Kombëtarja e Kosovës po fiton me rezultat 2-0 pas pjesës së parë në ndeshjen ndaj Suedisë, e cila po zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Kjo ndeshje i takon ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026 dhe ‘Dardanët’ po zhvillojnë një ndeshje spektakolare.
Që nga minuta e parë Kosova dëshmoi karakter të fortë duke treguar një rezistencë të madhe në fazën defanzive si dhe duke rrezikuar në çdo dalje të mundshme në fazën e sulmit.
Golin e epërsisë Kosova e gjeti në minutën e 13-të me anë të Elvis Rexhbecaj i cili realizoi për rezultatin 1-0 në një situatë një për një me portierin Robin Olsen.
Të besuarit e Franco Fodës nuk u zmbrapsën pas golit të epërsisë dhe vazhduan me sulmet në drejtim të portës suedeze.
Po luhej minuta e 40-të e takimit kur pas një kundërsulmi vrasës, Kosova e gjeti edhe golin e dytë.
Ishte Vedat Muriqi i cili realizoi një super gol për 2-0 pas një kombinimi fantastik me Albion Rrahmanin i cili ishte në rolin e asistuesit.
Mbetet të shihet se si do të rrjedhë pjesa e dytë, por Kosova tani e ka shumë më të lehtë menaxhimin e epërsisë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.