Dardanët, që aktualisht renditen në vendin e dytë të grupit me 10 pikë, synojnë rezultat pozitiv kundër liderit të grupit.
Kosova vjen në këtë sfidë me moral të lartë, pas fitores së madhe ndaj Sllovenisë në ndeshjen e fundit, një triumf që e ka mbajtur skuadrën në garë për Botëror. Nga ana tjetër, Zvicra kryeson grupin me 13 pikë dhe në përballjen e parë mes dy kombëtareve kishte fituar bindshëm me rezultat 4–0.
Megjithatë, për t’i siguruar Kosovës biletën direkte për Botërorin 2026, nevojitet një skenar pothuajse fantastik: fitore me rezultat 6–0 ndaj Zvicrës. Çdo rezultat tjetër do të thotë se Dardanët do ta përmbyllin ciklin në vendin e dytë dhe do ta kërkojnë suksesin përmes Play-Off-it – që gjithsesi përbën arritjen më të madhe në historinë e kombëtares sonë.
Ndeshja nis në orën 20:45, ndërsa interesimi i tifozëve është i jashtëzakonshëm. Të gjitha biletat janë shitur brenda pak orësh, duke garantuar një atmosferë elektrizuese në kryeqytet dhe mbështetje maksimale për Dardanët në këtë sfidë vendimtare.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

