Fillimi i kërkimeve për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, më 1999, flet për ekzistencën e vullnetit politik, tha Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, si dhe koordinatore e rrjetit të pajtimit REKOM.
Kandiq i bëri komentet në panelin “Çështja e të zhdukurve – prioritet i bashkëpunimit rajonal”, që u organizua të martën nga Fondi për të Drejtën Humanitare dhe REKOM.
Kandiq tha se ky proces duhet të përcillet, për të mos ndodhur “ajo që ndodh në këto hapësira, që një ditë ka vullnet politik dhe ditën tjetër jo”.
“Në një moment, presidenti i Serbisë (Aleksandar Vuçiq) ka thënë se institucionet në Serbi janë të gatshme të verifikojnë çdo lokacion, për të cilin ka informacione për varre të mundshme masive në territorin e Serbisë. Dhe, menjëherë pas kësaj u zbulua vendndodhja e një varri masiv në hapësirën e Rashkës”, tha Kandiq.
Në mes të nëntorit, eshtrat e civilëve të dyshuar shqiptarë, të vrarë gjatë luftës në Kosovë, më 1999, janë gjetur në Kizhevak, pranë Rashkës.
Presidenti i Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur, Velko Odalloviq, ka thënë se nuk mund të thuhet me siguri numri i trupave në atë vend, por supozohet të jenë midis 15 dhe 17 trupa.
“Menjëherë më pas ka ardhur deklarata e kryeministrit të Kosovës (Avdullah Hoti – tashmë në detyrë) se qytetarët kanë informuar se në rrethinë të Rahovecit dhe Prizrenit janë gjetur lokacione, ku mund të ketë eshtra të viktimave nga ngjarje me një numër më të madh të viktimave”, tha Kandiq.
Më 18 dhjetor, Komisioni Qeveritar i Kosovës për Personat e Zhdukur ka njoftuar se ka kryer gërmime në dy lokacione në Rahovec dhe Prizren.
Gërmimet kanë rezultuar me gjetjet mortore të dy personave: një në Prizren, një në Rahovec.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur.
Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.
Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.
Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur është një nga pikat e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e cila është nënshkruar më 4 shtator në Uashington nga kryeministri tashmë në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Çështja e të zhdukurve është gjithashtu në agjendën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.