kësaj jave nga 320 raste në 422 raste në mesatare këtë javë (24,1%).

Për këtë qëllim, janë dhënë një mori rekomandimesh duke u bazuar në situatën epidemiologjike në vend, ku është theksuar nevoja që Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale të zbatojnë në përpikëri Ligjin Anti-COVID, Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, si dhe të merren masa përgjegjësie në rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të IKSHPK dhe MSH në të gjithë sektorët.

Sipas përfaqësuesve të IKSHPK-së, rekomandohet rigorozitet i masave për të ndalur trendin e rritjes së rasteve me virus.

Ndërsa, sa u përket vaksinave, Ministria e Shëndetësisë është duke pritur kontingjentin e parë të vaksinave dhe është e gatshme që posa të vijnë, të zbatohet strategjia e vaksinimit Anti COVID-19 në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri Hoti theksoi se institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse, do të mbikëqyrin me përpikëri dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Në fund të këtij takimi është përsëritur domosdoshmëria e zbatimit të rekomandimeve të IKSHPK-së dhe respektimit të masave kufizuese për të gjitha aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike. /Lajmi.net/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-