Dragash, 12 nëntor 2025 – Komuna e Dragashit ka mirëpritur sot partnerët e projektit të Auditimit Social nga OJQ BIRN, HELVETAS dhe OJQ “Avoko”, për të diskutuar Draftin e Raportit të Auditimit Social të hartuar për katër projekte infrastrukturore të financuara nga Granti i Performancës.
Gjatë takimit u prezantuan gjetjet e para të raportit dhe u zhvillua një diskutim i hapur lidhur me komentet dhe vërejtjet e përfaqësuesve të komunës mbi përmbajtjen e dokumentit.
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, tha se për të dhe për institucionin që ai përfaqëson është një kënaqësi e veçantë që Dragashi është pjesë e kësaj nisme, e cila e vendos qytetarin në qendër të vlerësimit të punës komunale.
“Është kënaqësi e veçantë që Komuna e Dragashit është përfshirë në një nismë që vendos qytetarin në qendër të vlerësimit të punës sonë. Falënderoj të gjithë partnerët për bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm me Komunën tonë, duke shënuar kështu edhe një hap të rëndësishëm drejt transparencës, llogaridhënies dhe përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje,” u shpreh Xheladini.
Ky takim u cilësua si një hap i rëndësishëm në drejtim të forcimit të qeverisjes lokale dhe rritjes së besimit të qytetarëve përmes transparencës dhe llogaridhënies publike.
Projekti i Auditimit Social synon të krijojë mekanizma për përfshirjen aktive të qytetarëve në vlerësimin e projekteve komunale, duke nxitur komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe komunitetit lokal./Opoja.net/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

