IKShPK-ja tregon shkaqet dhe pasojat e zjarreve: 90 për qind e tyre shkaktohen nga njeriu

Opoja.net Opoja.net Kosova

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka ngritur shqetësimin për rrezikun në rritje nga zjarret, duke theksuar se shumica e tyre janë rezultat i veprimeve të njeriut, raporton Gazeta Sinjali.

Në një njoftim të publikuar në Facebook, IKShPK thekson se “90 për qind e zjarreve shkaktohen nga njeriu”, duke e lidhur këtë me pasoja të shumta për shëndetin publik dhe mjedisin.

Sipas këtij institucioni, zjarret ndikojnë negativisht në cilësinë e ajrit përmes rritjes së grimcave të imëta (PM2.5), që mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore.

“Zjarret rrisin ndotjen e ajrit (PM2.5), rrezikojnë mushkëritë dhe zemrën, veçanërisht tek fëmijët dhe të moshuarit, shkaktojnë helmim nga tymi dhe monoksidi i karbonit”, thuhet në njoftim.

Përveç ndikimit në shëndet, IKShPK nënvizon se zjarret dëmtojnë rëndë edhe mjedisin natyror.

“Zjarret dëmtojnë rëndë edhe mjedisin, si dëmtimin e pyjeve, tokave bujqësore dhe faunës, shkatërrimin e biodiversitetit, nxitje e ndryshimeve klimatike”, thuhet më tej.

Sipas institutit, edhe komuniteti pëson dëme të mëdha nga zjarret:

Dëmtime të shtëpive dhe infrastrukturës;

Humbje ekonomike për familjet dhe fermerët.

Për të parandaluar zjarret, IKShPK apelon që qytetarët të ndjekin disa masa të thjeshta por efektive:

Mos ndizni barishte apo mbeturina në ambiente të hapura;

Shmangni përdorimin e flakëve në ditët me temperatura të larta;

Mos hidhni cigare të ndezura në tokë;

Ruani materialet e djegshme në një ambient të sigurt dhe larg vendeve të frekuentuara nga njerëzit;

Nëse ndizni zjarr, mos u largoni pa u siguruar që është shuar plotësisht;

Njoftoni menjëherë në 112 për çdo shpërthim zjarri të pakontrolluar.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-