Në Kosovë nuk ka përfunduar ende procesi i plotë i numërimit të votave që më pas duhet certifikuar nga KQZ-ja. Kosova tash përballet me formimin e qeverisë, si dhe me një sfidë tjetër, zgjedhjen e presidentit.
Procesi i numërimit të votave të ardhura nga diaspora dhe ato me kusht akoma po vazhdon, ndërsa për votat e rregullta tashmë ka përfunduar procesi i numërimit, edhe pse disa komuna dhe qendra votimesh sipas KQZ-së, do të shkojnë në rinumërim për shkak të gabimeve teknike.
Nga votat e rregullta Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave. Partia Demokratike e Kosovës, si partia e dytë ka 17.4 për qind. Lidhja Demokratike me 13 për qind dhe AAK-ja do të jetë grupi më i vogël parlamentare me 7.60 %.
Procesi i numërimit të votave të diasporës mund të marrë disa ditë kohë.
Vijimi i procesit
Po si do të rrjedhë procesi tash pas përfundimit të zgjedhjeve. Fillimisht duhet përmbyllur komplet procesi i numërmit të votave. Pastaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të bëjë certfikimin e tyre, pas procesit eventual të ankesave që mund të kenë partitë politike apo kandidatët që duhet shqyrtuar nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa.
Për formimin e Qeverisë së Kosovës, nevojiten më së paku 61 vota të deputetëve të kuvendit. Por fillimisht Presidenti i Kosovës duhet ta mandatojë fituesin e zgjedhjeve që të formojë qeverinë. Mandatari i parë ka afat prej dy javësh që ta sigurojë numrin e votave në parlament më së paku 61 prej tyre. Nëse mandatari i parë nuk arrin të formojë qeverinë brenda 15 ditëve, atëherë, presidenti dekreton një tjetër mandatar, i cili ka një afat ligjor vetëm prej dhjetë ditësh për formimin e qeverisë së re. Nëse edhe mandatari i dytë dështon të sigurojë shumicën parlamentare, atëherë vendi shkon automatikisht në zgjedhje.
Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ka deklaruar se ai nuk do koalicion me asnjë parti. Ai thotë se ka bërë koalicion parazgjedhor me listën e Vjosa Osmanit. Kjo e fundit garoi në listën e Vetëvendosjes, por synon postin e presidentes.
Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, mund ta dekretojë Albin Kurtin që të krijojë qeverinë e re. Tash për tash akoma nuk dihet nëse zgjedhja e Kurtit kryeministër është e ligjshme për faktin që ai nuk u lejua të garojë në zgjedhje për shkak të dënimit të formës së prerë, për hedhje të gazit lotsjellës në vitin 2015 në Kuvendin e Kosovës.
Në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe në nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, u tha se “kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili gjatë tri vjetëve të fundit ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë”.
Sidoqoftë, për t’u zgjedhur qeveria në Kuvend nga Lëvizja Vetëvendosja si partia fituese, duhen të paktën 61 vota.
Partia Demokratike e Kosovës PDK, që doli partia e dytë, sipas kandidatit të saj për kryeministër Enver Hoxhaj, do të qëndrojë në opozitë, sepse siç thotë “janë shumë larg me qëndrime me Vetëvendosjen”.
Edhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër Avdullah Hoti, tha se partia e tij “do të qëndrojë në opozitë”.
Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, i cili synon postin e presidentit, ka shprehur hapur gatishmërinë që të jetë pjesë e qeverisë Kurti.
Në këtë fazë, si problem nuk po shihet formimi i qeverisë, por problem mund të jetë zgjedhja e presidentit të vendit. Kjo për faktin që Vjosa Osmani aktualisht ushtruese e detyrës së presidentes mund të ushtrojë detyrën e saj vetëm deri në muajin prill. Pastaj kuvendi është i obliguar që të zgjedhë presidentin e ri. Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë se presidenti i Kosovës duhet të zgjedhet me të paktën 61 vota në raundin e tretë nëse dështojnë dy të parat, ndërsa, në seancë duhet të marrin pjesë të paktën 81 deputetë. Presidenti i ri duhet të zgjedhet brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, ndërsa nëse ky proces dështon atëherë vendi në mënyrë automatike shkon serish në zgjedhje, shkruan Deutsche Welle.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.