Kallas takon Kurtin e Vuçiqin: Koha për të ecur përpara

Opoja.net Opoja.net Kosova

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, zhvilloi takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në fokus të bisedimeve ishte dialogu Kosovë-Serbi dhe nevoja për të bërë hapa konkretë drejt normalizimit të marrëdhënieve. Kallas theksoi se përparimi në këtë proces duhet të shkojë paralelisht me avancimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Përmes një reagimi në X, Kallas rikujtoi se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, duhet të zbatohen.

Ajo tha se zbatimi i marrëveshjeve nuk duhet parë si një favor ndaj Brukselit, por si përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe stabilitetit të rajonit.

Kallas deklaroi gjithashtu se BE-ja do të vazhdojë rolin e saj si ndërmjetësuese e paanshme, por theksoi se ndërmjetësimi evropian nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik të palëve.

Ndërkohë, kryeministri Kurti kishte bërë të ditur më herët se ishte takuar me Kallas, por në njoftimin e tij fillestar nuk kishte specifikuar nëse dialogu me Serbinë ishte pjesë e diskutimeve.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-