Falënderimi i takon Allahut, xh.sh., Zotit të të gjitha botëve. Le të dërgojmë salavate dhe selam mbi të Dërguarin dhe të dashurin e fundit të Allahut, Muhamedin (savs), mbi shokët e tij, familjen e tij dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut.
Vëllezër, ia përkujtoj vetes dhe juve besimin e palëkundur në Allahun, në melekët e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Allahut.
Vëllezër të dashur! Njeriu gjatë jetës takon shumë njerëz të ndryshëm. Do të takojmë njerëz të mirë, njerëz të sinqertë, njerëz që do të na zgjasin dorën kur të rrëzohemi. Por, duam apo nuk duam, do të takojmë edhe njerëz të tjerë, të cilët do të na gënjejnë, do të na zhgënjejnë, do të na kenë zili, do të na çojnë pas vetes në drejtim të gabuar ose do të përpiqen të na bindin se ajo që është e gabuar, në të vërtetë është e drejtë.
Dhe pikërisht për këtë, Kurani nuk na flet vetëm për namazin, agjërimin, zekatin dhe dispozitat e tjera. Kurani na flet edhe për njerëzit. Na flet për cilësitë e tyre, dobësitë e tyre, ngritjet dhe rëniet e tyre.
Kur e lexojmë Kuranin, në të vërtetë ne njihemi me njerëz të cilët ndoshta një ditë do t’i takojmë.
Ndoshta do të takojmë dikë si Karuni, një njeri që kishte aq shumë pasuri, saqë e humbi shpirtin.
Ndoshta do të takojmë dikë si Faraoni, një njeri të cilit pushteti i kishte hipur aq shumë në kokë, saqë filloi të besonte se askush nuk mund t’i bënte asgjë.
Ndoshta do të takojmë dikë si vëllezërit e Jusufit, njerëz të cilët, për shkak të zilisë, do të përpiqen ta rrëzojnë atë të cilit Allahu i ka dhënë mirësi.
Ndoshta do të gjendemi në një situatë ku do të duhet të jemi si Ibrahimi, alejhi selam, të vetëm kundër shumicës, por të palëkundur në anën e së vërtetës.
Ndoshta do të kalojmë nëpër atë që kaloi Ejubi, alejhi selam, sprova të mëdha jetësore, dhe do të duhet të mësojmë se çfarë do të thotë durimi i vërtetë.
Ndoshta do të gabojmë si Junusi, alejhi selam, dhe do të duhet të mësojmë se si duhet të pendohet njeriu dhe të kthehet tek Allahu.
Prandaj, në hutbet e ardhshme, në dashtë Allahu, do të flasim pikërisht për njerëz dhe situata të tilla. Nuk do t’i tregojmë tregimet e tyre vetëm si ngjarje që kanë ndodhur shumë kohë më parë, por do t’i tregojmë si mësime, në të cilat do t’i njohim njerëzit përreth nesh, por, ajo që është edhe më e rëndësishme, do ta njohim edhe veten.
Ndërsa sot po fillojmë me një njeri që është veçanërisht interesant.
Emri i tij është Samiriu.
Pasi Musai, alejhi selam, shkoi në Tur Sina për të biseduar me Zotin e tij, populli i tij ra në një sprovë të madhe. Në të vërtetë, Samiriu e shfrytëzoi mungesën e Musait, alejhi selam, dhe dobësinë e popullit, dhe nga stolitë që posedonin bëri një viç të artë, pastaj i ftoi njerëzit që ta pranonin atë viç si hyjni.
Kur Musai, alejhi selam, u kthye, e gjeti një gjendje të tmerrshme në popullin e tij: njerëz që adhuronin viçin e artë në vend të Allahut të Lartësuar. Njerëz që deri dje e ndiqnin atë, Musain, alejhi selam, të Dërguarin e Allahut, ndërsa sot e ndiqnin mashtruesin Samiriun.
Allahu i Lartësuar na e përcjell atë çast dhe thotë: “Musai u kthye te populli i vet i zemëruar dhe i pikëlluar. Tha: “O populli im, vallë, a nuk ju dha Zoti juaj një premtim të mirë? A mos ju duk e gjatë koha (e përmbushjes së premtimit) apo dëshironi që t’ju godasë zemrërimi i Zotit tuaj?! Prandaj nuk i jeni përmbajtur premtimit që më dhatë?!” – Ata u përgjigjën: “Ne nuk e kemi thyer premtimin që të patëm dhënë me vullnetin tonë, por qemë të ngarkuar rëndë me stolitë e popullit (të Faraonit), andaj i hodhëm ato (në zjarr për t’u lehtësuar). Po kështu i hodhi edhe Samiriu.”(Ta-Ha, 86–87).
Dhe kush është fajtor në këtë tregim? Samiriu apo populli?
Samiriu kishte përgjegjësinë e tij, por as populli nuk ishte pa përgjegjësi. Samiriu kishte idenë, por populli kishte zgjedhjen. Ai i ftoi ata, por ata vendosën ta ndiqnin.
Dhe këtu arrijmë te mesazhi kryesor i kësaj hutbeje, i cili thotë:
Jo çdo ide që dikush e paraqet bukur është ide e mirë. Jo çdo njeri që flet bukur dhe me vetëbesim është njeri të cilit duhet t’i besohet. Dhe ajo që e pranon shumica nuk është automatikisht e vërtetë.
Njeriu duhet të mendojë, të verifikojë dhe të mos shkojë pas çdokujt që e fton.
Në këtë kontekst, do ta kujtojmë një mendim të Muhamed el-Gazaliut, i cili thotë:
“Nuk i frikësohem njeriut që mendon, edhe nëse humbet rrugën, sepse herët a vonë ai do të kthehet tek e Vërteta. Por i frikësohem njeriut që nuk mendon, edhe nëse është në rrugën e drejtë, sepse një i tillë është si kashta që era e largon lehtësisht.”
Vëllezër, njeriu që mendon mund të gabojë, por nëse është i sinqertë me veten, ekziston shpresa se një ditë do të kthehet. Por njeriu që nuk mendon, që vetëm përsërit atë që dëgjon dhe ndjek atë që ndjek shumica, mund të shkojë gjithë jetën pas të tjerëve, pa u ndalur kurrë dhe pa pyetur veten: A jam vallë unë në rrugën e drejtë?
Allahu i Lartësuar thotë:
وَإِن تُطِعْ أَكْثَرَ مَن فِي الْأَرْضِ يُضِلُّوكَ عَن سَبِيلِ اللَّهِ ۚ إِن يَتَّبِعُونَ إِلَّا الظَّنَّ وَإِنْ هُمْ إِلَّا يَخْرُصُونَ
“Nëse i bindesh shumicës së njerëzve që gjenden në Tokë, ata do të të shmangin nga rruga e Allahut. Ata ndjekin vetëm hamendjet. Ata vetëm gënjejnë.” (El-En’am, 116).
Vëllezër të dashur, Allahu i Lartësuar në këtë ajet, si edhe në shumë ajete të tjera, na paralajmëron se shumica nuk është masë e së vërtetës.
E vërteta nuk përcaktohet nga numri i duarve të ngritura për të. Nuk përcaktohet nga numri i njerëzve që e ndjekin. Nuk përcaktohet nga as numri i shikimeve, pëlqimeve, komenteve apo ndjekësve. Sepse e gjithë bota mund ta pranojë diçka, ndërsa ajo para Allahut të jetë ende e gabuar. Dhe, anasjelltas, mund të mbetesh pothuajse i vetëm, ndërsa ende të jesh në të vërtetën.
Ibrahimi, alejhi selam, ishte një njeri i vetëm, por Allahu në Kuran e quan umet. Madhështia e Ibrahimit, nuk qëndronte në atë se pas tij qëndronte një turmë. Madhështia e tij qëndronte në atë se ai qëndroi në anën e së vërtetës, kur të gjithë të tjerët ishin në të pavërtetën.
Prandaj, le të ruhemi mirë nga gabimi i popullit të Musait: “Kështu veproi edhe Samiriu!” Të ruhemi mirë edhe nga ai mashtrimi dhe justifikimi ynë: “Të gjithë kështu veprojnë!”, sepse populli thotë: “Nëna nuk e mallkoi Mujën pse luante bixhoz, por pse kërkonte të justifikohej!”
Vëllezër, në hutbet e ardhshme, në dashtë Allahu, do të vazhdojmë t’i njohim njerëzit për të cilët na flet Kurani. Por qëllimi i këtyre hutbeve nuk do të jetë që tek ata të njohim njerëz të tjerë, por që ta njohim veten dhe, mbi bazën e kësaj, ta nxjerrim mësimin që do të na shpëtojë edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër.
O Zoti ynë, na jep fuqinë që ta dallojmë qartë të vërtetën nga e pavërteta dhe që t’i kundërvihemi të pavërtetës pa asnjë justifikim, edhe nëse jemi të vetëm. Amin!
Burimi: https://dzematdonjevukovije.org//
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

