Edhe më tej Kosova vazhdon të ketë rritje të deficitit tregtar ku gjatë muajit shtator të këtij viti sipas të dhënave vlera e eksporteve ishte 77 milionë euro, ndërsa importet 478.1 milionë euro.
Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka publikuar të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë të cilat tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6.5% në muajin shtator 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 401.1 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 376.5 milionë euro në vitin 2021.
Eksporti mbulon importin me 16.1%. Eksporti i mallrave në muajin shtator 2022 kishte vlerën 77.0 milionë euro, ndërsa importi 478.1 milionë euro, që është një rritje prej 1.9% për eksport dhe 5.8% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.
ASK-ja njofton se sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 23.6% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 16.4% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 15.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 8.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 8.2% e përbëjnë produktet minerale, 5.6% e përbëjnë produktet bimore, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17.5% e përbëjnë produktet minerale, 12.2% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 12.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.2% e përbëjnë makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike, 6.6% e përbëjnë mjetet e transportit, 6.5% plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 6.3% e përbëjnë produktet e industrisë kimike, etj.
Sipas ASK-së eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 28.9 milionë euro, ose rreth 37.6% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 31.3%.
Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (12.7%), Italia (5.8%), Holanda (3.9%), Sllovenia (3.3), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 193.6 milionë euro, ose 40.5% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 12.6%, njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.1%), Greqia (6.6%), Italia (4.5%), Sllovenia (3.1%), etj.
Sipas raportit në muajin shtator 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 28.1 milionë euro, ose 36.6% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12.1%.
ASK-ja tregojnë se partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Maqedonia e Veriut (11.9%), Shqipëria (11.5%), Serbia (7.7%) dhe Mali i Zi (4.1%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shtator 2022, arritën në 85.1 milionë euro, ose 17.8% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 0.8%.
“Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.0%), Maqedonia e Veriut (4.6%), dhe Shqipëria (4.0%).Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 19.8 milionë euro, ose 25.8%.Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (10.3%), dhe Zvicra (8.6%), thuhet në raportin e ASK-së.
Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 199.3 milionë euro, ose 41.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (15.9%) dhe Kina (10.1%).
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.