Kosova ka shënuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin e sporteve alternative, duke u bërë zyrtarisht pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Socca-s. Marrëveshja është nënshkruar në Prizren mes përfaqësuesve të Socca Albania dhe Socca Kosova, duke hapur një kapitull të ri për këtë disiplinë sportive edhe në vendin tonë.
Socca, e njohur ndryshe si futboll i vogël apo “kalqeto”, është një sport që po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në arenën ndërkombëtare, falë dinamikës, intensitetit dhe mundësive që u jep lojtarëve të rinj.
Pas këtij anëtarësimi, pritet të formohet Kombëtarja e Kosovës në Socca, e cila do të marrë pjesë në Kampionatin Europian të këtij sporti, që këtë vit do të mbahet në Shqipëri. Kjo përfaqëson një mundësi të artë për talentët kosovarë që të paraqiten në skenën ndërkombëtare.
Po ashtu, është paralajmëruar organizimi i Ligës Shtetërore të Socca-s në Kosovë, ku do të marrin pjesë skuadra nga e gjithë vendi. Fituesi i kësaj lige do të sigurojë të drejtën për të përfaqësuar Kosovën në garat ndërkombëtare të Socca-s, që funksionojnë në format të ngjashëm me Champions League.
Vlen të theksohet se në këtë ligë nuk do të lejohen lojtarë profesionistë të futbollit, duke krijuar hapësirë për të rinjtë dhe amatorët që të shfaqin talentin dhe potencialin e tyre sportiv.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, është paralajmëruar edhe një ndeshje miqësore mes Kosovës dhe Shqipërisë në Socca, e cila pritet të ngjallë interes të madh dhe të forcojë edhe më tej lidhjet sportive mes dy vendeve.
Ky zhvillim shihet si një shtysë e rëndësishme për sportin dhe rininë kosovare, duke hapur dyer të reja për afirmim dhe garë ndërkombëtare.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

