Pavarësisht deklarimeve të përsëritura nga institucionet e Kosovës se të gjitha kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës janë përmbushur, vendi është lënë jashtë agjendës së takimit të Komitetit të Ministrave, i cili pritej të ishte hapi përfundimtar i pranimit këtë muaj.
Ky zhvillim jo vetëm që shënon një zhgënjim diplomatik, por nxjerr në pah edhe mungesën e dukshme të përgatitjes strategjike në skenën ndërkombëtare, veçanërisht në kushtet kur Kosova vazhdon të jetë pa një Qeveri dhe Kuvend funksional.
Si arriti Kosova në këtë pikë?
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës u dorëzua në maj të vitit 2022. Një moment pozitiv në këtë rrugëtim ishte prilli i vitit 2024, kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi me shumicë dërrmuese në favor të aplikimit, me mbi 80% të deputetëve që e mbështetën atë.
Megjithatë, në fazën finale, Komiteti i Ministrave vendosi të mos e përfshijë Kosovën në agjendën e vendimmarrjes për muajin maj të atij viti. Ky vendim nuk reflektoi vetëm kalkulime politike të shteteve anëtare, por zbuloi edhe dobësinë e lobimit institucional të Kosovës në një kohë kur kërkohej intensitet maksimal dhe koordinim. E njëjta situatë përsëritet edhe në maj të vitit 2025.
Cila është situata aktuale?
Tre muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Kosova ende nuk ka arritur të konstituojë Kuvendin dhe Qeverinë. Pas 15 tentativave të dështuara për konstituim, vendi po funksionon me institucione në detyrë, të cilat kanë kapacitete dhe legjitimitet të kufizuar. Në vend të një fushate të koordinuar lobimi me partnerët ndërkombëtarë, institucionet në detyrë kanë mbajtur një qëndrim më shumë vëzhgues. Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme se procesi i anëtarësimit mund të kushtëzohej me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk u shënua asnjë përpjekje serioze për të ndërtuar një narrativë bindëse për aleatët kyç. Disa shtete me ndikim, si Gjermania dhe Italia, kërkuan qartë që Kosova të dorëzonte draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, por kjo nuk ndodhi.
Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, e ka kritikuar faktin që Kosova mbeti jashtë agjendës së Këshillit të Evropës, pavarësisht asaj që ai e konsideron përmbushje të të gjitha standardeve.
Ai theksoi se “Aplikimi për anëtarësim u dorëzua në maj të vitit 2022, dhe që nga ajo kohë procedurat kanë ndjekur rrjedhën formale të organizatës. Në shtator të po atij viti, Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës dha opinionin e qartë se Republika e Kosovës nuk ka asnjë pengesë ligjore për t’u bërë anëtare e plotë.”
Çfarë pritet të ndodhë tani?
Në vend që të siguronte një vend në institucionin kryesor evropian për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, Kosova mbetet jashtë tij, duke ndikuar negativisht në fuqizimin e subjektivitetit të saj shtetëror dhe pranimin në institucione të tjera ndërkombëtare. Mospranimi nuk është thjesht një çështje e shtyrjes së afatit, por tregon nevojën urgjente për një qasje proaktive dhe të koordinuar në lobim.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.