Njerëzit duhet t’ia pranojnë vetes edhe të tjerëve se asnjë bashkëshortësi nuk është ideale, por për të duhet angazhuar dhe përkujdesur në mënyrë adekuate.
Allahu i Madhëruar tek njerëzit e mbolli dashurinë ndaj fëmijëve dhe pasardhësve. Ai gjithashtu e nxiti njeriun për ruajtjen e llojit njerëzor, dëshirën për vazhdimin e brezave të ardhshëm… E gjithë kjo e lehtëson të qenët prind dhe sfidat që i sjell ajo detyrë.
Në nevojën e thellë njerëzore për kontakte shoqërore me njerëz të tjerë, Allahu i Plotfuqishëm e mbolli edhe nevojën për gjininë e kundërt, domethënë bashkëshortin i cili do të jetë përmbushja e personalitetit, të moralit dhe besimit të vet, por njëkohësisht edhe një bashkudhëtar me të cilin do të lindin pasardhës. Kur’ani na potencon këto aspekte të bashkëshortësisë kur flet për atë se Ai në mes njerëzve e përcaktoi “dashurinë dhe mëshirën”, dhe që bashkëshortëve t’u jep “fëmijë dhe nipër”, gjë që paraqet qëllimin themelor të bashkëshortësisë islame.
Për arsye të ndarjes së jetës dhe vetes me bashkëshortin, akti i kërkimit të personit adekuat zë vend të posaçëm në kohërat moderne. Shumica humben në këtë kërkim, disa kanë më shumë mundësi, të tjerët i kanë kufizime dhe pengesat e tyre.
Njerëzit duhet t’ia pranojnë edhe vetes edhe të tjerëve se asnjë bashkëshortësi nuk është ideale, por duhet angazhuar dhe përkujdesur për të në mënyrë adekuate.
Dikur (para zhvillimit të teknikës dhe teknologjisë) ishte shumë më lehtë të gjejmë bashkëshortin në komunitete më të vogla kur të gjithë e njihnin njëri-tjetrin, për dallim prej kohës së sotme, botës moderne ku të gjithë paraqiten ashtu siç nuk janë në të vërtetë!
Sot gjithçka lëviz shpejtë sipas diktatit të dëshirave dhe kërkesave aktuale. Kjo gjithsesi është gabim sepse është një prej shkaqeve kryesore të gjithnjë e më shumë problemeve.
Mbrojtja e bashkëshortësisë dhe familjes sot paraqet një domosdoshmëri të rëndësishme me të cilën ruhet kjo lidhje bashkëshortore e butë dhe e ndërlikuar.
Shkencërisht është vërtetuar se njerëzit që janë në lidhje bashkëshortore janë më të lumtur nga ato që janë vetëm apo të divorcuar dhe në përgjithësi jetojnë jetë më të gjatë dhe më cilësore. Bashkëshortësia sjell përparësi dhe përgjegjësi të reja për bashkëshortët, gjë të cilën më parë nuk e posedonin.
Brenga për veten dhe familjen paraqet brengë për të ardhmen personale dhe të familjes. Kjo ardhmëri e përfshinë të nesërmen e jetës së kësaj bote dhe ajo e ardhshmja që na pret në anën tjetër të derës së kësaj bote.
Gjithashtu duhet theksuar se brenda familjes, të gjithë anëtarët duke i përfshirë fëmijët, kanë obligime dhe detyrime si ndaj vetes ashtu edhe ndaj anëtarëve të tjerë të familjes. Fëmijët nuk duhet liruar nga detyrimet sepse në atë mënyrë ata shndërrohen në diktatorë të vogël për të cilët aludoi i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem kur tha se në Ditën e Gjykimit do të paraqiten “zotërinjtë e prindërve të tyre”. Si duket kjo paraqitje është evidente edhe sot.
Brenga për fëmijët tanë, gjithashtu na përkujton në bukurinë e shpirtit fëmijëror dhe sinqeritetin e tyre, madhështinë e natyrës njerëzore, fuqinë e dashurisë dhe emocioneve. Më e rëndësishmja që mund t’u ofrojmë fëmijëve tanë jemi vet ne, dashuria jonë, ndihma dhe mbështetja jonë, koha dhe prania jonë, e gjithë kjo e thurur në edukatë. Assesi nuk duhet harruar faktin se fëmijët tanë kanë vetëm një fëmijëri dhe ne duhet të jemi pjesë e saj.
I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem na tregon peshën dhe rëndësinë që ka të qenët prind në këndvështrimin e edukimit të fëmijëve. Kjo detyrë e rëndësishme për të cilën duhet të jemi të gatshëm, nënkupton që ne duhet t’ua ofrojmë të gjithë sqarimet e mundshme për botën e cila i rrethon dhe gjithçka që atyre u intereson.
Duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se ne jemi mësuesit më të mirë të mundshëm për fëmijët tanë.
Krahas edukimit të drejtë fetar, mbjellja e vlerave dhe normave morale tek fëmijët, gjithashtu duhet t’ju ndihmojë atyre në aspektin e gjetjes së vetes, zhvillimit të afiniteteve dhe dëshirave, zgjedhjen e profesionit, ngaqë prindi i di aftësitë dhe interesat e fëmijëve të vet. Prindërit duhet qenë burim i informacioneve për fëmijët e vet.
Gjithashtu me rëndësi të veçantë është t’i njoftojmë për përgjegjësitë dhe sfidat që i sjellë jeta bashkëshortore dhe rëndësia e zgjedhjes së bashkëshortit. Edhe në këtë gjë, bashkëshortësia e prindërve paraqet “shkollë jetësore” dhe mësim, sepse fëmijët më së tepërmi mësojnë në këtë segment, nga jeta praktike e prindërve të tyre.
Të vjetrit duhet të jenë të mëshirshëm ndaj të rinjve dhe duhet t’i kuptojnë, por duhet t’ua përcjellin vlerat dhe virtytet morale. Brenga për veten dhe familjen nënkupton se duhet të kujdesemi për shëndetin, mësimin dhe përmirësimin konstant, brengën për vete si individ por edhe si pjesë e familjes dhe shoqërisë më të gjerë.
Kjo përfshinë disiplinimin dhe vendosjen e rendit dhe harmonisë në marrëdhëniet familjare midis prindërve, pra bashkëshortët, por edhe fëmijët e tyre. Nëse kjo nuk arrihet, familja do të sfidohet dhe shkatërrohet shumë lehtë.
Të kujdesesh për veten dhe familjen tënde është hapi i parë për rregullimin e tërë botës. Kjo, kërkon investim kohor, energji dhe përkushtim maksimal.
“Jetoni jetën ashtu që, kur fëmijët tuaj të mendojnë për drejtësi, dashuri dhe ndershmëri – të mendojnë për ju” – Jackson Brown
Autor: Esmir M. Halilović
Përktheu: Lutfi Muaremi
[Isl@mpress]
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.