Reth 10,000 doza të vaksinës kundër koronavirusit, të prodhuar nga kompania AstraZeneca dhe Universiteti i Oxfordit, pritet të arrijnë në Kosovë në ditët në vijim, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë.
Sipas saj, ky do të jetë kontingjenti i parë i dërgesave të vaksinave kundër koronavirusit, përmes programit të OBSH-së, COVAX.
“Ne po shpresojmë që kontigjenti i parë do të jetë 9,600 doza. Ideja është vetëm të fillojnë të vijnë, sepse kur të nisë ardhja, ato vijnë në periudhë të caktuar kohore dhe nuk mbesim pa to”, tha Humolli.
Kosova vazhdon të jetë ende i vetmi vend në rajon, i cili nuk ka arritur të sigurojë asnjë lloj të vaksinës kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton ky virus.
Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxfordit, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.
Humolli thotë se tash për tash, askush nuk mund të japë ndonjë datë të saktë se kur do të arrijnë vaksinat pasi, siç shpjegon ajo, gjithçka varet nga prodhuesi, i cili nuk është duke mundur të prodhojë sasinë e kërkuar, shkruan REL.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.