Kryetari Xheladini pret përfaqësuesit e ASB-së në Kosovë, diskutohet vazhdimi i bashkëpunimit për projekte zhvillimore

Opoja.net Opoja.net Opoja

Kryesuesja e Zyrës së ASB-së në Kosovë, znj. Dafina Hoxha, së bashku me Zyrtarin e Projektit WIntegra, z. Shpend Dobroshi, realizuan sot një vizitë zyrtare te Kryetari i Komunës së Dragashit, z. Bexhet Xheladini. Takimi u hap me urimet për mandatin e ri të Kryetarit dhe me vlerësimin e bashkëpunimit të deritanishëm ndërinstitucional.

Gjatë diskutimit, palët shqyrtuan aktivitetet kryesore të projektit WIntegra të zhvilluara përgjatë dy viteve të fundit, duke theksuar bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet ASB-së dhe Komunës së Dragashit në kuadër të implementimit të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian. Përfaqësuesit e projektit dorëzuan gjithashtu dy përmbledhje legjislative të hartuara mbi bazën e aktiviteteve të realizuara.

Kryetari Xheladini vlerësoi rezultatet e arritura dhe shprehu interesimin që Qendra e Grave në Dragash të vazhdojë me aktivitetet e saj edhe pas përfundimit të projektit. Mbështetje për këtë qëllim shprehu edhe znj. Arijeta Qafleshi Skeraj, Asambleiste e Komunës, e cila theksoi përkushtimin e saj dhe të anëtarëve të tjerë të asamblesë, si dhe të shoqërisë civile, për vazhdimësinë e punës së Qendrës.

Në fund të takimit, u dakordua që bashkëpunimi ndërmjet ASB-së dhe Komunës së Dragashit do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim realizimin e projekteve që nxisin zhvillimin lokal dhe fuqizimin e komunitetit.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-