Kryetari Bexhet Xheladini reagon pas vendimit të Drejtorisë së Parkut Nacional Sharri

Opoja.net Opoja.net Opoja

Dragash, 10 maj 2025 – Kryetari i Komunës së Dragashit, z. Bexhet Xheladini, ka reaguar pas publikimit të një vendimi nga Drejtoria e Parkut Nacional “Sharri”, që ndalon aktivitetet me mjete motorike në territorin e parkut. Ky vendim ka ngjallur reagime të shumta nga qytetarët, veçanërisht nga adhuruesit e motokrosit dhe sporteve të ngjashme.

Në një deklaratë publike, kryetari Xheladini sqaroi se vendimi nuk është marrë nga Komuna e Dragashit dhe se ai vetë nuk ka qenë i njoftuar për një veprim të tillë nga Ministria përkatëse.

“Ky vendim është marrë nga Drejtoria e Parkut Nacional Sharri (në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës), pa ndonjë njoftim paraprak dhe pa konsultim me mua si kryetar i Komunës,” – deklaroi z. Xheladini.

Ai gjithashtu u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me përfaqësuesit e Shoqatës “Enduro Sharri” për të adresuar shqetësimet e tyre dhe për t’i përcjellë kërkesat e tyre zyrtare në instancat përkatëse.

“Si kryetar, do të jem zëri i qytetarëve dhe sportdashësve tanë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të drejtë e të pranueshme për të gjitha palët,” – përfundoi ai.

Ky reagim vjen në kohën kur komuniteti lokal ka kërkuar sqarime dhe ndërhyrje pas publikimit të vendimit të cilësuar si jopopullor.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-